Botohet “Foresteria”, vepra më e re poetike e Akadenikut Kujtim M. Shala

Jun 7, 2023 | 13:47
SHPËRNDAJE

Shtëpia botuese “Onufri” ka ndarë me lexuesit shqiptarë lajmin për botimin e vëllimit më të ri poetik, të Akademikut Kujtim M. Shala, të titulluar “Foresteria”. Ky vëllim me titullin e veçantë, që ngjan se evokon pyllësinë, në fakt, mban emrin e fjetoreve për studentët e huaj, në Itali, ku autori ka kryer studime pasuniversitare.

fosteria-kujtim-shala11

Me poezi për shenja të jetës e përjetimeve të atyre viteve, të një të huaji, që mëton të konturojë kufijtë e kuptimit dhe të ekzistencës në një hapësirë të huaj e të panjohur, hapet cikli i parë i librit, titulluar “Foresteria”.

Cikli i dytë poetik, titulluar “Arkiv”, me anë metaforash spikatëse përqendrohet te kujtimet familjare e personale, që kanë në qendër gjyshen e gjyshin, rrënjët e fisit dhe trajtat e tyre të pashlyera njerëzore. Poeti shkruan:

Natyra asht arkivi ma egër i jetës

Lidh hijet në dosje të randa

Rrëfime të ilustrueme me fytyra mjegulle

Miliona vjet shtresue

Ankthi ma i madh

Tana të vërtetat hije

Tym e hije

Të humbuna apo të ruajtuna

Gjyshja u beson rranjëve

Me jetue me kujtimet e trollit

Kur humbin trajtat

Mbeten rranjët

Arkiv i qenies

Cikli tjetër poetik me emrin “Ad infinitum”, ka bërë bashkë poezi dashurie, të cilat shenjohen nga lajtmotivi i dashurisë deri në infinit. Përmes kontrastesh të forta dritë- hije, ngadhënjim- mposhtje, galdim- pikëllim, poetizohet relievi bukur i thyer i përjetimit dashuror, me të cilin lidhet gjithë kozmogonia e poezisë. Dashuria ndryshon formë, ndërsa finaliteti i saj shtrihet në pafundësi. Për fund trajta e dashurisë “ad infinitum” është kujtim, si gjurmë e pashlyeshme.

fosteria-kujtim-shala13

Cikli i fundit poetik, titulluar “Trajtat”, ka poezi të një natyre më filozofike, pasi këtu përjetimet poetike nuk janë për sende (si një vëllim i mëhershëm poetik i z. Shala), por për shenja, fytyra, emra e shprehi më pak të prekshme, që diku-diku mjegullohen, për të mbetur trajtë e pashlyer në frymëzim e në vargje:

Fytyra shkrihet ngadalë

Pasqyrë e shfytyruar e ujanve

E lisave përmbys e dheut që djeg yjet

Qiejt të përzier n’akujt e vjetër kozmikë

Në hapësinën pa fillue jeta

Fytyra kthen kohën prapa

Zhbën hapësinën

Qenia zhbëhet në nji pikë të zezë

Errsue e dendun në nji grimë

Pamja I zhbën tana gjanat

(fragment nga poezia “Fytyra”).

Vëllimi poetik “Foresteria”, shkruar me një gegërishte të latuar bukur, do ta pasurojë horizontin letrar e estetik të lexuesve këndej e andej kufirit. “Foresteria” është e disata vepër poetike e Akademikut Shala dhe është përkthyer tashmë edhe në gjuhën rumune e pritet që së shpejti të shohë dritën e botimit edhe në italisht.

Zoti Shala ka një korpus personal shumë të pasur veprash letrare e studimore me mbi 50 tituj dhe është i njohur edhe për angazhimin e tij të rëndësishëm politik në Kosovë, si ish-zëvendëskryeministër dhe ish-ministër kulture, ndërsa aktualisht mban pozicionin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës./ Elisabeta Voskopoja

fosteria-kujtim-shala fosteria-kujtim-shala1

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura