Agron Tufa: Këneta e Maliqit, letërsia e gënjeshtërt komuniste dhe dëshmitë e gjalla

Apr 25, 2017 | 11:20
SHPËRNDAJE

AGRON TUFA

Burgjet, kamp-burgjet, ka mpet “me tela me gjemba” dhe kampet e zakonshme të internimit me punë të detyrueshme përbëjnë, përveçse topografi të dhimbjes e terrorit, edhe një topikë të trishtë të shkrimit në letrat shqipe. Zhanret e shkrimit janë të larmishme; ato prekin romanin, tregimin, poezinë, kinematografinë, përkthimin artistik e shkencor, poezinë dhe memuaristikën, deri dhe disa lloje të pikturës e skulpturës (gdhendje të ndryshme, statueta, punime të holla artistike etj.).

Drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa
Drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa

Prania e kësaj topike të trishtë burgjesh e kampesh nuk e ka pushuar jehonën e vet traumatike edhe sot e kësaj dite, ndonëse që nga viti 1991 kur ato u mbyllën dhe u braktisën kanë kaluar mbi një çerekshekulli. Realet e këtyre “kronotopeve” ushqejnë ende vepra letrare e narrativa memuaristike. Disa piktorë si Maks Velo, Ali Oseku e sidomos Valer Dyrzi vazhdojnë t’u kthejnë jehonën e transfiguruar artistikisht përjetimeve nga kjo topografi makthesh. Narrativa letrare, e drejtpërdrejtë apo fiktion, na i sjell këto vende me një metonimi diskursi alegorik, simbolik apo filozofik, si në veprat e Kasëm Trebeshinës, Jamarbër Markos, Fatos Lubonjës, Henrik S.G, Bashkim Shehut, Visar Zhitit etj.

Letërsia e këtyre “topikëve të trishtë” është lehtësisht e evidentueshme. Mjafton t’i qasemi secilit topos, ku vuajtën autorët e dënuar politikisht, për të hartuar mandej një repertor të pasur e të larmishëm tekstesh e veprash. Nëse studimet letraro-kritike shqiptare, apo studimet sociologjike letrare do ta kishin marrë në konsideratë faktologjinë e këtij shkrimi, të cilin me të drejtë poeti Visar Zhiti e quan “Burgologji”, atëherë do të na përftoheshin korpuse të veçanta, blloqe tekstesh e narrativash në repertorin e gjerë të “burgologjisë”. Kështu do të dallonim qartë “tekstet e Burrelit”, “tekstet e Tepelenës”, “tekstet e Kënetës së Maliqit”, “tekstet e Spaçit dhe Qaf-barit” etj., etj.

 

mano
ZYRAKA MANO, NJE NGA TE DENUARAT ME PUSHKATIM ME AKUZEN E SABOTIMIT NE KENETEN E MALIQIT

Herëdokur studiuesit e kësaj fushe që do të merren me fenomenologjinë e këtyre teksteve, do të prekin vërtetësinë simbolike të titullit të mësipërm: “Topikë të trishtë letrarë”. Të trishta këto tekste i bën jo aq topika si vend vuajtjeje e torture, por nonsensi, paradoksi dhe absurdi i fatit të vuajtësve, të cilët ishin qenie me rrënjë të thella në dije dhe kulturë, përkundër nivelit katastrofik të xhelatëve të tyre. Në njëfarë mase persekutimi komunist mbi këta njerëz, që ishin, pa asnjë fije dyshimi, elita e kulturës shqiptare, ajka e inteligjencës, njerëzit më të ditur e të shkolluar të Shqipërisë së pasluftës.

Mjafton të përmendim disa syresh: Petro e Jamarbër Marko, Astrit Delvina, Arshi Pipa, Mitrush Kuteli, At Zef Pllumi, Sami Repishti, Kasëm Trebeshina, Mustafa Greblleshi, At Konrad Gjolaj, Ejell Çoba, Makensen Bungo, Uran Kalakulla, Guljelm Deda, Havzi Nela, Pjetër Arbnori, Lekë Previzi, Lekë Tasi, Fatos Lubonja, Visar Zhiti, Bashkim Shehu etj. Veprat e tyre ilustrojnë një kronotopi të fatit të intelektualit në diktaturë dhe janë i vetmi repertor i moralshëm i shkrimit që rivendos dinjitetin e raporteve me të Vërtetën, një raport, i cili, jashtë këtij kronotopi, ishte përkeqësuar, fshehur, deformuar e shfytyruar nga censura dhe autocensura komuniste.

Termi “Kronotopos” për këtë korpus tekstesh nuk e ka këtu funksionin e nocionit estetik bahtinian, pasi ai nuk zbatohet në botën e trillit artistik. Ai thjesht ndodh dhe lind brenda një realeje konkrete kohë-hapësinore, aty ku është e mbërthyer në kryq ekzistenca, mbijetesa e autorit që përpiqet të ruajë fizionominë e vet njerëzore.

Një ndër këto kronotope, që ka determinuar lindjen e një repertori të veçantë tekstesh letrare në prozë, poezi, memuaristike, kinematografi e, madje, edhe në zhanret kronikale ideologjike të historisë zyrtare, sikundërse dhe të shkrimit diplomatik, është Këneta e Maliqit me kampin famëkeq të Vloçishtit përgjatë periudhës 1946-1950. Këneta e Maliqit është njëmend, jo vetëm “topikë e trishtë” letrare. Tekstet që ka prodhuar ky topos janë kundërthënëse e diametralisht të kundërta. Nga njëra anë kemi tekste autoriale intencionalisht ideologjike, propagandistike, manipuluese në raport me të Vërtetën dhe, nga ana tjetër, kemi tekste autoriale autobiografike, që këmbëngulin në raportet dëshmuese me të Vërtetën tronditëse. Në këtë kundërvënie spikasin më fort tekstet letrare konfrontuese në gjininë e romanit. Përkatësisht kemi:

1. Fatmir Gjata me romanin “Këneta”. Romani qe pjesë e srz, deri në vitin 1991; ishte një vepër letrare e programuar me detyrim në kurrikulat shkollore/universitare, e shkruar në përputhje me tezat e doktrinës së realizmit socialist. Romani paraqet versionin komunist të heroizmit epik popullor, ku masat e udhëhequra nga mësimet e partisë, përmes heroit pozitiv, sekretarit Stavri Lara, kapërcejnë gjithë vështirësitë e mungesave teknologjike, por më fort punën sabotuese të inxhinierëve të degjeneruar e armiq të popullit, që janë rekrutuar si spiunë nga ish-mësuesi i tyre Harry Fultz. Vullnetarët, populli i thjeshtë ia del mbanë, falë vigjilencës dhe mësimeve të partisë. Triumfon suksesi, Këneta thahet.

2. Makensen Bungo me romanin “Këneta e vdekjes” jep një version të përmbysur të realeve të Fatmir Gjatës për të njëjtën Kënetë, për të njëjtin proces. Përmes një realiteti ngjethës, që mpikset deri në makabritet, Bungo vizaton një tjetër të vërtetë në kronotopin e Kënetës dhe këtë e bën me realizmin e detajeve ngjethëse e shokuese, disi në frymën e nobelistit hungarez, Imre Kertezh. Autori, një i mbijetuar i Kënetës, na rrëfen fatin tragjik të një grushti studentësh nacionalistë të Normales së Elbasanit. Pasi lënë qelitë e burgut të qytetit të tyre dhe vetë profesorin e tyre të dashur, shkrimtarin Et’hem Haxhiademin, që po jep shpirt aty, ata dërgohen të vuajnë dënimin në Maliq. Parakalon në rrëfim figura e shkrimtarit Mitrush Kuteli në Kënetë, sikundërse dhe e profesorit poet, Arshi Pipës, që dërgohet në spital. Romani mbyllet më kthimin e përgjysmuar të atij grushti miqsh idealistë. Dikush ka vdekur nga puna e sfilitëse, sëmundja dhe uria; dikush tjetër nuk e ka duruar sprovën e rëndë të mbijetesës dhe është bërë spiun për një copë bukë, e më në fund, i turpëruar e i vetëneveritur var veten. Skenat e dhunës, torturës psikologjike, rrahjeve e poshtërimeve, zhburrërimet e nëpërkëmbjet e nderit janë norma e përditshme në kamp. Heroizmi masiv i punëtorëve vullnetarë nga romani propagandistik i F. Gjatës ua lëshon vendin të vërtetave pataksëse e të shëmtuara: janë realisht të dënuarit politikë, rreth 2500 skllevër, që janë dërguar aty për të mos dalë gjallë, çka përputhet saktë me faktet reale zyrtare në dokumente, raportime e dëshmi të tjera.

3. Një tjetër dëshmi ngjethëse nga makabriteti i Kënetës na e sjell me mjetet e kursyera të poezisë poeti Arshi Pipa me poemën e tij sonetike “Kanali” (26 sonete). Pa ndonjë ekzagjerim, poema është ekuivalentja e “Ferrit” të Dantes në letërsinë shqipe. Vargjet e saj poeti i shkroi i sëmurë, përmbys, në spitalin e Korçës, mbi letra cigareje. Dorëshkrimi origjinal ruhet sot tek e motra e poetit.

4. Një korpus më vete përbën repertori i dëshmive memuaristike. Janë përvoja në lëkurë, përjetime të vetë autorëve. Autorët më të spikatur midis dhjetërave janë: Beqir Ajazi, At Zef Pllumi, Ejëll Çoba, Sulejman Xhixha, Arshi Pipa, Sami Repishti etj. Ky i fundit i përshkruan të burgosurit si “kufoma lëvizëse”, “leckamanë të mbuluar me baltë”, që transportoheshin të lidhur me zinxhirë.

5. Tekste politike, ideologjike e diplomatike. Këtu mund të përfshihen në një repertor më vete të gjitha tekstet e Historisë së Shqipërisë së pasluftës, Historia e PPSH, tekstet shkollore apo universitare të Historisë. Te këto tekste mund të përfshihet dhe një tekst diplomatik, Raporti i qeverisë amerikane i paraqitur në OKB në shkurt të 1955, prej 10 faqesh, ku flitet hollësisht për mënyrat çnjerëzore të trajtimit të të burgosurve politikë në Shqipëri, në këtë kamp shfarosjeje.

Nëse do të përmblidheshin të gjitha tekstet e repertorit të Kënetës së Maliqit në një antologji të kësaj “topike të trishtë”, atëherë në letrat shqipe do të kishim rreth 2000 faqe tronditëse në disa zhanre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura