Denoncoi në Polici parcelat me kanabis, vritet nga kushërinjtë. Detaje të reja nga krimi në Dukagjin

Oct 23, 2019 | 14:06
SHPËRNDAJE

Lazer-Arraj-770x436

Denoncoi në Polici parcelat me kanabis, vritet nga kushërinjtë. Lazër Arraj, 55 vjeç, dyshohet se është bërë viktimë pas informacioneve të dhëna për Policinë e Shtetit në zbulimin e parcelave me kanabis në zonën e Dukagjinit në Shkodër, një zonë e njohur për aktivitet të tillë.

Arraj u qëllua me dy plumba në trup, teksa ndodhej në një rrugë dytësore në fshatin e tij të lindjes, Pulaj të Dukagjinit. Pas disa orësh, Policia arriti në vendngjarje duke nisur veprimet e para hetimore. Hetuesit arritën në përfundimin se një nga autorët e kësaj vrasjeje është kushëri i tij, pikërisht 25- vjeçari Marash Arraj, djali i xhaxhait të viktimës.

Ka qenë pikërisht ky i fundit bashkë me babnë dhe të vëllanë, që kanë njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur. Kushërinjtë kanë deklaruar se ka qenë ora 10:00, kur kanë dëgjuar dy krisma dhe nga shtëpitë e tyre kanë shkuar drejt rrugës kryesore për të parë se çfarë ka ndodhur dhe janë përballur me kushëririn e tyre, Lazër Arraj, i vrarë me dy plumba në trup dhe i shtrirë në tokë i pajetë.

Ky është versioni i parë që kushërinjtë kanë dhënë për Policinë. Pas veprimeve hetimore në vendngjarje, ata janë shoqëruar në Polici dhe pas marrjes në pyetje kanë dhënë disa versione mbi ngjarjen.

Kjo ka bërë që hetuesit të ngrenë dyshime të forta se një nga dëshmitarët ishte pikërisht edhe autori i krimit. Pas veprimeve të tjera, Policia ka vënë në pranga 25- vjeçarin Marash Arraj si të dyshuarin kryesor, ndërsa vijojnë hetimet për persona të tjerë të përfshirë.

“M.A., 26 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër. Arrestimi i tij u bë, pasi dje më datë 21.10.2019 dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin L.A. në fshatin Palaj, Njësia Administrative Shosh, Shkodër. Kjo ngjarje dyshohet të ketë ndodhur për konflikte të mëparshme mes familjeve”, bëhet e ditur zyrtarisht nga Policia.

RRUGA Forcat e Policisë, një ditë pas ngjarjes u nisën sërish drejt Dukagjinit në fshatin Palaj për të gjetur gëzhojat e plumbave, me të cilët u vra Lazër Arraj. Ky i fundit ka qenë duke sjellë prodhimet e dimrit drejt Shkodrës, ku kishte një tjetër shtëpi.

Pas katër orësh të vështira udhëtim me mjete të larta nga Shkodra në fshatin Palaj, duhet edhe të ecësh në këmbë të paktën për 45 minuta për të mbërritur te vendi ku ndodhi vrasja.

Terreni i thyer malor i ka vështirësuar hetimet edhe për Policinë, ndonëse momentalisht për shkak të dëshmive të paqarta ka dyshime të forta për njërin nga kushërinjtë, ndërsa pritet që të zbulohet nëse ka bashkëpunëtorë.

DYSHIMET Pista kryesore është ajo e një vrasjeje të ardhur për shkak të konfliktit të nisur për disa parcela kanabis në Ndreaj dhe në fshatin Palaj. Gjatë muajve të verës, Policia e Shkodrës ka zhvilluar disa aksione në Dukagjin dhe pikërisht në Ndreaj, ku ndodhet fshati Palaj, ka asgjësuar në total rreth 1 mijë rrënjë kanabis sativa. Këto aksione janë zhvilluar në kohë të ndryshme.

Aksioni më i madh dhe i fundit i Policisë ka qenë përpara një muaji. Në fakt, Policia nuk ka identifikuar ndonjë autor për ato bimë, pavarësisht dyshimeve. Por ndonëse Policia nuk i ka çuar deri në fund hetimet, këtë gjë duket se e kanë bërë kultivuesit e kanabisit. Ata kanë ngritur dyshime mbi 55-vjeçarin Arraj si bashkëpunëtor apo denoncues të parcelave me kanabis.

Nisur nga këto rrethana, Policia ka ngritur dyshime se kultivuesit e bimëve narkotike kanë qenë pikërisht kushërinjtë e viktimës, të cilët janë hakmarrë për këtë gjë. Rreth kësaj çështjeje janë zhvilluar disa debate mes kushërinjve, për të ardhur deri te momenti i vrasjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura