Burri shkoi në koncert, grabitësit i marrin të moshuarës paratë që i solli djali emigrant

Aug 23, 2017 | 10:45
SHPËRNDAJE

ELBASAN- Bashkëshorti kishte dalë për të ndjekur koncertin në qendër të qytetit, grabitësit i marrin të moshuarës paratë që u kishte sjellë djali emigrant. Ngjarja ka ndodhur në Belsh dhe policia konfirmon se bëhet fjalë për vjedhjen e një shume prej rreth 3 milionë lekësh të vjetër në banesën e djalit të 74-vjeçarit me iniciale M.T.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 të mbrëmjes së të hënës, kur 70-vjeçarja Naferit Tafani ishte duke ndenjur në banesën e saj.

spital belsh grua vjedhje

Në një moment, ajo ka parë se drita e dhomës së banesës së djalit, që ndodhet në një oborr me të sajin, ishte ndezur, dhe pas kësaj ajo ka shkuar për të parë nëse ishte kthyer bashkëshorti nga koncerti dhe se mos kishte hyrë në banesën e të birit, i cili është emigrant në Greqi.

Por, ajo është ndeshur me grabitësin, i cili e ka kërcënuar që të mos flasë, pasi në të kundërt do ta vriste. Më pas, ai në momentin e largimit e ka shtyrë duke e rrëzuar nga shkallët, duke bërë që e moshuara të rrëzohet pa ndjenja.

“Po fole të vrava, më tha dhe pastaj më shtyu dhe u largua duke kapërcyer kangjellat. Nuk mbaj mend më asgjë pastaj, por një nga fqinjët më tregoi se dikush e priste me motor në rrugë”, tregon 70- vjeçarja Naferit Tafani. Pas ngjarjes, në banesën e saj kanë mbërritur fqinjët, të cilët kanë dëgjuar Naferitin duke kërkuar ndihmë.

Ata e kanë ngritur atë duke i dhënë ndihmë. Më pas në banesën ka mbërritur dhe bashkëshorti i saj, 74-vjeçari me iniciale M. T. E moshuara u dërgua në spitalin e Elbasanit. Sipas mjekëve, gjendja e saj shëndetësore u përmirësua, ndaj pas ndihmës së parë ajo është larguar për në banesë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura