Beogradi pagoi për të marrë pikturën e ‘luftëtarit shqiptar’/ Reagon Artan Lame: Serbë të poshtër! Pse nuk e bleu shteti ynë?

Nov 13, 2023 | 12:30
SHPËRNDAJE

Luftetari shqiptar-beogradi-blerjaNGA ARTAN LAME

Para rreth një muaji, në shtëpinë e ankandeve Sotheby të Londrës doli në shitje një nga pikturat me temë shqiptare të piktorit malazias Paja Jovanoviq, vepër e vitit 1858. Paja ka bërë një pafundësi pikturash me temë shqiptare, që janë një kënaqësi e vërtetë për syrin dhe një dëshmi brilante e asaj bote arnaute tashmë të zhdukur.

Meqë ra llafi tek pikturat e shqiptarëve që na i bëjnë të huajt, edhe dëshmitë piktorike shqiptarët nga të huajt i kanë, se vetë “ua ka ngrënë dhia librat” siç thoshte Faik beu. Madje edhe të huajt gjenin belanë kur pikturonin këtu, siç kujton Edward Lear-i 10 vjet përpara realizimit të kësaj pikturës së Pajos, kur kish vizituar Elbasanin më 1848 dhe desh i kishin hapur kokën me hunj e gurë kur e panë që po vizatonte disa personazhe, duke qenë të bindur që përmes vizatimit ai kaurri i Evropës do ju merrte shpirtin, siç ju kishte thënë hoxha i gjithëditur i kasabasë.

Po nejse të kthehemi tek Jovanoviçi. E pra ankandi i hapur para një muaji, u mbyll dje dhe piktura e shqiptarit hijerëndë u ble nga … SHTETI SERB.

Sapo ky haber mori dhenë nëpër media, vërshuan regjimentet e patriotëve të feisbukut të mallkonin Eh kjo Serbia e poshtër që po na vjedh kulturën tonë; të kujtonin se kështu kishte bërë edhe Greqia e poshtër me fustanellën; pastaj arrinin ata më gjithëpërfshirësit që flisnin për komplotin e përbotshëm të gjithë fuqive të poshtra kundër shqiptarëve, e plot e plot të tjera. Pas mediave lajmi fluturoi edhe në të gjitha rrjetet sociale e forumet arbërore trimërore fejsbukore. Si në një pasdite të ngeshme të djele, u përpoqa të shoh reagimet e shqiptarëve kreshnikë tik-tokikë në të gjitha ato rrjete sociale që e kishin botuar këtë lajm.

Ngado qëndrimi ishte i njëzëshmë si bllok graniti: Dënojmë Serbinë që e bleu; e krahasojmë me Greqinë hajdute; kujtojmë komplotin botëror antishqiptar.
Mirëpo askund nuk pashë që dikujt t’i shkonte mëndja tek gjëja më e thjeshtë e kësaj bote: Pse nuk e bleu shteti shqiptar?! Se ankand i hapur ishte dreqi ta hajë, nuk vajti Vuçiçi me çorape në kokë ta vidhte në Londër e ta çonte në Beograd. Ndoshta edhe po të kish hyrë në ankand shteti shqiptar, prapë do ta kishim humbur, se Serbia ka pará më shumë se ne, po të paktën edhe faqen do ja kishim shpëtuar shqipes (ja e provuam, po kaq e kishim takatin); por edhe një dëm do ja kishim bërë sërbit, se do ta blinte më shtrenjtë.

As kaq nuk bëmë, “t’i hidhnim një gur të thyente kosën kur të korrte luadhet” siç thosh Isuf Elezi më 1923-shin. Qeveritë në botën e sotme janë shumë të ndjeshme ndaj opinionit publik. Eshtë gjëja që kanë më shumë frikë dhe që e ndjekin me lloj-lloj mënyrash dhe reagojnë menjëherë ndaj tij.

Fjala që bie, thellë brenda meje unë dyshoj se edhe Vuçiçi do që ta mbyllë belanë që e ka zënë me Kosovën. Ndoshta brenda vetes ai do që ta nënshkruajë marrveshjen që, edhe të marrë fund tortura që po heq dhe, edhe para Evropës të shfaqet si evropian modern e mëndjehapur. Mirëpo nuk e bën dot, se ka frikë nga opinioni publik i vëndit të tij, ka frikë që kur të kthehet në Beograd me marveshjen të firmosur mund ta hanë të gjallë me gjithë lecka. Ndoshta them, se nuk marr vesh shumë nga politika e madhe, nga ajo që ma sqarojnë llagar kur shkoj tek berberi.

E njëjta gjë është edhe me këtë punën e tabllosë me arnaut. Nëse shteti shqiptar do i kish hyrë këtij kasaveti, pa një pa dy do kish gjetur belanë me miletin e gjithëditur që do i lëshohej në shpinë: këtu njerëzit vdesin për bukë ju blini piktura; pse bletë këtë e nuk bletë atë; pastaj do fillonin albanologët popullorë, që kjo është piktura e gabuar se në fakt ai nuk është shqiptar por malazez; pastaj prapë ekonomatët, me kaq pará mund të paguheshin kaq pensionistë e aq fermerë. Dhe kësaj i thonë vërtet të blesh belanë me pará. Dhe shteti shqiptar me ç’duket, vendosi të mos e blejë belanë me para.

Shihni një ëndërr në diell, demek sikur opinioni publik në Shqipëri me ta marrë vesh lajmin e ankandit, fillon të dërgojë letra në hyqymet për ta blerë pikturën; oligarkët për një moment lënë kazinotë dhe japin pará për të mbledhur një fond; shoqëria civile organizon peticione që firmosen nga vargje të gjata qytetarësh; bankat dhe shoqëritë e sigurimeve deklarojnë se për 6 muaj do ulin normën e fitimit dhe diferencën do e japin për Arnautin e Pajos; qeveria nën nxitjen e opinionit publik dhe duke patur parasysh se paratë u mblodhën nga Bankat dhe oligarkët, hyri në ankand. Eh “andrra n’zheg” thosh patër Fishta.
Nuk ndodhi asgjë nga këto, se qeverinë nuk e shqetësoi kush, sepse shoqëria civile nuk është më as shoqëri e ca më pak civile, oligarkët nuk dolën nga kazionoja; bankat vijuan të bëjnë pará me paratë tona; dhe shqiptarët vazhduan punët e tyre të pashqetesuar deri në momentin kur pikturën e blenë serbët e poshtër.
Pastaj? Pastaj serbet vazhduan punët e tyre, ndërsa shqiptarët zunë kafenetë për të pritur armikun e rradhës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura