Aleksi spiunon të kuqtë, kampionët “zbusin” Da Silvën! Ja pikantet e supersfidës Partizani-Egnatia

Sep 19, 2023 | 13:25
SHPËRNDAJE

“Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet më pikante të ndeshjes Partizani-Egnatia, e cila u ndoq nga rreth 1300 tifozë nga shkallët e stadiumit. Nuk munguan as rreth 200 tifozë rrogozhinas. Collage Maker-19-Sep-2023-01-12-PM-1689

* Një pjesë e mirë e Superiores ishte ditën e djeshme në stadiumin “Arena e Demave” për të ndjekur ndeshjen mes Egnatias dhe Partizanit. Fillimisht në stadium u shfaq presidenti i Erzenit, Durim Keçi, i shoqëruar nga ish-kapiteni i shijakasve, Gëzim Krasniqi. Ky i fundit takohet me drejtorin e përgjithshëm të Partizanit, Olsi Rama. Mbrojtësi ka luajtur për disa vite me fanellën e kuqe. Gjithashtu, Kahrimanoviç dhe Zeka, lojtarë të Erzenit, ishin të pranishëm në stadium. Ndërkohë, Haris Fakiç dhe Ermal Barushi, drejtorë të Dinamos, u panë gjithashtu në stadium për të ndjekur sfidën. Pavarësisht se sfida me kurbinasit është mbyllur, në stadium ishin të pranishëm edhe zyrtarë të Laçit.

* Braziliani i Egnatias, Fernando, shënon një gol të rrallë për Superioren, teksa edhe festimi ishte i veçantë. Ai nuk lëviz aspak nga vendi, teksa qëndron me duart në mes, a thua se e kishte fluturuar jashtë atë top. Më pas Aleksi shkon dhe i fërkon këmbën në gjurin e tij, si për të thënë se ajo e majtë ishte “e bekuar”.

* Në momentin kur mesfushori i Partizanit, Arinaldo Rrapaj po bisedonte me Muratajn, Carën dhe Zekollin për goditjen e dënimit në minutën e 53-të, afrohet pranë topit Albano Aleksi. Mesfushori i Egnatias u mundua të spiunonte të kuqtë për skemën që po planifikonin te goditja e dënimit, por Murataj e kuptoi këtë moment dhe e shtyu Aleksin, në një kohë që e gjithë kjo situatë kaloi me një buzëqeshje nga të gjithë lojtarët.

* Ka diskutime të shumta për gjuajtësin e penalltisë tek Egnatia, por në fund vendoset t’i besohet Duamenës. Ky i fundit më pas e humbet duelin me Hoxhën, që i gjen krahun dhe i pret penalltinë. * Fanella e bardhë e Edlir Tetovës ngjan shumë me ato të skuadrës së tij dhe pas sinjalizimit të zyrtarëve të ndeshjes, detyrohet të veshë një jelek me ngjyrë blu për të bërë dallimin.

* Bintsuka dëmtohet dhe lë fushën për një moment. Por teksa i drejtohej stolit, fizioterapisti Ergys Rexha i thotë të zbresë sërish në fushë dhe të qëndrojë derisa të kryhet zëvendësimi. Bintsuka duke çaluar u kthye në fushë, ku qëndroi për pak sekonda dhe mori kohën e tij për të dalë nga fusha dhe për t’i dhënë frymëmarrje ekipit në një pjesë të ndeshjes, kur nuk po kalonte çastet më të mira.

* Ndryshe nga çfarë ndodhi me Valmierën një muaj e gjysmë më parë, tashmë Da Silva duket se ka gjetur gjuhën e përbashkët me stafin dhe trajnerin. Pas ndeshjes, bashkë me Bilalin dhe Maget, braziliani shihet teksa vrapon rreth fushës.

* Andi Hadroj dhe Emiljano Vila e ndoqën këtë ndeshje nga tribuna, pranë zyrës së presidentit Demi. Pukjani është ende i dëmtuar, ndërsa durrsaku duket se kërkon ende kohë për të ardhur në formën e duhur fizike, sa për të bindur Zekiçin ta grumbullojë e më pas ta aktivizojë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura