Konsiderohet një nga emrat më të përfolur në dy shtete për shkak të aftësisë së tij për t’u arratisur nga burgjet.

Jo vetëm për shkakun se ai ia dilte gjithmonë të arratisej, po madje edhe të fitonte mbi drejtësitë e vendeve që e ndëshkonin. Por rasti i fundit kur ai u arrestua për hir të një urdhërarresti të ardhur nga Italia, duket se e ka bindur Ilir Pajën për të pritur vendimin e Apelit, i cili përfundimisht i hap rrugë ekstradimit të tij drejt vendit fqinj. Paja, i quajtur ‘ufo’, u arrestua me bujë të madhe në Tiranë, ndërkohë që në fakt ai ishte i lirë dhe se nuk i druhej asnjë arrestimi, pasi i kishte mbyllur llogaritë me drejtësinë shqiptare. Por Paja, pasi u vu në pranga e apeloi vendimin e Shkallës së Parë të gjyqësorit, pasi ai nuk e kuptonte arsyen e arrestimit, pasi sipas tij ai nuk kishte asnjë problem me drejtësinë italiane, por ai u la në burg dhe tashmë pritet që të arrestohet. Apeli i Tiranës ka shpërndarë ditën e djeshme edhe vendimin që është marrë mbi rastin e ‘ufos’ dhe akuzave ndaj tij prej drejtësisë italiane.
Vendimi i Apelit
Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në “Arrest në burg” me afat 40 ditë për Ilir Pajën, i njohur me nofkën ‘UFO”, i shumëkërkuari nga drejtësia italiane, i dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe rrëmbim personi. Pavarësisht kërkesës së këtij të fundit për ndryshim mase nga burg në “detyrim paraqitje”, Gjykata e ka refuzuar duke e lënë në burg. “Më datë 03.11.2022, nga ana e punonjësve të Drejtorisë Vendore Tiranë, është bërë arrestimi i shtetasit me iniciale I.P., për qëllim ekstradimi mbi bazën e vendimit penal të dhënë nga Gjykata e Milanos, Itali, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga ligji italian.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ‘arrest në burg’, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale I.P., për efekt ekstradimi. Me vendimin nr. 2324, Akti, datë 05.11.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi:
– Vlerësimin si të ligjshëm të arrestit të shtetasit me iniciale I.P. – Caktimin si masë sigurimi personal ndaj shtetasit I.P., “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 283 dhe 495 të K.Pr.Penale, lidhur me procedurat e ekstradimit në Itali.
Çështja u shqyrtua në Gjykatën e Apelit mbi bazën e ankimit të bërë nga shtetasi me iniciale I.P., i cili kërkoi ndryshimin pjesërisht të vendimit, caktimin e masës së sigurimit personal atë të “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Në përfundim të gjykimit Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga gjyqtare znj. Emona Muçi, me vendimin nr. 1026, datë 24.11.2022, referuar edhe nenit 494 pika 6 të Kodit Procedurës Penale, vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 2324 akti, datë 05.11.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tirane, duke i caktuar personit të arrestuar masën e sigurimit personal ‘arrest në burg’ me afat 40-ditor.
– Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit”, thuhet në vendim.
Ishte njësia speciale FAST Albania, që e arrestoi në një lokal në Laprakë. 49-vjeçari nga Berati mendohet të jetë strehuar për një kohë të gjatë te disa të afërm të tij në këtë zonë të Tiranës. Gjatë arrestimit, Policia i sekuestroi dhe një shumë prej 5 mijë eurosh. 3 muaj i janë dashur Policisë të vërtetojë se personi që mbanin në përgjim, ishte i shumëkërkuari nga drejtësia italiane, i dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe rrëmbim personi.
© Panorama.al











