“Alarm i fortë që situata në veri të Kosovës është ekstremisht serioze”- Komisioneri evropian: Tejet shqetësuese retorika e Beogradit dhe shpallja e zisë

Oct 3, 2023 | 20:18
SHPËRNDAJE

Komisioneri evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, ka përsëritur se kryesit e sulmit në Banjskë “gjithsesi duhet të vihen para drejtësisë” dhe se sulmi nuk duhet të përdoret si arsyetim për shmangie të vëmendjes nga dialogu Kosovë-Serbi.

komisioneir evropian

Ai e ka quajtur të paprecedentë sulmin e kryesuar nga Milan Radoiçiç ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Siç ka thënë Lenarçiç, sasia masive e armëve që u konfiskuan ngreh shqetësime serioze.

“Ky është alarm i fortë që situata në veri të Kosovës është ekstremisht serioze”.

Lenarçiç në Parlamentin Evropian ku po diskutohet rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe dialogun, ka deklaruar se Bashkimi Evropian pret prej Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht.

Ndërkaq, shqetësuese e ka theksuar edhe retorikën e Beogradit.

“BE-ja po e ndjek afër hetimet në vijim dhe pret që kryesit të vihen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht duke përfshirë edhe në parandalimin e kontrabandimit të armëve afër vijës kufitare administrative. Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që mund ta përshkallëzojë situatën. Retorika nga Beogradi sa i përket 24 shtatorit është tejet shqetësuese, po ashtu mënyra në të cilën dita e zisë është shpallur, ajo që është e qartë në këtë fazë është që ky operacion tregon një armatim të rëndë ushtarak dhe përbën përshkallëzim madhor që shkon në kundërshtim me thirrjet e BE-së për depërshkallëzim”.

Lenarçiç ka thënë se zgjedhjet e parakohshme në veri mbesin zgjidhje kyçe për situatën e tensionuar.

“Jemi të shqetësuar për grupimin ushtarak në jug të Serbisë. Mbajtja e shpejtë e zgjedhjeve në veri të Kosovës mbetet qenësore për të ndihmuar në shtensionim. BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë që të angazhohen në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme në veri”.

Ai ka theksuar se përshkallëzimi i mëtejmë do të ketë ndikim negativ në rrugëtimin evropian për të dyja shtetet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura