Dhoma Amerikane zhvillon për herë të parë votim elektronik/ Presidenti Jaço: Klima e biznesit me garanci ligjore dhe pa korrupsion politik jetike për vendin

Oct 15, 2020 | 19:16
SHPËRNDAJE

Pas ceremonisë së 20-vjetorit, Dhoma Amerikane do të zhvillojë zgjedhjet për strukturat e brendshme të saj duke aplikuar për herë të parë sistemin e votimit elektronik.

Konferenca-vjetore-2019-2020-4

Rreth 220 anëtarë të Dhomës Amerikane, përmes pjesëmarrjes virtuale në Asamblenë e Përgjithshme do të zgjedhin përmes votës elektronike Zv/Presidentin e ri, 3 anëtarë të Bordit Ekzekutiv si dhe do të votojnë për ndryshime statutore. Kjo është hera e parë në Shqipëri ku aplikohet sistemi i votimit elektronik në nivel zgjedhor.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço tha sot se, krijimi i një klime biznesi me garanci ligjore dhe konkurrencë të ndershme, pa korrupsion e kriza politike do të ndryshojë imazhin e Shqipërisë dhe do të kthejë vendin në qendër të investimeve amerikane dhe ndërkombëtare në rajon.

Klima e biznesit dhe rritja e shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe SHBA kanë qenë dhe mbeten dy shtyllat kryesore të punës së Dhomës Amerikane të Tregtisë – u shpreh Presidenti Jaço.

Në lidhje me klimën e biznesit, Jaço tha:  “Principet tona kanë qenë të qarta: praktika të sigurta dhe garanci ligjore për bizneset. Uljen e nivelit të korrupsionit dhe më shumë transparencë. Ne kërkojmë më pak kriza politike, më shumë bashkëpunim. Një sistem gjyqësor funksional dhe konkurrencë te ndershme. Këto çështje akoma ndikojnë klimën e biznesit dhe vijojnë të prodhojnë sfida. Por ne jemi optimistë për faktin që sot, klima e biznesit ka marrë një vëmendje tjetër nga të gjithë aktorët më të rëndësishem në vend dhe ata ndërkombëtarë”.

Presidenti i Dhomës Amerikane vlerësoi si historike Marrëveshjen Ekonomike Shqipëri-SHBA duke e cilësuar si “një moment kthese në lidhje me Investimet Amerikane në Shqipëri. Në mesin e pasojave kritike të krizës së COVID 19, ky është një lajm i mirëpritur për ekonominë Shqiptare. Por ky është vetëm fillimi i projekteve të tjera amerikane që mund të sjellë kjo marrëveshje. Ka ardhur koha që më shumë investitorë amerikanë të krijojnë filialet e tyre në Shqipëri, e përmes Shqipërisë të eksplorojnë edhe Rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Jaço.

Për Presidentin e Dhomës Amerikane, kjo marrëveshje do të sjellë oportunitete të reja por edhe do shërbejë si një test për klimën e biznesit në Shqipëri dhe politikave për përmirësimin e saj.

Duke prezantuar bilancin e aktiviteteve të AmCham për vitin e kaluar, Presidenti i AmCham bëri të ditur se Dhoma Amerikane ka miratuar një Plan të ri Strategjik, shtylla kryesore e të cilit është Reformimi i Klimës së Investimeve. “Kemi nisur punën me një grup ekspertësh të brendshëm të cilët do konsultohen dhe me një numër ekspertësh të jashtëm dhe partnerësh ndërkombëtare. Po punojmë me një frymë konstruktive dhe bashkëpunimi me Ministrinë e Financave dhe me Ministrinë e Sipërmarrjes në lidhje me realizimin e rekomandimeve” u shpreh ai.

Presidenti i Dhomës Amerikane e mbylli fjalimin me bindjen se “me bashkëpunimin e duhur mes aktorëve dhe përmbushjen e kritereve për Reformimin e Klimës së Biznesit, mundësitë për Shqipërinë do jenë më të prekshme se kurrë më parë”.

Në takim ishte e pranishme edhe Ambasadorja Yuri Kim, Ministrja e Financave, Anila Denaj, zyrtareve të lartë në Uashington dhe përfaqësuesve të Dhomës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura