Diktatori Enver Hoxha e dënoi me riedukim! Nga “Tanja” te “Kurvat e Kombinatit”, dramat që fundosën Kujtim Spahivoglin

Jul 6, 2022 | 13:49
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ “Goditja dhe largimi i dhunshëm nga skena i Kujtim Spahivoglit, themeluesit të shkollës së dramaturgjisë shqiptare, krijoi një boshllëk të madh për teatrin tonë”.

kujtim spahivogli

Me këtë bindje të patjetërsueshme ka dëshirë ta nisë bisedën për mjeshtrin e madh të skenës, aktori i mirënjohur Vangjel Toçi, një nga studentët dhe miqtë e afërt të Kujtim Spahivoglit.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Madje, gjatë konsideratave për të, shkon më tej, duke vënë në dukje se po t’i kishte shpëtuar asaj kryqëzate vrastare, drama jonë, sidomos teatri, do ishte në standarde të krahasueshme me artin modern bashkëkohor.

Ish-studenti dhe miku i Spahivoglit, shprehet se ai ka qenë një artist shumëdimensional, regjisor, aktor, krijues, mjeshtër i fjalës artistike, poet etj.

Sakaq, sipas Toçit, Kujtimi hodhi themelet e shkollës së artistëve të dramës dhe ekranit, por asnjëherë nuk i ra gjoksit, duke mbetur modest e i thjeshtë deri në fund. Në rrëfimin për ditët kur u vendos në qendër të goditjeve pas Plenumit IV të KQ, ai kujton mënyrën tinëzarë si rishikoheshin dramat e Spahivoglit për gjetje moderniste e liberale. Mjeshtri Toçe veçon sulmin e bërë për shfaqjen “Tanja”, realizuar në Teatrin Popullor dhe dramën “Kurvat e Kominatit”, që u ndalua për t’u shfaqur me urdhër politik…

Zoti Vangjush! Ju jeni një nga studentët dhe miqtë e Kujtim Spahivoglit që i keni qëndruar pranë edhe kur atë e dënuan. Si do ta përshkruanit në pak fjalë dramën e tij?

Dua ta them që në fillim, goditja dhe largimi i dhunshëm nga skena që i bënë Kujtim Spahivoglit, themeluesit të shkollës së dramaturgjisë shqiptare, krijoi një boshllëk të madh për teatrin tonë, por jo vetëm. Ai ishte një artist i madh në tërë kuptimin e fjalës, që solli risi e zgjedhje regjisoriale bashkëkohore në një kohë të vështirë, kur vendit bashkë me teatrot i mungonin shumë gjëra të tjera. U shfaq që në fillim si një dramaturg me potencial të lartë artistik dhe në një kohë të shkurtër vuri në skenë dhjetëra drama, në pjesën më të madhe të të cilave lozte dhe vetë. Shkurt, u fut si dramaturg brilant dhe doli dhunshëm me jetën dramë…

Çfarë kujtoni nga koha kur ai bëri emër dhe shkëlqente në skenë?

Kujtimi ishte një artist shumëdimensional. Ishte regjisor, aktor, krijues, mjeshtër i fjalës artistike, por sakaq dhe poet. Mënyra si krijoi laboratorin e tij krijues në fundin e viteve ‘50 dhe fillimin e viteve ‘60, në Institutin e Arteve dhe Teatrin Popullor, ishte një tjetër shkollë për artistët e skenës. Unë e kam thënë me plot gojën që ai ka qenë themeluesi i dramaturgjisë moderne shqiptare dhe kam bindjen se po mos ta kishin goditur kur ishte në kulmin e shkëlqimit, drama jone dhe sidomos teatri do ishte në të tjera standarde, madje të krahasueshme me artin modern bashkëkohor. Me largimin e tij nga skena që e donte aq shumë, nuk u ndërpre thjesht një karrierë artistike, po u bllokua një proces shumë ambicioz me vizionin bashkëkohor për teatrin dhe fjalën artistike.

Ndoshta nuk duhet absolutizuar, se në atë kohë ka pasur dhe aktorë të tjerë të talentuar…

Patjetër që ka pasur e kanë dalë herë pas here aktorë të mrekullueshëm, po Kujtimi ishte tjetër prerje dhe me një kompletim të rrallë si artist. Shumë syresh janë produkt i shkollës së tij, janë kolegë e bashkëpunëtorë që kanë ndikuar fuqishëm te njëri tjetri.

Si u përjetua nga komuniteti i artistëve dënimi i Kujtim Spahivoglit?

Ato ishin momente të vështira. Rrebeshi i sulmit nga Plenumi IV i KQ të Partisë i vuri në pozitë të vështirë të gjithë artistët. Dënimi i Kujtimit, njërit prej artistëve më të mëdhenj të kohës, ishte një goditje e madhe për komunitetin e artistëve e sidomos për pjesën e aktorëve dhe mjeshtërve të skenës. Përvese ndonjë pseudo aktori e artisti që u solidarizua menjëherë me qëndrimin e Partisë për kryqëzimin e Kujtimit, pjesa tjetër e përjetoi keq e mbeti pa fjalë nga ndëshkimi i tij. Duhet thënë sakaq se kishte dhe ndonjë artist vullnetar që bëri punën e vëzhguesit, duke ndjekur fshehurazi jetën e aktivitetin e Kujtimit, tashmë jashtë teatrit…

Përse u penalizma më shumë Kujtim Spahivogli pas Plenumit IV të KQ të Partisë?

Kryesisht për miqësinë me Fadil Paçramin dhe frymën liberale e moderniste në krijimtari. Në debatet e atyre ditëve ia kaluan në filtër të gjitha dramat që kishte realizuar dhe në çdonjërën prej tyre mundoheshin të gjenin gjetjet që stononin me vijën e Partisë. Po ndodhte ajo që autori i tyre nuk e kishte menduar kurrë. I pafuqishëm përballë këtij sulmi të befasishëm, Kujtimi iu nënshtrua fatit. Dorëzoi çelësat e studios dhe mori rrugën e kantiereve të ndërtimit në Fier, për t’u riedukuar në gjirin e klasës punëtore, siç thoshin atëherë. Iku me idenë se pas njëfarë kohe, do të rikthehej, por nuk ishte e thënë. Në skutat e errëta të autoriteteve ishte arkivuar vendimi për ta larguar përgjithmonë nga skena. Çfarë nuk bëri ai i shkreti për t’u kthyer te profesioni që e deshi si rrallëkush, por në çdo derë që trokiti gjeti vetëm zhgënjim, deri sa mbylli sytë përgjithmonë me brengën e madhe. Ah, Kujtimi, profesori, mjeshtri i madh, shoku e kolegu i pazëvendësueshëm…

Çfarë kujton nga dramat e tij në atë periudhë dhe përse e veçoni realizimin e tyre?

Në një kohë të shkurtër, Kujtimi ka realizuar një numër të madh dramash me një galeri të jashtëzakonshme personazhesh. E veçanta e tyre ishin risitë që sillnin në artin e dramës, gjetjet e spikatura e novatore të regjisë, thyerja e tabuve dhe skemave të rëndomta. Tirana e asaj periudhe i priste me shumë dashuri e interes shfaqjet e Kujtimit. Emri i tij ishte bërë i dashur sidomos për rininë dhe studentët. Po kjo ishte një pranverë e shkurtër që zgjati jo shumë. Megjithatë, emri i mjeshtrit të madh ngeli në kujtesën e atij brezi. Ka mbetur në memorien e bashkëkohësve, sidomos Hamleti i famshëm, i realizuar aq mjeshtërisht nga Kujtimi, por dhe shumë e shumë shfaqje të tjera.

Për cilat nga dramat u godit më fort Kujtim Spahivogli?

Me sa më kujtohet, fillimisht u sulmua se kishte vënë në skenë një dramë të Fadil Paçramit kur ai ishte dënuar. Pastaj ia kishin vënë në lupë të gjitha dramat, ku te çdonjëra gjenin aspekte me frymë liberale e moderniste, tendenca të artit borgjez etj. E kishin vënë në syrin e ciklonit dhe nuk reshtnin ta sulmonin deri sa e gjunjëzuan…

Megjithatë kishte ndonjë krijim të veçantë që përcaktoi përfundimisht kryqëzimin e tij?

Me sa mbaj mend, dy ishin dramat për të cilat u sulmuan më rreptë. Ishte “Tanja” që fshikullonte aspekte të burokracisë së regjimit, e cila u interpretua nga Teatri Popullor dhe drama “Kurvat e Kombinatit”, që nuk arriti të vihej në skenë se u godit që në procesin e përgatitjes.

“Kurvat e Kombinatit” ishte krijim i Kujtimit apo dramë e përzgjedhur nga ai për tu vënë në skenë?

Historinë e kësaj drame kam pasur rastin ta mësoj nga vetë Kujtimi. Fillimisht ka qenë një kërkesë e drejtorit të klubit të kulturës të Kombinatit të tekstileve në Tiranë, Osman Laze, një miku i hershëm i tij, për të bërë një dramë destinuar problematikës së kombinatit, që asokohe ishte një nga ndërmarrjet më të mëdha jo vetëm të Tiranës. Kujtimi e kishte mirëpritur dhe brenda një kohe relativisht të shkurtër i kishte çuar në zyrë dramën e porsapërfunduar “Kurvat e Kombinatit”. Kam pasur rastin ta lexoj në dorëshkrim. Ishte një subjekt mjaft interesant me gjetje të guximshme. Në thelb drama pasqyronte jetën e grave dhe vajzave që punonin në Kombinatin e çelur në fillimin e viteve ‘50. Mirëpo, titulli i dramës dhe mënyra si depërtonte në jetën e tyre autori i saj, krijonte një gërë të pakapërcyeshëm. Këtu filloi debati ndërmjet Kujtimit dhe këshillit artistik, që ndiqej rreptësisht nga autoritetet partiake. Mosmarrëveshjet ishin aq të thella sa që drama u ndalua të vihej në skenë…

Si t’i tregonte Kujtimi peripecitë për aventurën e tij me “Kurvat e Kombinatit”.

Të them të drejtën në bisedat për këtë temë që ishte delikate në atë kohë, unë rrija disi i rezervuar. Ishte koha kur kishin filluat të më godisnin dhe mua për historinë e dajos. Me sa më tregoi Kujtimi, paraprakisht, megjithëse me dhimbje kishte rënë dakord të ndërronte titullin e dramës, po zyrtarët i kërkonin të rishikonte tërë subjektin, për ta shfaqur me sy optimist e moralist jetën e grave dhe vajzave që punonin në kombinat. Këtu ishte prishur marrëveshja.

Në kohën kur ai nuk kishte pranuar ta çonte më tej bashkëpunimin, çështjen e kishte marrë në dorë Komiteti i Partisë së rajonit, që e vlerësonte dramën e punuar enkas për Kombinatin një përpjekje për të denigruar rolin e vajzave dhe grave që punonin aty. Një paradite në këtë periudhë (me sa më kujtohet ka qenë gusht), u përballa me Kujtimin te kafe Flora dhe e pyeta për dramën. Mbaroi ajo punë. “Kurvat e Kombinatit” nuk e kaluan provimin, më tha me një ton ironie dhe u largua me hapa të ngadaltë.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU:  Nga mbret i skenës, në hekurkthyes në Fier/ Kush e solli Spahivoglin në Tiranë?! Nexhmije Hoxha: Kryeqytetin ta mbajmë të pastër nga këta armiq

“S’lexon ZP-në, por libra te huaj! Të shkojë për riedukim”- Rebelimi i ‘mbretit të skenës’ kur i morën teserën dhe e përjashtuan nga Partia. Zbardhet dokumenti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura