Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se është ndaluar personi i katërt i përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt mbrëmjen e 29 nëntorit.
Rastin për Indeksonline e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.
“Me urdhër të prokurorit të rastit është ndaluar i dyshuari i katërt në rastin e vrasjes së rëndë, për shkak të veprës penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armeve apo materieve plasëse“, sipas KPRK-së”, ka thënë ajo.
“Brenda afatit ligjor, prokurori do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit“, shtoi Ulaj.
Zbulimi i krimit
Ditën e premte, 1 dhjetor, ai i dha lamtumirën nënës së djemve të tij duke i organizuar edhe ceremoninë mortore në fshatin e tij në Cërmjan të Gjakovës.
Naim Murseli, priti dhe përcolli me dorën në zemër miq, të afërm e familjarë të tyre, që shkuan për ngushëllime, si edhe shoqëroi kortezhin drejt banesës së fundit të Liridona Murseli.
Por vetëm disa orë pas ceremonisë së varrimit të 30-vjeçares, Naim Murseli u vendos në pranga së bashku me bashkëfshatarin e tij, Granit Plava dhe nipin, Kushtrim Kokolla, pjesëtar i Forcave Speciale të Kosovës.
Ndërkohë është gjetur arma e krimit me të cilën dyshohet se u vra Liridona Murseli, si edhe makina e përdorur nga autorët.
Ende nuk dihet roli i anëtarit të FSK, Kushtrim Kokalla në ngjarjen e rëndë, që dyshohet se u porosit nga daja i tij.
Liridona, me kërkesë të familjes, u zharros nga Gjakovë dhe u rivarros sërish në fshatin e saj.