Çmimi Irma Kurti, “Universum Donna”

Sep 9, 2013 | 15:44
SHPËRNDAJE

Poetesha shqiptare Irma Kurti është vlerësuar nga Universiteti i Paqes në Lugano me çmimin prestigjioz “Universum Donna”. “Juria ndërkombëtare e çmimit ‘Universum Donna’, e drejtuar nga princesha Ranzie Mensah, ka vendosur t’i akordojë poeteshës shqiptare Irma Kurti këtë çmim prestigjioz, që çdo vit u dorëzohet 10 grave, që janë shquar në fusha të ndryshme të shoqërisë sonë”, shkruhet në njoftimin e Akademisë zvicerane Universum. Mësohet se çmimi do të ndahet në një ceremoni zyrtare, që do të zhvillohet më 13 tetor në Lugano, nën prezencën e personaliteteve të fushës së kulturës, shoqëria civile dhe vullnetarizmi ndërkombëtar. Vetë Kurti është shprehur shumë e emocionuar kur ka mësuar lajmin, të cilin e ka ndarë me miqtë e saj në Facebook. “Gjatë ceremonisë do të më jepet dhe titulli  ‘Ambasadore e Paqes’. Jam e gëzuar ta ndaj këtë gëzim me miqtë e mi. Një përshëndetje të gjithëve dhe një falënderim të madh për mbështetjen tuaj”, shkruan ajo. Poetesha dhe gazetarja 47-vjeçare Irma Kurti është një nga penat më të vlerësuara në shtetin fqinj, Itali, e tanimë edhe më tej. Ajo është autore e disa vëllimeve poetike. Gjithashtu ka lëvruar edhe lëmin e prozës. Kurti është e njohur në Shqipëri edhe si tekstshkruese.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura