ANALIZA/ “Letra e dy profesorëve arbëreshë për BE”- Visar Zhiti: Si Shqipëria diktatoriale e vrau Europën e shqiptarëve. Shkresa e Enverit pas pushkatimit të intelektualëve

Jun 8, 2020 | 13:46
SHPËRNDAJE

visar zhitiNga Visar Zhiti

Dy profesorë në Itali, para jo shumë ditësh, gjatë mbylljes globale nga shkaku i pandemisë së CoronaVirusit, mes atyre shqetësimeve dhe alarmit, krizës shëndetësore botërore, ku Italia e pati mjaft të rëndë dhe jo vetëm, kur dukej se po shpërthenin dhe nacionalizmat, mbylljet e kufijve dhe po jepeshin shenjtat e frikshme të një mënjanimi dhe ndarjeje dhe atavizmat e një rreziku të totalitarizmit, sidomos në Shqipërinë e gatshme për çdo përkeqësim, dërguan një letër plot urtësi dhe dinjitet… dhe kujt? Europës, qytetarë të së cilës ata dhe janë.

Guximi intelektual, bukuria e kësaj letre, apeli që ata bënin, kushtrimi – thënë me shqipen e hershme, pati dhe përgjigje po aq të bukur, diplomatike ndërkaq, nga vetë Europa.

Profesorët që dërguan letrën janë Matteo Mandalá, nga Katedra e Albanalogjisë në Universitetin e Palermos në Siçili dhe Francesco Altimari nga Katedra e Albanalogjisë në Universitetin e Kozencës në Kalabri, të dy akademikë të njohur për punën e tyre shkencore dhe humane, për arritjet e shkëlqyera në fushën e studimeve dhe të botimeve, në gjuhësi, letërsi, traditë, në modernitetin antropologjik të tyre, po kështu dhe veprimtarë të palodhur të kulturës, rilindas modernë, që sensibilizuan kolegë dhe intelektualë, por dhe vetë Europën në qendrën e saj drejtuese, në Bruksel, se letra i drejtohej Komisionit Europian dhe ishte në vëmendje të zonjës Ursula von der Leyen, prej së cilës, të ngarkuarit nga ajo, dhanë dhe përgjigje, që ashtu si vetë letra, duhet të gëzojë dhe të vërë në mendime çdo shqiptar. Aq më tepër që përmbajtët e tyre lidhen me vendin tonë tani, madje ai është thelbi i tyre, i letrës dhe përgjigjes, por nisma e profesorëve është shembull qëndrimi,  është nxitje e qytetarisë europiane, kumti është udhërrëfyes dhe gjithëpërfshirës.

Profesorët akademikë Mandalá dhe Altimari i drejtohen Europës së Popujve, “E dashur Europë”, – i thonë me aq shumë fisnikëri dhe familjaritet. Kemi marrë shkas, shkruajnë qysh në krye të letrës, nga Shqipëria, “me rastin e nisjes së task-forcës shëndetësore shqiptare në ndihmë të zonave të Italisë më të goditura nga CoronaVirusi”, nga fjalimi kryeministror i Edi Ramës, duke i kërkuar Europës të vazhdojë këtë rrugë “bashkimi e dashurie”.

S’ka si të mos kujtohesh, i nxitur nga kjo letër, që Shqipëria së pari duhet të marrë shembull dhe prej vetes, të njohë virytet e saj dhe të dijë të bashkohet dhe të dojë veten, Europën e Bashkuar, familjen e saj të natyrshme, SHBA-në, aleatin jetik të kombit shqiptar, të mbijetesës, që nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë dhe luftoi për Republikën e Kosovës, mbështetësit vendimtarë të demokracisë dhe të prosperitetit në të dy atdhenjtë tanë.

Qeveritë shqiptare dalin nga shqiptarët dhe janë për shqiptarët dhe të punojnë së bashku për vendin me përkushtim , s’e kam fjalën thjesht për qeveritë në Tiranë e në Prishtinë, por dhe qeveritë që pasojë njëra-tjetrën, ato që vijnë me ato që ikin e që do të vijnë, të njohin arritjet, magësitë e gabimet dhe të dinë të progresojnë, dua të them pozita me opozitën, të dyja janë qeveri, e para në pushtet, që qeveris aktualisht dhe e dyta është pushteti moral.

Ngutem të them, me statusin sublim të qytetarit, që qeveritë tona, që zakonisht marrin karakterin dhe huqet e shefave të tyre, të mos shtiren duke u kujdesur se si do të duken jashtë, ndërsa brenda, ku mungon, jo vetëm mirëkuptimi, se për bashkëpunim vështirë se mund të besosh, por bëjnë prepotentin, kritizerin deri në absurd banal, arrijnë të bëjnë dhe mashtruesin e zgjedhur me votat tona, madje dhe grabitësin, duke mos ndërtuar Shqipërinë, por oligarkinë e saj të pa mëshirshme.

Dhe kështu qeveria që pason, përsërit gabimet e së mëparshmes, kur përsëritja është dhe më e keqe, dora dorës shtohet urrejtja si një luftë klase në kushte të tjera, prapaskenat e interesave të dyshimta, pengesat që i bëjnë njëra tjetrës, kthehen në pengesa për jetën e qytetarëve, pra vetvetes, që quhet Shqipëri. Se opozitat tona, në kohërat e tyre të ndërsjellta, kur Shqipëria bëhej gati të niste negociatat me Këshillin e Europës për pranim, kanë arritur deri aty sa të kërkojnë ndërprerjen, pra mospranimin nëpërmjet një diplomacie trashanike, gjë që ka shkaktuar humbjen e kohës së Shqipërisë dhe të besimit dhe kur kanë marrë pushtetin, në rotacion opozitat kanë kërkuar dhe bërë të kundërtën, pra në të dy rastet kanë qenë jo vetëm me taktika të ndryshme, por dhe strategji të ndryshme nga ato, kur binin në opozitë me atë kur ngriheshin në pozitë.

Dhe kundërshtitë e tyre dukej se kanë konsistuar në këtë: ik ti, ta bëj unë atë që do të bësh ti, pra mjaft, më lërë radhën të përfitoj unë tani. Në këtë rëndomtësi të dëmshëm duket se është katandisur gjendja, duke krijuar zhgënjime gjenerale, indiferentizëm të përgjithshme, inteligjencë të flashkët dhe rritje të varfërisë, pasigurisë dhe ikjeve, që na kujtojnë eksodet e mëdha, ato të ca dekadave më parë, kur diktatura po binte dhe ndërroi sistemi dhe u përftua një diasporë e re që kërkon të pjesëmarrë në jetën e vendit, kërkon të votojë dhe s’mundet, apo ikjet e ca shekujve më parë, kur vendi pushtohej nga perandoria otomane dhe u përftua mrekullia arbëreshe.

Dhe pikërisht arbëreshë janë dy profesorët, Francesco Altimari dhe Matteo Mandalá që i bënë letrën shëmbullore “Europës së dashur”, që i kërkojnë dhe kujdesin për Shqipërinë amë, përfshirjen në gjirin e saj duke nëpërmendur Manifestin e Ventotenes për një Europë të lirë dhe të njësishme dhe hartuesit e tij që gjatë Luftës së Dytë Botërore në internim, federalistët Ernesto Rossi dhe Alfiero Spinelli. Dhe s’ka si të mos më kujtohet mua miku i tyre shqiptar, Zai Fundo, filozofi antifashist, kundështar dhe i Stalinit, me diplomime në Sorbonë dhe në Moskë, i vlerësuar lart nga ideatorët e Europës së Bashkuar, me të cilin konsultoheshin, siç dëshmon diku tjetër  Spinelli, Pra ne paskemi dhe një shqiptar në vegimet e Europës së Bashkuar, që pasi ikën nga internimi në Ventotene, Zai kthehet të vazhdojë luftën në Shqipëri, por me urdhër drejtpërsëdrejti nga Enver Hoxha e vrasin partizanët, kur arrin në Kukës, por duhej t’i thyenin kockat më parë, sipas pusullës së Enverit, që s’u bë dot kurrë profesor.

Shqipëria diktatoriale e vrau Europën e shqiptarëve. Meqënëse jemi në fushën e letrave, kujtoj prapë një letër tjetër të Enverit, 5 ditë pas pushkatimit pa gjyq të një grupi intelektualësh, mes tyre dhe një grua profesore, shkencëtare, Sabiha Kasimati, nga shkaku i asaj që quhet “Bomba në ambasadën sovjetike në Tiranë”, kur ishte vetëm ca dinamit në një gazetë, shpërthimi i së cilës, s’bëri asnjë dëm, vetëm theu ca qelqe dhe Enveri, çudia më e madhe, e pa besueshme, i kërkon falje në atë letër, jo familjeve të të vrarëve pa faj nga ai shkak, prindërve, bashkëshorteve, fëmijëve, shqiptarëve të gjithë, por Stalinit. I betohet atij që partia do të jetë e pamëshirshme për atë akt terrorist dhe “akti terrorist”, sipas Enverit, nuk janë pushkatimet e tij masive, por shpërthimi incognito në ambasadë të asaj që as bombë nuk ishte, që mbase Sigurimi mund ta kishe shkaktuar vetë.

Enveri është një përjashtim dhe shëmbulli më zi dhe i letërkëmbimit me Europën, kur Shqipëria ka një kancelari të shkëlqyer  që në mesjetën e saj, letrat e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, “mbrojtësit të paepur të qytetërimit Perëndimor”, siç cilësohet, me aleatët e tij europianë janë modele, ku shpaloset atdhedashuria dhe diplomacia e sinqertë, madje dhe letra e tij dërguar armikut, Sulltan Mehmetit në vitin1461. Një kryevepër!

Po kështu dhe letrat e Ali Pashë Tepelenës për Napoleon Bonopartin apo Rusisë cariste, që duhen studiuar nëper shkolla. Letra të Abdyl Frashërit, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut, etj. Mund të bëhet një dosje e kancelarisë së Burrave të Shtetit Shqiptar.

Ndërkaq shkëlqejnë letrat e intelektualëve tanë, akademikë e profesorë, dërguar liderëve botërorë, presidentëve në Europë e SHBA, atyreve që kishin në dorë fate dhe histori të popujve, në mbrojtje të çështjes shqiptare, letra brilante të një antologjie guximi dhe zgjuarsie, ndërkaq dhe me njëri-tjetrin, Naim Frashëri dhe De Rada, Faik Konica e Imzot Fan Noli, At Gjergj Fishta, Mustafa Kruja, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Musine Kokalari, etj, e deri më sot, letrat e shkrimtarit Ismail Kadare presidentëve, në Francë, SHBA, Havelit, po kështu dhe të Presidentëve Rugova dhe Berisha e deri te kryeministri Edi Rama e të intelektualëve Mitrush Kuteli, apo sot Aurel Plasari, Maks Velo, që na la para ca ditësh, artikujt e tyre dhe të të tjerëve si letra të hapura si ato ambasadorëve të SHBA-së, të Bashkimit Europian, etj, e dri tea to të poetes Elida Buçapaj kacelares gjermane Merkel, etj.

Letra e re e intelektualëve Matteo Mandalá-së dhe Francesco Altimari-t dhe përgjigjia që ata kënë marrë, na bind se ka një “Europë të profesorëve”. Në atë letër përmenden dhe etërit themelues të Europës së Bashkuar De Gasperi, Schuman, Adenauer, Monnet, Spak, kujtoj që Monnet ka thenë pak a shumë kështu se, nëse do të duhej ta rithemelonim edhe një herë Europën e Bashkuar, do ta fillonim jo nga ekonomia, por nga kultura. Se “Evropa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët.” – thotë shkrimatri nobelist, hebreo-hungarez Imre Kertesz dhe pastaj thekson: “Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin”. – Ai I mbijetoi Aushvicit.

Shqipëria nuk mund të shkojë në Europë pa kujtesën e saj, duke harruar kampet e Tepelenës, burgun e Burrelit, të Spaçit e të Qafë Barit, etj dhe krimet e diktaturës komuniste, pa bërë reformat në drejtësi, pa ndëshkuar të keqen, pa sistemin e duhur zgjedhor, etj, ku vazhdimisht na mbin një parlament “parlatorësh” pa bukë. Dhe që nga aty na dalin president te Republikës, gjithnjë e më befasues, më të çuditshëm, jo vetëm për botën, por dhe për ne, nga ku dalin.

Është e pakuptueshme, e dëmshme, vrastare kur ata që vijnë në pushtet vetëm shajnë dhe rrënojnë punën e arritjet e pararendësve, ndërsa ata që ikin nga pushteti si opozitë vetëm shajnë dhe pengojnë ato që po bëjnë pasuesit e tyre, edhe nëse po vazhdojnë ato që nisën ata.

Nuk bëhet shtet me të shara e gogolizime, por me punë e mençuri e bashkëpunim, me pjesëmarrjen e të gjithëve, duke vlerësuar ato që u bënë e duke kritikuar për më mirë. Klima e sharjeve është bërë një epidemi tjetër e rrezikshme. Berisha si President dhe dy herë si kryeministër duhet parë si përvojë me rëndësi e shtetit demoktatik shqiptar, e reformave të duhura dhe të dhimbëshme, i atyre që s’u bënë a që duheshin bërë ndryshe, e Shqipërisë në NATO, e të djathtës së tij që ishte dhe e majtë, etj, po kështu dhe e ndërsjellta,  si  dhe  e majta e Edi Ramës tani që shfaqte dukuri të së djathtës e që ka rënë dhe në enverizëm, ndërkaq nuk ta kap truri se si një ish president si Bujar Nishani shan si ordiner atë kryeministër dhe qeveri që dekretoi vetë, që punoi me ta, kur ishte pjesa siperane e superstructures së saj, kurse sherri i pa ndërprerë i presidentit aktual Ilir Meta me kryeministrin aktual Edi Rama është vazhdim i asaj marrëzie të nishantë. Rama propozoi Metën, pra urdhëroi zgjedhjen e tij president, Meta e dekretoi atë si kryeminsitër dhe qeverinë tij. Mbyllën pazare kështu apo u prishën pazare, thonë njerëzit mes tyre.

Çështjeve të tilla nuk u japin përgjigjen e duhur gazetat, edhe kur investigojnë dhe sensibilizojnë me të drejtë, as klanet televizive, që aq sa në shërbim janë vënë, veç disinformojnë me profesionalizëm e propagandojnë keq, as politika, por drejtësia e re, vetingu, Spak-u, etj, nëse janë të vërteta, zgjedhet nëse do të jenë të lira dhe paraprakisht me një reformë zgjedhore të duhur, gjithpërfshirëse, nëse do ia dalin.

Ndërsa populli, intelektualët e tij, profesorët kanë të drejtë të plotë të protestojnë dhe ta shkundin vendin për shumë arsye dhe halle, për varfërinë stabile dhe korrupsionin galopant, për nomenklaturën e dikurshme të kudogjendur, urbanizimin çoroditës, shpesh pa identitet, për Teatrin Kombëtar që shëmbet natën si në një aksion ilegal guerilasish, megjithëse teatri i ri është i domosdoshëm dhe tejet I vonuar, për dhunën deri edhe te gazetari i njohu Alfred Lela,  përdhunimet, pedofilinë, duke tromaksur 15 vjeçaret, stresuar gjeneratën e re, për pedofilinë politike, deri te nëpërkëmbjet për të përndjekurit, kujtesën, shpifjet shtetërore, etj, etj, për Europën që na mungon, për aleancën me SHBA-në, për të qenë në lartësitë që meriton. Etj, etj.

Ja, si dialogon Europa e profesorëve, letrat në fjalë i përktheu për një artikull të tij studiuesi Pëllumb Xhufi, duke e vlerësuar intelektualisht këtë dialog dhe duke ia kundërvenë kahut tjetër jo të tij, ndërkaq dukuria është e përbashkët dhe ajo që na duhet më shumë, ja, si u përgjigjet Europa intelektualëve Matteo Mandalá dhe Francesco Altimari: “Të nderuar Profesorë, – ju falenderojmë… për thirrjen tuaj plot ndjenjë dhe solidarite, – pra nuk bëhet pa ndjenja dhe bashkëpunim, pa i nderuar profesorët e jo duke i harruar. Vazhdojmë me letrën: Shëmbulli i Shqipërisë, të cilit ju i referoheni, tregon edhe një here rëndësinë e lidhjes strategjike mes bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i Bashkimit Europian për Shqipërinë është konkret… dhe tregohen shëmbuj dhe shumat e eurove të caktuara, milionëshe për të përballuar tërmetet, krizat shëndetësore, deri dhe koferencat “Together for Albania”, etj. – E ardhmja e Ballkanit Perëndimor, pra dhe e Shqipërisë, është në Bashkimin e Europian… – lidershipi shqiptar dhe politika ka për detyrë ta përshpejtojë ardhjen e kësaj të ardhmeje, pjesë e trazicionit të lodhshëm postdiktatorial. Që Ballkani Perëndimor t:e quhet seriozisht Europa Jug-lindore. – Komisioni Europian do të vijojë dialogun e tij me Shqipërinë… për të mirën e shtetsave të Shqipërisë.”

Kjo është e rëndësishme. Shpresa ka. Ndërkaq duhet të ndërgjegjësohemi dhe Shqipëria duhet ta kuptojë, që mes të tjerash, sa shumë e ka rrënuar kulturën  e bisedës me veten dhe me të tjerët, institucionin e vlerave, prandaj dhe duhet të bëjë përpjekje të mëdha edukuese të ngrihen, patjetër, politika shqiptare dihet të mësojë nga Europa e profesorëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura