Aktorja Flonja Kodheli, protagoniste në filmin “Bota”. Bashkë me pianon dhe aktrimin, fshehur prindërve

Dec 8, 2014 | 15:19
SHPËRNDAJE

Vajza e aktores Justina Aliaj duket se po ndjek gjurmët e së ëmës. Pas shumë vitesh studimi për piano, iu dha aktrimit. Pas rolit në “Amsterdam Express”, vjen para publikut shqiptar në filmin “Bota”. Jeta e saj mes muzikës dhe aktrimit, dëshirave të prindërve dhe kujdesit për ta mbajtur larg nga e shkuara nën diktaturën komuniste…

Dikur, pavarësisht se zemra i rrahu fort si para një dashurie të madhe, as nuk guxonte ta mendonte se do t’i futej rrugës së aktrimit. Ajo ishte një pianiste profesioniste dhe pianoja kishte qenë me të prej vitesh e gjithçka i dukej e sigurt në raport me të. Por Flonja Kodheli zgjodhi “të rrezikonte” për hir të pasionit të ri, “i la” të gjitha për të udhëtuar drejt Francës, ku studioi për aktrim. Studime që fillimisht i mbajti të fshehta nga e ëma, këngëtarja dhe aktorja Justina Aliaj dhe babai, i cili po ashtu kishte punuar për vite me radhë në Kinostudio, Pjerin Kodheli. Por, pavarësisht të gjithave, ia vlejti. Tani, edhe në vendin e vet, artistja e re përballet me publikun shqiptar jo vetëm si muzikante, por si aktore. E shfaqur fillimisht në filmin e Fatmir Koçit, “Amsterdam Express” me rolin e Martës, së fundi ajo ka qenë aktorja kryesore edhe në filmin me regji të Iris Elezit dhe Thomas Logorecit, “Bota” (film që në fakt u xhirua më përpara “Amsterdam Express”). Në këtë rrëfim për “Unë gruaja”, Flonja flet më shumë për këtë rrugëtim të sajin, marrëdhëniet e ndërtuara dhe dëshirat që kanë lindur në këtë përvojë të re.
 
Ju keni studiuar për piano dhe “takimi” juaj i parë me filmin dhe aktrimin ka ardhur përmes muzikës. Mund të rrëfeni si ndodhi që të drejtoheshit tek aktrimi?
Kam filluar të studioj piano që në moshën 8-vjeçare kur isha në Tiranë. Në Bruksel kam mbaruar Konservatorin dhe pastaj kam punuar si pianiste profesioniste për vite. Gjatë këtyre viteve paralelisht jam marrë me projekte të ndryshme me disa regjisorë belgë. Megjithatë në fillim kam menduar gjithmonë se në jetën time do të ishte pianoja dhe asgjë tjetër. Në konservator (Conservatoire Royal de Musique de Mons ) kur studioja për piano fillova të lidh miqësi me aktorët që studionin aty. I shihja duke aktruar dhe më pëlqente shumë procesi i punës. Atje më lindi dëshira, por në të njëjtën kohë vazhdoja mësimet për piano. I shihja me zili, por me distancë. Kisha frikë: isha në rrugën e muzikës, një rrugë disi më e sigurt, që ka qenë gjithmonë e pranishme në jetën time familjare. Kurse aktrimi lindi si një histori e re dashurie. Ky “ngacmim” u bë edhe më i pranishëm kur fillova të shkoja më shumë në teatër. Kishte gjithmonë një moment të ditës që imagjinoja skenat e teatrit që kisha parë ose skenat e filmit dhe përjetoja përsëri çfarë do të kisha bërë unë, e vija veten tamam në rol, luaja në shtëpi. Por hapin që bëra tamam në drejtim të aktrimit e kam bërë fshehurazi, pa dijeninë e prindërve, duke u thënë gjithë kohës se merresha vetëm me piano, sepse e dija që do të shqetësoheshin.
Përse nuk donin ata që të merreshit me aktrim?
Nuk është se mami nuk kishte dëshirë. Prindërit më thoshin se bota e kinemasë, aktrimit është botë e vështirë, e ashpër. Mami më thoshte që unë kam vuajtur shumë e nuk mund të duroj që të vuajë dhe fëmija, por jo se nuk ka pasur dëshirë. Fëmijë, më futën në muzikë meqenëse është botë më e pastër, më e bukur.  
Ju fliste nëna juaj për persekutimin dhe ashpërsinë e regjimit?
Sa kam qenë në Shqipëri, ka qenë tabu. Mbaj mend që vinin shumë artistë në shtëpi, por mua me vëllain më linin në dhomë tjetër e na ruanin nga kjo gjë. Ata nuk kanë folur kurrë kundër regjimit. Na ruanin. As e përmendnin fare në syrin tonë. Në Belgjikë mësova gjithçka.
Ju ka ndihmuar pianoja për aktrimin?
Sigurisht. Më vonë kuptova se në substancë janë praktika që ngjajnë shumë. Gjithçka që kisha zhvilluar me pianon, me muzikën po e transformoja në skenë me fjalë, me trupin, me punë trupore. Kur arrita të hyj në teatër, në kursin e parë të shkollës, të gjithë ishin më të rinj se unë. Shumë shpejt e kuptova që muzika dhe aktrimi flisnin për të njëjtat gjëra: dëgjimin e partnerit, disiplina e punës, provat. Ishte një botë që njihja shumë mirë.
Si erdhi “Bota” për ju pas disa përvojave të mëparshme në filma të huaj dhe në “Amsterdam Express”?
Rastësisht mora vesh që po përgatitej film. Më thanë që skenari ishte në një workshop në Berlin. Atje pashë sinopsin dhe më pëlqeu intriga. I kam shkruar personalisht regjisores. Roli kryesor ishte i vendosur dhe unë kam ardhur pas 4-5 muajsh këmbime e-maili derisa u gjet momenti i duhur për t’u takuar. Erdha në Shqipëri fillimisht për një rol tjetër. Dy ditë më pas, regjisorja më tha do të provojmë dhe një lexim për personazhin e Julit dhe më morën në telefon pas 5-6 muajsh për të konfirmuar se isha pranuar në këtë rol. Kështu ndodhi.
Çfarë ju tërhoqi te roli i Julit? Si mund ta përshkruanit Julin?
Largpamëse dhe me shumë intuitë. Jo impulsive. Në atë zonë ku jetonte Juli, kishte krijuar një hapësirë të vetën, për të gjetur një paqe në shpirtin e saj që ishte piktura, kolazhet. Është interesante se unë të njëjtën gjë kam, kam pianon. Dhe të gjitha këto u mblodhën dhe m’u përshtatën.
Një ndër marrëdhëniet e veçanta në film është ajo që Juli ka me gjyshen e vet, Nojen, interpretuar nga Tinka Kurti…
 Për mua ka qenë një nga gjërat më të bukura. Unë kam pasur një gjyshe që e kam dashur jashtëzakonisht. Me Tinka Kurtin rigjeta ndjesitë e mbesës. Tinka është shkodrane, unë shkodrane dhe gjithçka u poq aq bukur menjëherë. Dhe sot e kësaj dite jemi shumë të lidhura. Ajo marrëdhënia e filmit, ka depërtuar te ne dhe ishte gjë shumë e bukur. Një nga gjërat që më ka pëlqyer më shumë te Juli ishte marrëdhënia me gjyshen. Ishte shumë e veçantë. E vetmja familje e saj ishte gjyshja.
Te “Bota”, kushëriri juaj, Beni (Artur Gorishti) është i martuar dhe ka një të dashur. Në film trajtohen çështje si martesa, dashuria e tradhtia. Si e sheh zgjedhjen e Benit në raport me Norën dhe martesën? Mendon që tradhtia e dashuria mund të ecin bashkë?
Jo, jam shumë e prerë në këtë pikë edhe pse secili ka konceptin e vet. Tradhtia nuk mund të ecë paralelisht me dashurinë.
 Në film Juli ka dhe historinë e saj të dashurisë me Milin (Alban Ukaj). Një dashuri në fillesat e veta, që mbase mund të ishte realizuar më shumë si linjë… Më pëlqeu historia e dashurisë me Milin, se ishte shumë e pafajshme, se ishte si shkëndijë e parë e personazhit. Në jetën reale kështu fillon dashuria. Ngacmimin e parë, gjithmonë e kujtojmë. Është i bukur ai momenti i parë kur të rreh zemra për dikë. Mili krijon një shkëndijë për të dy, por siç e thotë personazhi i tij: ka hequr dorë nga shqiptaret sepse ato kërkojnë dramën.
Beson se shqiptaret në fakt kërkojnë dramën në dashuri?
Nuk e di a e kërkojnë, por e shoh që krijohet pak si shumë do të thosha. Kemi një tendencë kështu të shkojmë në dramë më shumë se sa në anën e lumtur.
Për ju xhirimet në fshatin Adriatik kanë qenë emocion më vete edhe për shkak të një historie tuajën personale…
Po. Kur po kalonim me makinë për të shkuar në Adriatik pashë fshatin Bedat, një vend ku ka qenë internuar halla ime, për shkak të djalit që iu arratis me not në kohën e diktaturës. Më krijoi një gjendje plot emocione. Halla ime ka qenë internuar për disa vite në këtë vend dhe mbaj mend që edhe vite më vonë pasi u kthye nga internimi ajo nuk fliste, ishte shndërruar pas kësaj përvoje traumatike.
Angazhimi edhe në aktrim, do të thotë se këtej e tutje do të vini më shpesh në Shqipëri?
Do të jem atje ku më rreh zemra.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura