“Bashkimi i opozitës, e vetmja mënyrë për t’u përballur me keqqeverisjen e Ramës”- Mediu: Korrupsioni e krimi i organizuar, rreziku më i madh për vendin

Jun 2, 2024 | 12:49
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka bërë thirrje për bashkimin e opozitës si e vetmja rrugë, sipas tij për t’u përballur me keqqeverisjen e Edi Ramës. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, Mediu u shpreh se korrupsioni dhe krimi i organizuar përbëjnë rrezikun më të madh për Shqipërinë.

mediu

“Blerja masive e zgjedhjeve, kercënimini votuesve, bashkëpunimi hapur me krimin, krijimi i një administrate politike zgjedhore, me patronazhistë dhe aktivistë, kishin dhe kanë një qëllim të vetëm: kontrollin e jetës suaj, të shoqërisë shqiptare, duke krijuar bindje se ka një Zot, që nuk është ai për të cilin folët ju, por është Edi Rama. Përballë nesh ka dy rrugë: të ulim kokën ose të ngrihemi.

Të luftojmë të ndertojmë fatin tonë, të familjeve tona, vendit tonë. Ka edhe një rrugë tjetër, e cila po kthehet në një rrugë shkatërruese e identitetit, te ardhmes sonë politike dhe socialetë Shqipërisë, largimi i të rinjve, i të rejave, intelektualëve nga Shqipëria. Largimi i një milionë shqiptarëve është krimi më i madh i qeverisë socialiste. Kjo për arsyen se Shqipëria është bërë e pajetueshme nga kjo qeveri, për pjesën më të madhe të shëiptarëve”, tha Mediu.

Kreu i PR-së gjithashtu tregoi rrugën që duhet të ndjekë opozita për të fituar besimin e qytetarëve.

“Opozita nuk mund të katandiset në qëllimin se kush do të jetë deputet, por duhet ta shohë parlamentin si vendin ku shqiptarët shikojnë dhe dëgjojnë mundësinë për të ardhmen dhe shpresën e tyre. Opozita nuk mund të mbyllet në meskinitetit dhe interesat e vogla përjashtuese të disa individëve, por duhet të hapet dhe të vendosë në bazë të disa vlerave të saj konkurimin, gjeneratën e re, vlerat më të mira.

Opozita e liderëve duhet të ndryshojë dhe të bëhet opozita e shqiptarëve, që krijon hapësirën në Kuvend, nëpërmjet garës, gjeneratën e mrekullueshme të të rinjve e të rejave që jëtojnë ketu në Shqipëri dhe në vende të tjera.

Ne do të kemi besimin dhe mbështetjen e njerëzve, kur të kuptojmë se fati ynë është i lidhur me shqiptarët dhe jo e kundërta, që fati i shqiptarëve qenka i lidhur me ne. Dhe po vij tek detyra jonë, federata apo konfederata e opozitës, quajeni si të doni, sepse opozita e bashkuar është rruga e vetme për të mposhtur të keqen e kësaj qeverie. Sepse opozita nuk duhet vetëm në Tiranë, por duhet të jetë në çdo skaj. Bashkimi i opozitës nuk mund të funksionojë vetëm si takim i kryetarëve të opozitës në Tiranë, por duhet të funksionojë në çdo qark, në çdo bashki. Me çdo individ. Çdo individ ka vlerë, por duke qenë bashkë fiton 100 herë më shumë vlerë për të qendruar dhe luftuar së bashku”, tha ai.

 

Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, Mediu u shpreh se Federata e opozitës duhet të ndërtojë marrëdhëniet me SHBA, BE dhe NATO-n.

“Nuk ka gjë më të shtrenjtë sesa familja dhe familja është vlera më e madhe e shoqërisë shqiptare. Është shtëpia e Zotit dhe e mikut. Fatkeqësisht, politika e majtë kërkon ta shkatërrojë familjen dhe shtëpinë e shqiptarit. Të nxjerrin Zotin përjashtë dhe të fusin Ramën brenda. Të nxjerrin përjashtë të zotin e shtëpisë dhe ta zëvendësojnë atë me numrat 1,2,3,4, siç do qeveria. Partia Republikane nuk është kundër askujt, lirisë së kërkujt, por është pro familjes, jetës, si dhe vlerave dhe traditave më të mira shqiptare”, përfundoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura