102-vjeçari që drejton shoqatën “Avni Rustemi” në Amerikë

Dec 2, 2023 | 8:45
SHPËRNDAJE

NGA KRISTO MËRTIRI KRISTO-MËRTIRI

Flamujt kuqezi nëpër udhët e Bostonit në SHBA u shpalosën bukur para syve të shqiptarëve në disa kontinente. Janë festat e 28-29 Nëntorit të një kombi të vogël, me emër të madh në histori. Dhe këtë emër ia dhanë bijtë dhe bijat më të mira, brenda e jashtë mëmëdheut. Janë dy data kur mijëra e mijëra shqiptarë ngrenë flamurin me shtizë në ballkone e penxhere dhe vishen me ngjyrat më vezulluese të simbolit tonë të paprekshëm.

Një shpërthim gëzimi e krenarie jo dosido. E pse jo edhe malli të pashuar në mendje e zemra. Vetëm kush e ka provuar sadopak mërgimin, e ndjen në shpirt zjarrin e këtyre ditëve të shënuara me aq shumë gjak, mund e sakrifica. Në çdo pëllëmbë të tokës mëmë e përtej saj ku gurgullon gjuha shqipe.

Por, një burrë libohovit, çdo 30 nëntor ka edhe minifestën e vet personale. Ka plot 102 vite që e urojnë për ditëlindjen. 102 herë që Vasil Malita ynë pret e përcjell shokë e miq, bashkatdhetarë e bashkëvuajtës të udhëve të atdheut e në emigracion. Derdhen këngët e vendlindjes së shenjtë, e sidomos ajo e mirënjohura: “Mos pandeh se u harrove/ Lule, o Avni Rustemi !”…

Derdhen ligjërimet e kulluara patriotike si burimet e Gushnicës (Zhepës) dhe krojet rrotull Rrapit madhështor, këtij ciceroni të lashtë e arkivi të patjetërsueshëm. Qasen vendës e të huaj rreth kësaj vatre të ngrohtë, emocionuese. Se shqiptarët dinë të nderojnë e vlerësojnë shokun, mikun, bashkëqytetarin në dhera të huaj. Ashtu me djersën e ballit kanë bërë emër të mirë në shumë fusha e udhë të kësaj bote. Për shembull, herë pas here nga Aeroporti i Rinasit niset me avion edhe një gazetë e thjeshtë me emrin “Libohova”. Shkon përtej deteve e oqeaneve. E dërgon miku im Pëllumb Kumbaro me shokë. Veçse vendqëndrimi i parë është Bostoni.

Posta troket te shtëpia e Vasilit 102-vjeçar, kryetar i Degës së Shoqatës Patriotike-Kulturore “Avni Rustemi”. Kuvendojnë si i gjalli mes të gjallëve, si libohoviti me libohovitin e dashur të çdo pragu. Një kuvendim jo i rëndomtë. Historikisht kështu. Kuvendim shqiptarie…

Të gëzosh 102-vjetorin e lindjes nuk është pak. Është mbi një shekull jetë! Aq më tepër kur drejton edhe degën e shoqatës emërdashur në emigrim. Mbetur jetim qysh 14 vjeç, filloi të mësonte zanatin e rrobaqepësit. Por Libohova dhe Shqipëria kishin halle të tjera më të mëdha. U lidh ngushtë me luftëtarët antinazifashistë. Madje sivjet festoi edhe 80-vjetorin e daljes partizan. Kujtoi Vithkuqin e Korçës, ku në korrik 1943 u rreshtua në Brigadën e Parë Sulmuese. Pa vënë ende brisk në faqe, mori pjesë në të gjitha luftimet e njohura në historinë e LANÇ.

Ishte dhe mbeti artilier i fortë dhe trim. Ky ishte “universiteti” i tij i parë. Pas Çlirimit, oficer artilerie e pastaj në repartin e xhenios në Tiranë. Mirëpo, deri këtu ishte karriera e tij ushtarake. Krisjet e thyerjet i ndjeu që në 1945, kur befas xhaxhai Lame u arratis bashkë me familjen e vet. Por ideali i Vasilit ishpartizan nuk u thye kurrë! Çfarëdo gurësh të të hedhë jeta mbi shpinë.

Megjithëse kushërinjtë e parë u bënë njerëz të nderuar e të respektuar në Amerikë, por sistemet politike lënë gjurmë jo të pakta. Më tepër të acarta. Lum kush mbetet Njeri i mirë! Fukarallëk, maskarallëk! – thonë shpesh në Libohovë. Nuk është rastësi që emrin e Vasilit e kam dëgjuar shpesh në veprim taritë e shoqatës “Avni Rustemi” në Tiranë. Të gjithë flisnin me dashuri për këtë shqiptar e libohovit 24 karat. Kur doli në pension të parakohshëm “për arsye shëndetësore” 50 vjet më parë, nuk e humbi toruan, – rrëfen plot kënaqësi Ajaz Rustemi, nipi i Heroit të Popullit.

– Sepse hija e arratisjes së xhaxhait fukara sikur e ndiqte në çdo hap. Brezi ynë e mban mend mirë atë shtëpinë private tek ish-Parku i Autobusëve. Po kështu, kopshtin e tij (bahçe) të mbytur nga pemët frutore, që e kishte zili tërë lagjja. Duart e tij nuk pushonin. Bashkë me gruan Agllai, sot 95 vjeçe! Një çift i rrallë. Kanë 4 fëmijë, njëri më i mirë se tjetri. Vasili ka 18 vjet që drejton Degën e Shoqatës në Boston. Gjysh e stërgjysh i veçantë. Nuk pushon së treguari për Libohovën, për Tiranën, për LANÇ, për Shqipërinë mëmë të djeshme e të sotme.

Shoqata jonë e ka nderuar me Certifikatë Mirënjohjeje. Meriton shumë ky burrë fisnik dhe i mençur, me kokën plot mbresa e kujtime të gjalla. Por edhe familja e tij që mban lart emrin e Libohovës e të Shqipërisë, me punë e ndershmëri, me zotësi, qytetari e kulturë perëndimore. Në Boston, Filadelfia e gjetkë. Nga kuotat e anëtarësisë dhe nga xhepi, përveç veprimtarive të ndryshme në Amerikë, ai ka 15 vjet që nuk nguron të sponsorizojë gazetën tonë. Dhe nuk i bie gjoksit kurrë, por vetëm merakoset për mbarëvajtjen e saj. Ditën që i mbërrin gazeta “Libohova”, e kthen në ditë të gëzuar në familje e shoqëri… Emigrantëve të tillë u fryn era e atdheut në çdo hap, sepse sot nuk është koha e heronjve. Sot është edhe koha e pehlivanëve.

Mjaft politikanë e biznesmenë as që pyesin për fatet e barkboshëve, të fakirfukarenjve. E as për fatin e atdheut. Pyesin vetëm për xhepat e tyre dhe për shtimin e pasurive e të llogarive bankare! Njerëzit e thjeshtë e të ndershëm hapin sytë e vështrojnë shkëlqimin e tyre të rremë. Përballë punëve të veprimtarëve të shquar shoqërorë e patriotë, thartojnë gjuhën e buzën ose tundin zinxhirin e byzylykut prej ari. Rrëmbe të rrëmbejmë! Kjo është motoja e këtyre biçimsëzëve.

Vallë, ç’do të thoshin përballë Vasilit 102-vjeçar e përballë të tjerëve? (Kur po mbaroja këto shënime, befas lexova në media ekrane apo mejhane ?) prononcimin e një “karcini vjeshte” në gazetari, ku hidhte baltë fare qesimce mbi figurën e ndritur të Avniut, Heroit të Popullit tonë. Pashë edhe reagimet e shumta të lexuesve në internet. Reagime të natyrshme, irrituese me të drejtë. Guxim të madh paska ai çapaçul, që i thotë vetes “historian” akshami, pa mbaruar hiç studimet e larta në këtë fushë.

Guxim fluturaku që kërkon të lëndojë shpirtin patriotik të njerëzisë në 2023. Në një kohë që drejtësia ndërkombëtare dhe historia e kanë thënë fjalën e tyre me kohë e me vakt. Pastë faqen e zezë, bashkë me ekranet që i hapin vend e pa vend mendimit të tij cartalloz, aguridh e karagjoz). Gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, Vasil Malita vajti dhe piu ujë me grushte te burimi jetëgjatë i Gushnicës (Zhepës) në Libohovë.

Të vetmen “pasuri” që mori me vete në Amerikë ishte një grusht dheu i selitur nga vendlindja e shtrenjtë. “Ma vendosni nën kokë, kur të shkoj në atë botë”. Kaq u tha të afërmve në Boston… Si dheu yt nuk ka. Lum ai që nuk e mohon gjakun e vet! Se pasuria vjen e shkon. Por dinjiteti rron, ore rron! “Hamësit e mëdhenj” harrohen shpejt nëpër kullotat e nepsit dhe të epshit jo njerëzor. Poeti ua përplas në fytyrë, jo pas krahëve: “…Ju shoh/ Dhe dridhem si fletët e lofatës./Më duket sikur i futni dhëmbët/Në muskujt e mi/Dhe jo në muskujt e kuq të domates/Ju hamës/ Triumfatorë të luftës me emrin lakmi”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura