2 Marsi, flaka e një revolucioni që po shpërthen tani

Feb 11, 2024 | 12:59
SHPËRNDAJE

Agim-Nesho-1

NGA AGIM NESHO

Projekti i Rilindjes, me fitoren në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, ishte projekti ambicioz dhe i errët i Edi Ramës që përmes qeverisjes të kapej shteti, të ndryshoheshin dhe të shtoheshin kompetencat e kryeministrit, të kontrolloheshin institucionet e pavarura që qëndrojnë në themel të balancave të pushtetit, të personalizohej çdo politikë dhe të centralizohet pushteti në dorën e një personi.

Që qëllimi kryesor i Ramës ishte pushteti, dhe duhej realizuar me çdo mjet, u tregua qartë që në përfshirjen e shumë individëve të kompromentuar me një të kaluar kriminale në listat fituese të Rilindjes. Për Ramën maxhoranca qeveritare ishte qëllimi, ndërsa vlerat dhe parimet perëndimore vetëm fjalë pa kuptim që mund të përdoreshin vetëm për propagandë.

Veprimet kryesore të tij ishin terrori administrativ, duke e mbushur administratën me militantë; burgosja e qytetarëve të varfër për mospagim energjie për të krijuar idenë se do të bëjmë shtet; reformën e iniciuar nga SOROS për të kapur drejtësinë; marrjen e kompetencave të Presidentit në shumë drejtime, duke përfshirë kompetencat në ushtri dhe diplomaci; si dhe projekti i Rilindjes Urbane.

Por kapja e shtetit mori formë të plotë me projektin famëkeq të kanabizimit të vendit, që i dha mundësi lidhjeve të regjimit me krimin e organizuar, intimidimit dhe përdorimit të një pjese të opozitës për ta përdorur si aneks në projekte që do ti mundësonin atij një pushtet të pakufizuar; shpërndarja e fondeve publike dhe pronave të shqiptarëve në duart e një kaste të ngushtë të oligarkëve, të cilët të lidhur me interesa fitimi do ti shërbenin fuqizimit te regjimit të tij. E vetmja keqllogaritje e tij për kontrollin dhe kapjen e shtetit ishte pranimi i Ilir Metës si President i Republikës. LSI ju imponua me numrin e madh të deputetëve në Parlament (19), por ajo që Rama gaboi ishte personaliteti i fortë, përkushtimi i Metës për respektimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e demokracisë si një nga aktivistët kryesorë të lëvizjes studentore të viteve ’90.

Periudha e Presidencës së Ilir Metës ishte periudha më e vështirë e pushtetit autokratik të Ramës. Për më tepër që Institucioni i Presidencës ishte institucioni i vetëm që po i rezistonte dhe po e kundërshtonte në gjithë veprimtarinë e tij anti-kushtetuese.

Meta bëri një luftë parimore

–              për mbrojtjen e institucioneve të drejtësisë, që jo vetëm po kapeshin por po defaktorizoheshin nga pasioni i gjyqtarëve militantë që po betoheshin në kioskat e Lanës. Projekti i Rilindjes ishte të kontrollonte plotësisht Gjykatën Kushtetuese për të bllokuar çdo çështje në gjykatat europiane që qytetarët dhe opozita do kërkonte ti paraqiste, për të arritur një kontroll putinesk ndaj drejtësisë;

–              në mos dekretimin e mbi 60 ligjeve si anti-kushtetuese por edhe me pasoja të dëmshme për interesat e shqiptarëve;

–              në mbrojtje të vlerave kombëtare dhe kulturës përpara sharlatanizmit të pushtetit, si në rastin e prishjes së Teatrit Kombëtar;

–              në mosdekretimin e ministrit të jashtëm Gent Cakaj, që nuk ishte cështje personi por ndarje e prerë e Presidentit me Kryeministrin për çështjen e ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe Ballkanit të Hapur si politika asgjësuese për sovranitetin e shtetit të Kosovës;

–              në mbrojtje të opozitës, duke anulluar zgjedhjet e pushtetit lokal dhe vendosur një datë tjetër, pavarësisht se opozita e kapur nuk u regjistrua.

Lufta kundër Presidentit Meta u bë aq e ashpër sa për herë të parë në historinë e demokracisë Shqiptare, Padroni urdhëron Parlamentin të bëjë shkarkimin e Presidentit. Lufta parimore në mbrojtje të shtetit ligjor dhe Kushtetutës krijoi më 2 Mars 2020 të parin reagim të jashtëzakonshëm qytetar në mbrojtje të Republikës së tyre. Dhjetëra mijëra qytetarë nga gjithë Shqipëria u mblodhën më 2 Mars në Tiranë ku shumica e tyre kërkonte shpërndarjen e parlamentit kukull që mbante në këmbë atë regjim.

2 Marsi filloi si përkrahje për një shtetar dhe institucionin e Presidentit në mbrojtje të interesave të vendit dhe do të shtrihej si një lëvizje në mbrojtje të pluralizmit dhe Kushtetutës demokratike.

Pandemia Covid 19 si dhe ligji marcial i regjimit e uli atë flakë patriotike, e cila po rikthehet sot si një zjarr për të mbrojtur Republikën.

Situata sot në Shqipëri është akoma më alarmante. Pushteti autokratik nga dita në ditë po shket në një regjim putinesk me një lider absolut. Opozita është e ndaluar dhe e kufizuar në aktivitetin e saj. Parlamenti, si tempulli i demokracisë, është inekzistent dhe komisionet parlamentare për kontroll të ekzekutivit ekzistojnë vetëm në letër ose në formën që e do Kryeministri. Lideri i Opozitës, Dr. Berisha, është nën arrest për një çështje të stisur pa akuzë, që vetëm prokurorët e lodhur militantë mund ta besojnë se qëndron. Gjykatat bëjnë garë për tu treguar sa më të devotshme ndaj pushtetit, sa duke fshehur korrupsionin e regjimit dhe diku tjetër duke hequr të drejtën e përfaqësimit, vulën, etj. Korrupsioni është aq i dukshëm dhe aq madhor sa zgjidhja e kësaj situate do të bëhet vetëm nëpërmjet ballafaqimit popullor.

Reagimi popullor i 2 Marsit ishte vetëm flaka e parë e një revolucioni popullor që do të bëhet i papërballueshëm. Gjithë opozita shqiptare nga dita në ditë po bashkohet me qëllim shpëtimin e vendit. Ky vullnet do të jetë gjithmonë e më masiv dhe do të marrë përpara çdo kënd që abuzon me popullin. Kjo lëvizje kundër së keqes po bashkon çdo qelizë të shoqërisë Shqiptare jo për rotacion për pushtetin, por me idealizmin për të kthyer demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri. Atëherë do të kuptojmë që flaka e këtij revolucioni u ndez vite më parë në 2 Mars 2020.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura