Arsimi i Lartë dhe Universitetet kanë mbetur Peng i Vullnetit Politiko-Akademik

Sep 20, 2020 | 13:19
SHPËRNDAJE

Edmond Çata PhD

edmond-cata

Arsimi i Lartë dhe Universitetet kanë mbetur Peng i Vullnetit Politiko-Akademik.  Pata shkruar ca ditë më parë se ata që kanë shkruar për arsimin e lartë dhe universitetet i kanë dhënë më shumë rëndësi kritikës narrative sesa identifikimit të shkaqeve dhe modeleve reformues si për sistemin në tërësi ashtu edhe për universitetin si tulla bazë e sistemit. A është në fakt kjo arsyeja e vetme e gjendjes së arsimit të lartë dhe universiteteve? Modeli, debati rreth tij, pa dyshim që kanë rëndësi! Por vetëm ato nuk mjaftojnë për ndryshimin real të gjendjes!

Një nga mësimet e 30 viteve të fundit është ky: Pa një vullnet politiko-akademik për reformë reale, ndryshimi nuk ka gjasa të ndodhë! 20 vite më pare, në shkrimin “Reforma dhe Bashkëpunimi Qeveri-Universitete,” në gazetën Shekulli të datës 6 Qershor 2003, kam thënë se ndryshimi real në arsimin e lartë dhe universitete varet nga fakti se cili tip, nga 4 kombinacionet e mundshme, midis “vullnetit” (ka apo nuk ka) dhe të Diturit (tamam apo fals), karakterizon qëndrimin e qeverisë dhe të universiteteve. 30 vitet e fundit treguan se as qeveritë, as universitetet, nuk kanë treguar vullnet për reformë.

1-PËRSE QEVERI DHE UNIVERSITETE PA VULLNET PËR REFORMË REALE?

Nga 1990 deri 2020 universitetet janë drejtuar nga një grusht personash që kanë ricikluar njëri-tjetrin ndërsa cilësia në kërkim shkencor dhe mësim-dhënie vetëm ka rënë. Përfaqësuesi më tipik i kombinimit riciklim+degradim është Dhori Kule, i cili deri në 2024 plotëson 40 vjet si drejtues në UT. Pavarësisht caktimit me zgjedhje, drejtuesit e universiteteve nuk shfaqën asnjëherë vullnet për të inicuar një reformim nga brënda të universitetit. Përkundrazi, drejtuesit i kthyen universitetet në vende rehatie lidhjesh familjaronepotike dhe klientelizmi politiko-financiar. Shprehja më e fundit e mungesës së vullnetit akademik për reformë qe refuzimi i bërjes së një vetingu real akademik, apo edhe injorimi i VKM-ve Rama që kërkonin “verifikim” të kredencialeve të profesoratit dhe veprimtarisë së tyre akademiko-shkencore. Po nga 1990 deri 2020 Shqipëria ka provuar 18 qeveri, 10 Kryeministra, 14 Ministra Arsimi. Për 26 vjet qeveritë më të rëndësishme, me 1-2 mandate, që kanë përcaktuar fatin e arsimit të lartë dhe universiteteve, kanë qënë ato të Ramës 8 vjet (2013- 2021), Berishës 8 vjet (2005-2013), Meksit 6 vjet (1992-1997), dhe Nanos 4 vjet (2002-2005). Të majta apo të djathta, e përbashkëta e tyre është një: Gjëndja njësoj skandaloze e arsimit të lartë dhe universiteteve edhe pas 26 viteve! Nga ana institucionalo-organizative, universitetet, me në krye UT, vazhdojnë brënda modelit sovjetik. Nga ana infrastrukturore, universitete quhen ca ndërtesa të amortizuara. Nga ana e zhvillimit institucional dhe akademiko-shkencor universitetet kanë mbetur në dorën e drejtuesve dhe të një profesorati pa cilësi në mësimdhënie dhe kërkim-shkencor, të paaftë metodologjikisht për tu bërë pjese e qarqeve dhe debatit shkencor ndërkombëtar, por ama shumë të “aftë” në klientelizëm politiko-akademik, nepotizëm, klanizëm akademik.

Gjendja sot tregon pra se në 26 vite, qeveritë ose nuk kanë patur fare vullnet politik (Nano, Meksi), ose edhe kur kanë “treguar vullnet”, ai nuk është investuar për ndryshim dhe reformim real (Rama, Berisha). Vullneti Politik nuk shprehet me fjalë. Ai duket në 7 elementë: 1) në Vizion, dmth nëse ke apo jo një vizion për arsimin dhe universitetet; 2) në Ministrin e Arsimit që vendos, dmth nëse vendos personin e duhur apo thjesht emrin e radhës; 3) në Ligje, dmth nëse kuadri i ri ligjor i hap udhë të resë apo riciklon të vjetrën; 4) në Politikat për arsimin e lartë dhe universitetet, dmth nëse përmbajtja e politikave është apo jo cilësore dhe udhëhiqet apo jo nga know-how korrekt, nga fryma reale reformuese; 5) në Njerzit që angazhon, dmth, nëse ata janë apo jo me vizion, know-how, dhe mendësi vërtet reformuese, 6) në Resurset Materiale dhe Financiare që vë në dispozicion, dmth nëse financimi apo buxheti për reformë dhe ndryshim plotëson apo jo nevojat, dhe 7) në Modelin Reformues që aplikon, dmth nëse modelet reformuese daç për sistemin në tërësi, daç për universitetin si njësi, janë origjinale dhe bazohen në know-how korrekt apo përfaqësojnë një bastardim alla-shqiptar të modeleve perëndimore, ripaketojnë në emër të “reformës së re” po të njëjtët elementë të së vjetrës, dhe reflektojnë interesa grupesh apo individësh të caktuar.

Një analizë e qeverive Rama, Berisha, Nano, Meksi në këto tregues tregon se asnjë prej tyre nuk ka treguar vullnet politik të vërtetë. Në këtë shkrim, mungesën e vullnetit politiko-akademik po e shoh vetëm tek Vizioni dhe Ministrat e Arsimit.

2-PËRSE QEVERI DHE UNIVERSITETE PA VIZION? Ç’vullnet egziston për një reformë dhe ndryshim real fillon dhe duket që me vizionin që ke! Vizioni ka të bëjë me vështrimin perspektiv që një lider politik, qeveria e tij, apo drejtuesi i universitetit kanë për arsimin e lartë dhe universitetin. Vizioni është zanafilla e gjithshkaje që bëjnë apo nuk bëjnë qoftë lideri politik si kryeministër qoftë vetë drejtuesit e universiteteve. Por një vizion i tillë ka 30 vjet që mungon si tek universitetet ashtu edhe tek qeveritë. Dhe kur nuk ke një vizion ku dëshëron apo mendon ta shohësh arsimin e lartë dhe universitetet në perspektivë, është e vështirë të kesh një vullnet real! Tek universitetet, prova e mungesës së vizionit janë 2 fakte: që në këto 30 vjet, asnjë nga drejtuesit e universiteteve tona, sidomos atyre të UT, nuk ka shfaqur publikisht, le më të avancojë materialisht, ndonjë vizion për një universitetin e vet; dhe fakti që sot, të gjithë universitetet kanë të njëjtën fytyrë, përfshi këtu edhe UT. Shkurt, “vizioni” i drejtuesve të universiteteve për universitetin në këto 30 vjet ka fytyrën e gjëndjes së sotme skandaloze! Zgjedhjet e fundit në Universitete treguan që drejtuesit e rinj të zgjedhur të universiteteve, përfshi UT, janë po aq pa vizion sa edhe gjithë skota e drejtuesve të mëparshëm. “Fushatat” e tyre ishin identike me fushatat e mëparshme të zgjedhjeve të drejtuesve! Por akoma më e rëndësishme ka qënë mungesa e vizionit për arsimin e lartë dhe universitetet tek lidershipi dhe elita politike. Sidomos kur vizioni politik ka qënë dhe mbetet akoma edhe më i rëndësishëm se vizioni akademik. Esenca e vizionit politik për arsimin e lartë dhe universitetet mund të përmblidhet në një numër pyetjesh që e “mundojnë” liderin politik së brëndëshmi, që “mezi pret ti japë drejtim” në momentin që bëhet kryeministër: Ku i sheh universitet shqiptare në 15-20 vitet e ardhshme? Po të njëjtët që janë sot  apo të distiluar në numër? Me frymëmarrje lokale, kombëtare, rajonale, nepotiko-stanjativ apo meritokratiko-dinamik? Të mbyllur apo të hapur ndaj konkurrencës kombëtare dhe ndërkombëtare?

Të barabartë apo të diferencuar në peshë, financim, imazh, profil, mision? Ku e sheh sistemin e arsimit të lartë? Do të vazhdojë të jetë një amalgamë pseudo-universitetesh apo do ti nënshtrohet konkurrencës dhe meritës? Do të vazhdojë të ofrojë arsim fals apo cilësor dhe të dobishëm për individin, tregun, shoqërinë, shtetin, rajonin? Do të vazhdojë pa një universitet lider apo do të ketë në krye një lokomotivë të fuqishme? Do vazhdojë të vegjetojë mes standartesh fiktive që nuk respektohen apo do ti shëndrrojë standartet dhe respektimin e tyre në pasaportën e vetme të qytetarisë akademiko-shkencore dhe universitare? Ku e sheh Universitetin e Tiranës, si institucioni më i vjetër, në 15-20 vitet e ardhshme? Do vazhdojë të mbetet i copëzuar, në degradim, në dorë të filistinëve dhe feudalëve universitare apo do të shëndrrohet në një institucion model organizimi dhe funksionimi, një lokomotivë cilësie dhe standartesh?

Do vazhdojë të mbetet lodër dhe valvul shkarkimi në duart e politikës, qeverisë së ditës, pseudo-universitarëve, apo do shëndrrohet në një institucion universitar me të vërtetë të pavarur? Qeveritë Meksi dhe Nano as patën, as u përpoqën të tregonin se kishin një vizion. Ishin të tjera kohëra, Meksi dhe Nano kishin të tjera “halle”. Të dy treguan se asnjë nga pyetjet më sipër nuk ishin pjesë as e “shqetësimeve” si lider politik as edhe e axhendës së tyre kryeministrore! Berisha dhe Rama si lidera politikë u dukën sikur vinin me një vizion për arsimin e lartë dhe si kryeministra do të përpiqeshin të adresonin pyetjet më sipër.

Në të vërtetë, vizioni i tyre, më shumë se vizion i të ardhmes, rezultoi një vizion i lidhur me interesa dhe grupe të caktuara. Si Berisha, si Rama e barazuan vizionin me “të marrurin me sistemin.” Pra, nuk u morën fare me “rrënjën katrore”, me tullën bazë të sistemit, universitetin! “Vizioni” i Berishës mbahet mënd për copëtimin e UT në disa pseudouniversitete, për lejimin e pseudo-universiteteve private që korrnin para në këmbim të arsimit dhe diplomave false, për kompromentimin e nocionit të pavarësisë së universitetit, si dhe për masivizimin pa kriter të arsimit të lartë në të tre nivelet, Bachelor, Master, Doktoral. Vizioni Rama, ishte ai i etatizmit centralizues, trajtimit njësoj të universiteteve private dhe shtetërore, klientelizmit politiko-universitar, kompromentimit dhe aplikimit në mënyrë të bastarduar të nocioneve “model” dhe “pavarësi”, si dhe propagandës që dështimet e reformës i shet për suksese! Por një vizion i vërtetë reformues nuk duket gjëkundi tek asnjë parti politike. Deri në zgjedhjet e Prill 2021, partitë supozohet të “konkurrojnë” e shpalosin politikat për arsimin e lartë dhe universitetet.

Deri tani të gjitha partitë, në qeverisje apo në opozitë, vërtiten rreth të njëjtës këngë, nuk kanë treguar asnjë vizion të ri. Qeveria Rama vjen me barrën e reformës së dështuar, pakënaqësinë e studentëve, dhe Paktin e Universitetit që nuk zgjidhi asnjë problem real. Nuk mund të them nëse një “Rama 3” do të shfaqë një vizion më të “kolauduar”! Rama ka treguar se është i paparashikueshëm, si për mirë, si për keq. Por deri tani, me aq sa ka treguar, merr notë ngelëse! Opozita PD dhe LSI që pretendon të marrë qeverisjen është akoma edhe më keq. Vizioni i tyre për arsimin e lartë dhe universitetet është jo thjesht “ngelës” por krejtësisht inegzistent! 3-PËRSE REKTORË FEUDALË, MINISTRA DËSHTAKË? Ç’vullnet egziston për një reformë dhe ndryshim real duket edhe me njërzit që vendosen në krye të universiteteve apo Ministrisë së Arsimit. Rektorët dhe Ministrat e Arsimit janë të rëndësishëm jo vetëm se janë shprehje direkt e vullnetit politik të kryeministrit të ditës dhe qeverisë së tij por edhe të gadishmërisë që qarqeve akademiko-universitare për reformim.

Ministri i Arsimit supozohet të formatojë dhe avancojë politikat e qeverisë për arsimin e lartë dhe universitetet; ndikon dhe përcakton sa real dhe seriozë përfundojnë të jenë vetë procesi i reformimit dhe ndryshimet! Rektori i universitetit supozohet ti ofrojë Ministrit të Arsimit çfarëdolloj ekspertizë teknike të fushës që Ministria, apo agjencitë e saj mund të mos arrijnë ta mjeshtërojnë dot! Pra, në kontekstin e vullnetit për reformë dhe ndryshim real, Ministri i Arsimit dhe Rektori i Universiteti, që bartin një mendsi vërtet reformuese, janë komplementarë, jo rivalë me njëri-tjetrin! Ndaj nëse vendos një Ministër Arsimi, apo Rektorë Universitetesh, që nuk kanë mëndësi reformuese, kjo një tjetër provë e mungesës së një vullnet real për reformë dhe ndryshim! Në Universitete, sa “reformues” ka qënë vullneti, mund të shihet edhe në listën dhe rezultatet e rektorëve që i kanë drejtuar ato.

Rektorët e universiteteve shqiptare marrin notë ngelëse në mos për ndryshimet në aspektin institucional dhe organizativostrukturor, sepse kjo gjë varet nga dhe kërkon një angazhim nga qeveria, të paktën për ndryshimet në aspektin akademiko-shkencor, një domen ky ndryshimesh tërësisht në dorën e tyre por që ata nuk bënë azgjë për të ndaluar rënien e cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor! Po të bëhet një sondazh për emrat e Rektorëve nga 1990 deri sot, që kanë arritur të zhvillojnë dhe bëjnë më të mirë universitetet që kanë drejtuar, gjasat janë që njerzve të mos iu bjerë në mënd asnjë emër. Përkundrazi, njerzit mbase mund të mbajnë mënd më mirë emrat e atyre Rektorëve që e kanë mjelur universitetin për veten, familjen dhe fisin e tyre, klanet dhe klientelën akademiko-politiko-financiare, dhe që i rrënuan fare. Njerzve mbase mund t’ju bien në mënd emra si Marenglen Spiro, Shezai Rrokaj, Dhori Kule, Mynyr Koni, Arben Gjata, Mit’hat Mema, Përparim Hoxha, Jorgaq Kaçani, Bahri Musabelliu, meqë shpesh këta kanë qënë qëndra e skandaleve nëpër universitete, por vështirë se mund ti asociojnë këta emra me një universitet të zhvilluar dhe të përmirësuar në të gjitha aspektet e tij.

Njerëzit madje mund të mos mbajnë fare mënd Tanush Shashkën, të vetmin ish Rektor të Universitetit të Vlorës, të ardhur nga SHBA gjatë Qeverisë Berisha, me frymw dhe akte vërtet reformuese, dhe të detyruar po nga Qeveria Berisha të japë dorëheqjen dhe kthehet mbrapsht në SHBA. Shkurt, nga 1990 e deri sot universitetet shqiptare janë “drejtuar” nga njerëz pa ideal universitar, pa asnjë lloj guximi akademiko-qytetar. Kësisoj, me kësi lloj drejtuesish, universitetet shqiptare nuk kishin se si të reformoheshin dhe ndryshonin realisht! Edhe Rektorët e zgjedhur së fundi, duke filluar me Rektorin e UT, nuk japin shpresë se në universitetet shqiptare do të ndryshojë ndonjë gjë! Por tabloja bëhet akoma më katastrofike po të shohësh Ministrat që kryeministrat vendosën për Arsimin! Emra të harruar që nuk i kujton njeri! Por që kanë varrosur ama arsimin e lartë dhe universitetet pikërisht pse rezultati i tyre ka qënë një zero me xhufkë të madhe!

Nga 1990 deri 2020, arsimi i lartë dhe universitetet nën “dorën menaxhuese” të 14 Ministrave nuk u përmirësua por u  përkeqësua! Protestat studentore të Dhjetorit 2018 konfirmuan dështimin e të gjithë qeverive dhe ministrave të arsimit, jo vetëm të “skuadrës” Rama-Nikolla-Shahini! Ministri më jetëgjatë në detyrë është ministrja socialiste e Qeverisë Rama, Lindita Nikolla, me 64 muaj (Shtator 2013-Dhjetor 2018). Dy ministra të tjerë të qeverive të majta me kohë të konsiderueshme në detyrë janë Ethem Ruka, me 50 muaj (Korrik 1997- Shtator 2001), Luan Memushi, me 44 muaj (Shkurt 2002-Shtator 2005) dhe Besa Shahini, me 22 muaj (Dhjetor 2018-Shtator 2020). Nga qeveritë e djathta, ministrat më jetëgjatë në detyrë janë Myqerem Tafaj, me 48 muaj (Shtator 2009-Shtator 2013), Genc Pollo, me 48 muaj (Shtator 2005-Shtator 2009), dhe Xhezair Teliti, me 39 muaj (Prill 1993-Korrik 1996).

Pra gjendja e arsimit të lartë dhe universiteteve në Shqipëri është rezultat i asaj që kanë bërë ose nuk kanë bërë 7 ministra. Sa për gjysmën tjetër të 14 Ministrave të Arsimit, si Ylli Vejsiu, Edmond Lulja, Maqo Lakrori, Ben Blushi, Alfred Pema, Kastriot Islami, dhe Luan Skuqi, nuk ia vlen fare të merrësh me ta sepse në krye të arsimit kanë qënë “tranzitivë”, nga 3 deri në 12 muaj si Ministra Arsimi. Evis Kushi është ministrja më e fundit “tranzitive”, 8-mujore, që Rama i dhuroi arsimit të lartë dhe universiteve. Disa kanë qënë ministra në 2-3 qeveri. Ethem Ruka ka qënë Ministër i Arsimit në Qeveritë Meta (1999-2001), Majko (1998- 1999), dhe Nano (1997-1998). Luan Memushi ka qënë ministër në Qeverinë Majko (2002) dhe Nano (2002-2005). Disa kryeministra kanë ndërruar disa ministra. Nano pati 4: Maqo Lakrorin (1991), Kastriot Islamin (1991), Ethem Rukën (1997-1998), Luan Memushin (2002-2005). Rama përfundoi me 3: Lindita Nikollën (2013-2018), Besa Shahinin (2018-2020), Evis Kushin (2020-2021); Meksi pati 3: Ylli Vejsiu (1992-1093), Xhezair Teliti (1993-1996), Edmond Lulja (1996-1997).

Berisha pati 2: Genc Pollon (2005-2009) dhe Myqerem Tafaj (2009-2013). Kur shikon Ministrat e Arsimit, dështimin e tyre për të modernizuar arsimin e lartë, gjëndjen e universiteteve sot, pyet: Pse këta ministra e katandisën arsimin e lartë dhe universitete në këtë derexhenë e sotme? Nuk merrnin vesh nga arsimi? Nuk kishin asnjë ide apo model reformues në kokë? Nuk iu interesonte ndryshimi? Nuk u lejuan të bënin ndryshimin? E panë postin thjesht si plotësim të egos për të qënë “dikushi”, si “shpërblim” që duhej “shpërblyer prapsht” dhe jo meritë dhe mundësi për të bërë vërtet diçka ndryshe për arsimin, universitetin, studentin, shoqërinë, vendin? Apo ata dështuan sepse kryeministrat që i vunë as që e kishin arsimin e lartë dhe universitetet në referne, nuk kishin vullnet për reformimin dhe ndryshimin real të tyre, dhe kësisoj, rezultati i punës së tyre si ministra arsimi ishte i parashkruar? OK, mund të kuptohet dështimi i Lindita Nikollës, Besa Shahinit, Genc Pollos, Luan Memushit!

Këta persona ishin të destinuar të dështonin sepse kishin pak ose aspak lidhje me arsimin e lartë dhe universitetet! Por çfarë mund të shpjegojë dështimin e Ethem Rukës, Myqerem Tafaj, apo Xhezair Telitit? Të cilët, pavarësisht dallimeve në backgrounding politik, supozohet se kishin njohuri, eksperiencë, dhe ekspertizë të mjaftueshme në çështjet e arsimit të lartë dhe universiteteve? Përgjigja mund të ishte me e thjeshtë nga çfarë mund të imagjinohet. Si i “dituri” Ethem Ruka, si “i palexuari” Luan Memushi dështuan sepse të dy si Ministra ishin shprehje dhe materializim praktik i mungesës së vullnetit të Fatos Nano. Ndonëse vinte nga bota universitare, Nano nuk u ul qoftë edhe një ditë të vetme të mendonte seriozisht për arsimin e lartë dhe universitetet. Kur kam qënë student në SHBA, kam tentuar ta takoj Nanon për të parë interesin e tij për reformimin e arsimit të lartë dhe universiteteve! Përgjigja erdhi me gojën e Agim Isakut, ish këshilltarit të tij dhe shprehimisht ishte ne nuk kemi ndonjë plan të bëjmë ndonjë gjë për arsimin. Kështuqë, nëse Nano kryeministër nuk donte, përse të “lëvizte” Ethem Ruka të ndryshonte gjëndjen? Nëse Nano nuk kish asnjë vullnet për reformë reale, pse duhej të çante kokën Luan Memushi, i cili, ndonëse ka qënë ministri i arsimit më i palexuar i Nanos qëndroi plot 44 muaj si ministër? E ç’rëndësi kishte fakti që Luan Memushi as që ia kishte idenë ç’përfaqësonte Procesi i Bolonjës? Që nuk kuptonte se Bolonja nuk ishte “model”, por një “exchange office” në fushën e arsimit? Se reformimi i arsimit të lartë dhe universiteteve në Shqipëri nuk duhej bërë për shkak të Bolonjës por pavarësisht Bolonjës? Pra, se reformimi ishte një nevojë e brendshme, një imperative i kohës? E njëjta histori e ngjashme është edhe me rastet e Genc Pollos dhe Myqerem Tafaj.

Genc Pollo e kish të garantuar dështimin si ministër jo vetëm sepse vetë ishte inkompetent në fushën e arsimit të lartë dhe universiteteve, por edhe se vetë Berisha nuk kish as vullentin real, as mëndjen që të bënte një reformim të vërtetë të arsimit të lartë dhe universiteteve. Matura e famshme shtetërore, që sot shërben si një elementët hyrës në universitet, për të cilin zihemi sot, dhe që ka pjellë situata si ajo e “Turit”, është produkt i injorancës në çështjet e arsimit të Genc Pollos, mendësisë së tij për ti bastarduar modelet e huaja në aplikimin e tyre në realitetin shqiptar, dhe zakonit tonë për të mos i zgjidhur problemet tamam por për ti mballosur alla-shqiptarçe. Por nuk mund të thuash të njëjtën gjë për dështimin Myqerem Tafaj.

Padyshim që edhe ky hyn në radhën e ministrave që nuk arritën të modernizonin arsimin e lartë dhe universitetet, dhe që në vënd ta përmirësonin atë përkundrazi, i shtuan problemeve të vjetra probleme të reja! Por në raport me Genc Pollon, Myqerem Tafaj ishte jo vetëm më familjar me çështjet e arsimit të lartë dhe universiteteve, por edhe vetë kishte patur një first-hand experience në universitetet gjermane. Myqerem Tafaj ishte një ndër të parët që u morën me arsimin brënda KOP-it.

Kur Pollo u bë ministër, dhe u bë për arsye tërësisht politike, Myqerem Tafaj, u bë Këshilltar i Berishës për Arsimin. Ngaqë si ai, edhe unë, kemi qenë ndër zërat e parë në vitet 2000 që kemi shkruar për arsimin e lartë dhe universitetet, kur ai ishte Këshilltar i Berishës e kam takuar në Kryeministri, në një takim që ndoshta mund ti kujtohet edhe sot, dhe e kam pyetur: Ç’po bën me idetë reformuese që kemi artikuluar publikisht? Jemi ndarë duke më thënë: me Genc Pollon ministër, nuk kam gjë në dorë! Por Myqerem Tafaj, në mandatin e dytë të Berishës, u bë vetë Ministër i Arsimit, pra tani, kishte “edhe gurin edhe arrën në dorë”.

Por pikërisht atëherë ku ai u bë ministër, kur mori pra fuqi të kthente në realitet shumë prej ideve që pati artikuluar ai dhe unë bashkë, Myqerem Tafaj humbi fare. Harroi çfarë kishim thënë jo më larg se 6 vite më parë. Si ministër, vërtet gjeti në realitetin e përditshëm katrahurën që shkaktoi Genc Pollo. Por vetë ai as u përpoq jo vetëm të materializonte idetë për të cilat kishim shkruar dhe dokumentuar në media, por nuk u përpoq as edhe të pengonte përhapjen e së keqës që i kish rrënjët nga bëmat Pollo. Shkurt, me apo padashje, edhe Myqerem Tafaj, shkoi drejt dështimit si ministër i arsimit. Shpjegimi është i thjeshtë. Myqerem Tafaj  dështoi jo se nuk donte të reformonte arsimin e lartë dhe universitet.

Dështoi sepse Berisha nuk kishte as vullnetin, as mëndjen të bënte atë që duhej. Nga pozita e ministrit, kur pa se idetë dhe dëshirat e tij nuk kishin pikë vlere për Berishën, kur pa se ai ishte vënë Ministër Arsimi, por më i fuqishëm se ai ishte autoritarizmi absolut i Berishës, kur pa se arsimi i lartë dhe universitet u morën peng deri lart tek vetë Berisha nga grupe të vockla që e shihnin universitetin si një biznes dhe lopë që mund të prodhonte para pa fund Myqerem Tafaj, i hapi rrugë urdhërave të Berishës, i hapi udhë kërkesave të grupeve të biznesit, harroi këdo si unë me të cilët kish “luftuar” për arsim dhe universitete modern, dhe thjesht vendosi të konsumojë mandatin e tij si ministër deri ditën që do ti vinte fundi!  Shpjegimi i dështimit të ministrave të arsimit në rastin e “skuadrës” Rama-Nikolla-Shahini-Kushi është unik! Meksi, Nano, Berisha vërtet nuk kanë patur vullnet për reformim dhe ndryshim real në arsimin e lartë por ama kanë patur për ministra njerëz me njohuri të mira në arsim, si Xhezair Teliti, Ethem Ruka, apo Myqerem Tafaj. Të cilët, po të kishin patur vullnetin dhe mbështetjen reale nga kryeministri i ditës mbase do të kishin patur një rezultat të ndryshëm.

Në rastin e qeverisë Rama, dështimi i ministrave të tij të arsimit e ka origjinën jo vetëm tek mungesa e vullnetit real të Edi Ramës për të bërë atë që duhej, por edhe tek vetë paaftësia dhe injoranca në çështjet e arsimit të lartë dhe universiteteve të Lindita Nikollës, Besa Shahinit, dhe Evis Kushit. Që të tre emrat kanë qënë zgjedhje personale e Ramës. Por që të tre emrat, janë vënë në krye të arsimit për motive që vetëm me arsimin nuk kanë lidhje. Të vësh mësuesen Lindita Nikolla me mesatare 5.8 të merret me arsimin e lartë dhe universitetet, vetëm Edi Rama mund të tregojë të vërtetën përse. Të vësh Besa Shahinin Ministre të Arsimit, thjesht si “paradhënie” dhe në funksion të të bërit show idesë së bashkimit Shqipëri-Kosovë, kjo më e pakta tregon që për ty si kryeministër nuk ka fare rëndësi fati dhe cilësia e arsimit të lartë dhe universiteteve por ka më shumë rëndësi “buja” dhe publiciteti që do shkaktojë zgjedhja jote!

Të vësh Evis Kushin ministre të arsimit, me ato kredenciale të dyshimta që ka në jetëshkrimin e vet akademiko-profesional të publikuar nga vetë partia socialiste dhe plagjiaturën e provuar publikisht, kjo është jo vetëm tallja më e fundit, dhe ishalla qoftë e fundit, që Rama ka bërë me arsimin e lartë dhe universitetet. Mungesa e vullnetit tek Rama është edhe garancia që Evis Kushi siç ka ardhur në mënyrë anonime, ashtu edhe do të shkojë, po anonime! Ministrat e Arsimit të Edi Ramës e kanë patur dështimin të shkruar në ballë edhe për një arsye tjetër. Kjo arsye ka të bëjë tërësisht dhe krejtësisht me konceptin autoritarist që Edi Rama ka për postin e Kryeministrit, Qeverisë, dhe Politikë-Bërjes dhe zgjedhjet tërësisht personale që bën. Shumica e ministrave të tij janë gra, por janë Ministra jo për meritë të tyre sesa si zgjedhje personale e Ramës.

Ndonëse Rama i justifikon zgjedhjet e grave ministre me “barazinë gjinore” ky justifikim në fakt fsheh të tjera gjëra. Piktor për nga backgroundi, Edi Ramës i mungon ai bosht i fortë që i nevojitet një kryeministri në çështjet që kanë të bëjnë me politikat publike dhe politikë-bërjen. Mungesën e aftësisë për të kuptuar problemet dhe zgjidhjet në fushën e politikave publike, dhe frikën nga njerëz që nuk ia përtojnë ti tregojnë kufijtë e padijes së tij, që kanë kurajon dhe superioritetin në ekspertizë për të kundërshtuar gafat e tij, Edi Rama kryeministër e ka mbuluar me rrethimin e vetes me gra të cilat ai e di se nuk ka shanc ti ngrenë zërin, ta kundërshtojnë, ta vënë në siklet, apo të ndihet i zbuluar në boshllëqet që ka.

Sepse ai e di që komunikimi i tij arrogant, imponues, përçmues ndaj detajit, dhe shtrëmbërues i faktit të papëlqyeshëm për të, nuk sukseson dot me persona me integritet dhe profesionalizëm. Në politikat publike, Rama e di që ka më shumë gjasa të suksesojë nëse përballë vetes do të ketë gra të paafta por që drithërohen kur në telefon iu del numri i “shefit”, gra që janë “yes-woman”, gra që janë të ndërgjegjshme për promovimin prej tij, gra që nuk e vënë asnjëherë në dyshim se jetëgjatësia e tyre në politikë apo si ministre është tërësisht një teke apo ëndrre nate e Edi Ramës.

Në rastin e dështimit të Besa Shahinit, një shpjegim për dështimin e saj është mungesa e njohjes nga ajo të çështjeve që kanë të bëjnë me arsimin e lartë dhe universitetet. Por dështimi dhe dorëheqja e detyruar e Besa Shahinit mund të shpjegohet edhe me dallimin e saj nga koleget e tjera ministre në komunikimin me Kryeministrin Rama. Duke mos pranuar as stilin, as zhargonin, as stilin propagandistic të Ramës, Besa Shahini ka mbyllur një kapitull edhe ashtu të palavdishëm për të. Dhe për ne!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura