“Do të bëjmë shtet!”, de more de!

Oct 3, 2018 | 12:05
SHPËRNDAJE

KIÇO BLUSHI/ kico-blushiMesa duket, objektivi i Rilindjes për të na bërë edhe ne shqiptarët me shtet (më në fund!) u realizua, pasi ky slogan rrëzëllitës nuk përmendet më. Edhe “Shqipëria që duam”, thuajse është kryer si premtim, se rrallë e më rrallë po hapërdahet nëpër “kazanët” e opinionit publik nga altoparlantët e qeverisë.

Edhe reformat rrënjësore, mbi të gjitha ajo e organeve të Drejtësisë, të një drejtësie të kancerizuar nga politika, po ngjizen në trupin e shoqërisë tonë nëpërmjet vetingut (kësaj fjale çudibërëse, marrë hua nga një gjuhë e huaj), sepse para disa ditësh vetë Kryeministri Rama deklaroi nga Korça se Ligji (më në fund!) do të vihet mbi të gjithë, do të shkëputet nga Maliqët e Maliqeshat e partive, d.m.th do të veprojë paanshmërisht e ndershmërisht mbi të gjithë, pavarësisht nga mbështetja partiake, fuqia politike, ekonomike apo banditeske e të fortëve.

Përditë pohohet se kemi dhe rritje të paparë ekonomike. Pensionistët në fund të vitit do të shpërblehen me pesë mijë lekë, teksa 100 fshatra nga veriu në jug do të pajisen për herë të parë në histori me pedonale, lulishte dhe asfalt. Kryeqyteti ka tani edhe korsi për biçikleta, duke konkurruar për nga bukuria e hijeshia me metropolet e Europës. Një arritje tjetër madhore është numri i turistëve të shtuar, gati thuajse sa numri i shqiptarëve të vetëdegdisur në emigracion, kështu që Shqipëria, falë Rilindjes, nuk ngjan më një vend i braktisur e i boshatisur si para pesë vitesh.

Krerët tanë, nga të dy anët e kufirit, na shfaqen herë pas here nëpër fotografi me Trumpin, Erdoganin dhe Merkelin, për të na bindur se edhe Shqipëria po begeniset, se është bërë faktor tejet i rëndësishëm stabiliteti jo vetëm rajonal, por mbarëbotëror. Vitin që vjen, domosdo do të hapen negociatat me BE-në dhe ne shqiptarët e gjallë do të gjendemi të “integruar”, do të quhemi, më në fund, europianë!… E pra, a nuk mjaftojnë këto argumente që provojnë katërcipërisht se edhe ne shqiptarët (më në fund!) jemi bërë me shtet!?

***

Si qytetar i zakontë e i përkorë i këtij vendi unë iu gëzohem sinqerisht këtyre arritjeve madhore. Lumturohem pas çdo peme të mbjellë nga Veliaj, paguaj me padurim dhe, pse jo, edhe me gëzim taksat e faturat, se e di që me to do të ndërtohen rrugë, shkolla e spitale. Sepse tani nuk jetojmë më në rrumpallhanë, në anarkinë tëdalëkutëdalë, tash jemi të pajisur me shtet demokratik, të drejtë dhe ligjor. Ashtu si kuksianët që pranuan qetësisht e paqësisht taksën e rrugës, unë nuk shkel vijat e bardha, nuk shkel ligjet, nuk ankohem… Derisa edhe kuksianët, që shkulën e dogjën terminalin e taksës në Rrugën e Kombit, u bindën se shteti ligjor duhet respektuar që të të respektojë, se vetëm po e dëshmove që e do shtetin, të do e të mbron edhe ai… përndryshe, ik sa më parë refugjat!

Si shqiptar zakoni përpiqem të zbatoj parimin tonë të lashtë “ruhu nga zjarri, nga uji dhe nga qeveria”, ndaj nuk kundërshtoj, nuk revoltohem nga padrejtësitë e administratës, nuk dal kurrë në protesta… Le të thonë që te ne “ka vdekur opinioni publik” meqë ne nuk dalim në protesta, edhe kur na poshtërojnë! Nuk është vetëm frika se mund të të vrasin te dera e Kryeministrisë, po tashmë nuk ka shqiptar që nuk e di se protestat tekefundit janë një brimë në ujë, nuk zgjidhin askurrgjë! Fati i Teatrit Kombëtar e provoi edhe njëherë këtë: Kush proteston, dëshmon se është armik i partisë, antireformist, antirilindist, antiqeverist, antieuropian…

Ndaj nuk e fsheh: përpiqem të shoh vetëm anët pozitive. Nuk më pëlqen të nxihet realiteti, sepse, në fakt, më ngjan sikur nuk njolloset qeveria, po Shqipëria. D.m.th dëmtohet integrimi dhe vetingu, ardhmëria jonë europiane!… E ç’fituan kuksianët nga revolta? Armiqtë e Shqipërisë, fqinjët sllavo-ortodoksë dhe racistët e Europës kësisoj, teksa na shohin në konflikte të pasosura me njëri-tjetrin e me shtetin që duam, shpesh absurde, do të bëhen më të besueshëm kur thonë: “E shikoni? Shqiptarët nuk dinë të ndërtojnë as shtet, as demokraci, nuk janë të aftë të bashkëjetojnë, janë ca ballkanikë anadollakë të fantaksur e të pandreqshëm, prandaj mos i qasni në Europë, lërini të ziejnë në ‘tenxheren e tyre me presion’, se boll telashe kemi prej tyre…!

Ndaj lajmet e kronikës së zezë, të “kazanit mediatik”, të rrëmbushura me krime, arrestime, vrasje, vjedhje, abuzime, përdhunime, drogë, trafiqe, djegie pyjesh, ndotje ujërash, hakmarrje e gjakmarrje, intoksikim ushqimesh, shitje ilaçesh e diplomash false, etj., më prishin humorin dhe më shkatërrojnë besimin, pasi nuk e iluminojnë imazhin tonë në botë, rrjedhimisht edhe perspektivën, përkundrazi, e nxijnë atë… Nuk jam dakord as me opozitën që bërtet për kriminalizimin e shoqërisë, madje edhe të Kuvendit!

Le po tani kanë dalë edhe Babalet! Jo një e dy, por disa! Shfaqen me video-përgjime, me denoncime qytetarësh anonimë, komisarë policie, opozitarë të thekur, të cilët pohojnë para botës se në Shqipëri nuk funksionojnë institucionet, Policia, Prokuroria, gjykatat, ngaqë janë të varuara nga njerëzit me pushtet, nga krerët e Rilindjes, nga deputetë, kryetarë bashkish, ministra… Si shembull i freskët, tronditës e frapullitës sillet vajza XH.M nga Fushë-Kruja, e përdhunuar dhe e përndjekur nga djali i një deputeti socialist. Por, a ia vlen të nxihet fytyra e shtetit (d.m.th e Shqipërisë) që duam për një ngjarje të tillë, qoftë edhe makabre? Sa vajza e gra të dhunuara e të trafikuara ka sot te ne? Nuk numërohen. Po të dalin të gjitha ato e të bëjnë atë që që bëri Xhisela, të shkojnë nga një komisariat në tjetrin, për të denoncuar e sensibilizuar jo vetëm opinionin publik vendor, po edhe botëror, a mund të thuhet dhe, për më tepër, a mund të shpresohet se edhe ne shqiptarët kemi shtetin dhe Shqipërinë që duam?

Sepse, sipas këtyre Babaleve, të cilët opozita i quan heronj, ndërsa Kryeministri horra, punët e shtetit tonë dhe të “Shqipërisë që duam” paskan shkuar aq keqemosmëkeq, sa jo vetëm qytetarët e katundarët anonimë duhet të ndiehen të pasigurt e të pambrojtur, po edhe oficerët e lartë të Policisë, të cilët, po të guxojnë të zbatojnë ligjin, janë të rrezikuar, ndaj, edhe atyre nuk u mbetet rrugë tjetër, veç të kërkojnë azil politik bashkë me familjet… Në fund të fundit, ç’fitoi komisar Nuhu që bëri publik skandalin e djalit të deputetit socialist? U arratis me kuç e me maç, tash jeton me frikë si azilant në një shtet të huaj, e, për më tepër do të përndiqet këmba-këmbës nga vetë Kryeministri… Nuk shkel dot më në Shqipëri, se atë, më keq se Xhiselën, ka për ta përndjekur qeveria, maxhoranca, Rilindja, Policia, Prokuroria dhe opinioni publik! U akuzua si dezertor, madje edhe që ka bërë shkelje të rënda si oficer, paska kryer jo një, po katër krime… Po të kishte heshtur, do të ishte në punë, mund të gradohej, do të flinte i qetë, kurse Shqipëria dhe shteti që duam do të ecnin normalisht drejt Europës…

Kush doli i fituar? As komisar Nuhu, as familja e tij, as Xhisela, as Fushë-Kruja, aq më pak Shqipëria dhe shteti që duam!

Nuk ka qenë kurrë e nakatosur kaq shumë e vërteta me gënjeshtrën. Sot fjala më e përdorur, që shërben si avokat pa pagesë, është: shpifje. Nuk ka kriminel, hajdut, shtetar, zyrtar, i cili, edhe kur kapet me presh në dorë, të mos vetëmbrohet pas fjalës “shpifje”… Po qe kështu, atëherë kush mund të guxojë të japë drejtësi, kur krerët përdorin si parzmore partinë? Sikur të kishte heshtur komisar Nuhu, a do të ishte në burg djali i deputetit socialist? Sikur të kishte heshtur Xhisela, a do të detyrohej Balla të nxirrte shokun e vet dhe deputetin e Pogradecit të dëshmonin se paskësh qenë për gjueti?

“Të veprojnë institucionet e Drejtësisë, të thotë fjalën Drejtësia!”… Këtë thirrje i bëjnë të gjithë organeve të Drejtësisë: kriminelët dhe opozitarët, qeveritarët dhe ojqëistët, hajdutët dhe viktimat, dhunuesit dhe shefat e Policisë… Po cila Drejtësi dhe cilët njerëz të Drejtësisë, ata që i ka emëruar Rilindja dhe kanë mbyllur sytë dhe gojën, nga frika se mund të përfundojnë si oficeri Nuhu?

Ne paskemi hyrë në një qorrsokak pa rrugëdalje. Falë kësaj përbaltosjeje masive, të pasosur, sot të gjithë duken të ndotur, të njollosur, të korruptuar, të inkriminuar. Nuk gjen në këtë tollovi mediatike, të cilën Kryeministri e quan “kazan”, asnjë figurë të pastër e të besueshme. Aq më pak ndonjë parti!

Në këto kushte nuk mbetet rrugë tjetër, veç të zgjedhësh të keqen më të vogël, të ulësh kokën, të mbijetosh, të bashkëjetosh me kriminelin, mashtruesin, hajdutin, vrasësin dhe përdhunuesin më pak të rrezikshëm, me ata që, pasi të rrahin e të vjedhin, përbetohen se të duan… Ky është shteti që duam!

Sepse, tekefundit nuk mbetet tjetër zgjedhje, veç të votosh për atë parti që të drogon më “artistikisht” me propagandë, me gënjeshtra, që të mban gjallë shpresën se do të bëhemi me shtet, se do të vijnë ditë më të mira, qoftë edhe duke mbjellë pemë, duke krijuar korsi biçikletash, duke vijëzuar rrugët, lyer fasadat, mbledhur plehrat e puthur fëmijët e pleqtë në çdo edicion lajmesh… Kllapia dhe frika e rikthimit të ‘97- s na ka errësuar arsyetimin. Më mirë me një shtet që nuk të ndihmon kur të dhunojnë të fortët e lagjes apo të partisë, se sa pa shtet fare!

Andaj, për hir të ardhmërisë, të shtetit e të Shqipërisë që duam, a nuk ia vlen të mbyllim gojën dhe sytë, veshët dhe mendjen jo vetëm ne, si qytetarë, po edhe mediat, opozita, analistët, gjithë të pakënaqurit e kësaj bote?

***

Si më sipër besoj se gjykojnë, veprojnë e mendojnë shumë prej nesh.

Shumica që i dha “tepsinë” një njeriu të vetëm, kësisoj ka gjykuar.

Nuk e kuptojmë se për shkak të kësaj mendësie primitive, dritëshkurtër, katundarore, pak qytetare, në të vërtetë, që kur u bëmë me shtet të mëveçëm, ne vazhdojmë të ndërtojmë, me veprimet e mosveprimet tona, shtetin, Shqipërinë dhe shoqërinë, në të cilën nuk do të dëshironim të jetojmë!

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura