Gjithnjë e më shumë njerëz po përjetojnë simptoma të depresionit ose stresit intensiv, si rezultat i një përditshmërie të vështirë, por edhe për shkak të pandemisë! Studiuesit thonë se sekreti për të përballuar është më i thjeshtë se sa mendoni.
Shëndeti mendor është gjithnjë e më shumë në qendër të diskutimeve, veçanërisht pas efekteve të dukshme të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit dhe masave kufizuese që e shoqëruan atë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 në 8 njerëz në mbarë botën (970 milionë njerëz) jetojnë me një çrregullim mendor. Shëndeti mendor i kushton ekonomisë globale rreth 2.5 trilion dollarë çdo vit, një kosto që parashikohet të rritet në 6 trilion dollarë deri në vitin 2030.
Si pjesë e përpjekjes për të gjetur mënyra efektive për të menaxhuar situatën, hulumtimet e reja kanë treguar një metodë të thjeshtë që duket të jetë shumë efektive në menaxhimin e simptomave depresive.
Në veçanti, studiuesit nga Universiteti i Australisë Jugore (UniSA) pohojnë se ushtrimet fizike janë 1.5 herë më efektive se metodat e vendosura të menaxhimit të çrregullimeve mendore, të tilla si këshillimi dhe mjekimi. Zbulimet e studimit janë publikuar në British Journal of Sports Medicine.
Në mënyrë të veçantë, ushtrimet fizike deri në 12 javë ishin më efektive në reduktimin e simptomave të shëndetit mendor në një afat të menjëhershëm.
Përfitimet u panë tek njerëzit me depresion të diagnostikuar, gratë shtatzëna dhe gratë me depresion pas lindjes, si dhe njerëzit që ishin diagnostikuar me HIV ose sëmundje të veshkave
Studiuesi kryesor i UniSA, Dr. Ben Singh, argumentoi se aktiviteti fizik duhet të jetë një prioritet për të menaxhuar më mirë rastet gjithnjë në rritje të çrregullimeve mendore. “Dihet se ushtrimet fizike mund të kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit mendor.
Shqyrtimi ynë tregon se ndërhyrjet që lidhen me aktivitetin fizik mund të reduktojnë ndjeshëm simptomat e depresionit dhe ankthit, me disa grupe që tregojnë shenja edhe më të mëdha përmirësimi.”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al