Zyrtare, Xhiani de Biazi trajneri i ri i Shqipërisë

Dec 15, 2011 | 12:28

Xhiani de Biazi është zyrtarisht trajneri i ri i Kombëtares shqiptare. Italiani do të prezantohet ditën e hënë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Pas gati 2 muajsh tratativa me teknikë nga më të ndryshmit, është arritur dje akordi final dhe De Biazi do të drejtojë kuqezinjtë për kualifikimet e Botërorit të 2014-s. Ish-trajneri i Modenas, Breshias, Torinos dhe Udinezes në Itali por edhe Levantes në Spanjë mësohet se ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me Federatën Shqiptare të Futbollit, me të drejtë rinovimi edhe për dy vite të tjera, në rast se do të arrihen objektivat që atij do t’i vihen nga presidenti Duka. Italiani do drejtojë për herë të parë një ekip kombëtar në karrierën e tij si trajner, ndaj Duka i ka qëndruar më shumë idesë së kontratës 2+2, duke i ofruar një shumë prej 300 mijë eurosh (kjo e fundit nuk është zyrtare, pasi nuk ka gjetur një konfirmim as nga tekniku dhe as nga FSHF-ja). 55-vjeçari ka fituar garën me bashkëkombësit e tij, Mario Bereta dhe Benito Karbone, të cilët vlerësoheshin si kandidatë potencialë për të marrë drejtimin e Shqipërisë. De Biazi do të jetë trajneri i dytë italian, që merr drejtimin e Kombëtares shqiptare, pasi i pari ishte Xhiusepe Dosena në maj-tetor të 2002-shit. Mësohet se De Biazi do ketë një staf të tërin italian, të cilin ai ka kërkuar me çdo kusht që ta kishte në dispozicion. De Biazi ka lëshuar dje edhe deklaratën e parë si trajneri i Kombëtares sonë, duke pohuar se është i lumtur për kontratën dhe beson se në krye të ekipit përfaqësues do të bëjë një punë të mirë. “Jam i kënaqur që arrita akordin me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kisha edhe oferta të tjera, madje njëra nga një klub i huaj me një shumë të madhe parash, por i kisha dhënë fjalën Dukës, si dhe preferova që të provoja të drejtoja një skuadër kombëtare. Jam entuziast dhe them se do të bëj një punë të mirë në krye të kësaj skuadre. Gjatë kohës kur isha në bisedime, mora të gjithë informacionin që më nevojitej për Shqipërinë dhe futbollin shqiptar në përgjithësi dhe, pasi krijova një ide më të qartë, vendosa që të firmos kontratën”, ka theksuar tekniku i ri i kuqezinjve. De Biazi do jetë trajneri i dhjetë i huaj i përfaqësueses kuqezi dhe i gjashti në periudhën kur federata drejtohet nga Armand Duka dhe tekniku i dytë italian. Më parë, në stolin e Shqipërisë kanë punuar serbi Ljubisha Broshiç (në vitin 1946-1947), hungarezi Miklos Vadas në vitin 1953, rusi Nikolaj Ljukshinov në vitin 1957-1958 dhe gjermano-lindori Joakim Klinger, i cili punoi në fund të viteve ’80-të në Kombëtaren shqiptare. Në dekadën e fundit, në Shqipëri kanë punuar Xhuzepe Dosena, Hans Peter Brigel, Oto Bariç, Ari Han dhe Josip Kuzhe. Ndeshja e parë zyrtare e Xhani de Biazit do jetë miqësorja e 29 shkurtit 2012 me Gjeorgjinë. Kujtojmë se gjatë dekadës së fundit janë shpenzuar më shumë se 1.4 milionë euro për trajnerët e huaj, por gjithsesi Kombëtarja shqiptare nuk ka mundur të bëjë hapin e madh. Përgjithësisht ajo është renditur e parafundit, edhe pse disa vite më parë kishte një brez lojtarësh të një niveli dukshëm më të lartë se grupi aktual. Ndërkohë që Shqipëria e kualifikimeve 2014 është pjesë e grupit E së bashku me Norvegjinë, Slloveninë, Zvicrën, Qipron dhe Islandën.

Xhiani De Biazi
Datëlindja: 16.06.1956; Vendlindja: Sarmede, Itali;
Karriera si lojtar
1974-1975: Treviso; 1975-1976: Inter, 1976-1977: Rexhiana, 1977-1978: Peskara; 1978-1983: Breshia; 1983-1986: Palermo; 1986-1987: Viçenca; 1987-1989: Treviso; 1989-1990: Basano
Karriera si trajner
1990-1991: Basano; 1991-1992: Viçenca; 1992-1993: Vasteze; 1993-1996: Karpi; 1996-1997: Kosenza; 1997-1999: SPAL; 1999-2003: Modena; 2003-2005: Breshia; 2005-2006: Torino; 2007-2008: Levante; 2008: Torino; 2009-2010: Udinese.

Historia: Kur De Biazi pezullohej për baste
Në 22 mars të vitit 2002, Xhani de Biazi fitoi në Itali çmimin “Pankina e argjendtë”, për ngjitjen e Modenës nga Seria C1 në atë B (“për lojën e shpejtë, dinamike, agresive dhe lojë me topa të ulët”), ndërkohë që “Pankinën e artë” e fitoi Fabio Kapelo, asokohe trajner i Romës. E megjithatë, ka një detaj “pikant” në të shkuarën e tij, pasi kur ka qenë futbollist i Palermos është dënuar me 1 muaj pezullim, pasi ka qenë i përmendur në skandalin e basteve në vitin 1986. Mediat italiane shkruajnë se ai është përfshirë në skandalin e basteve, duke u skualifikuar për një muaj, kur ishte në radhët e Palermos, së bashku edhe me 11 lojtarë të tjerë. Në fakt, ky ishte skandali i dytë i basteve ilegale, në të cilat ishin përfshirë disa ndeshje të kampionateve profesioniste në sezonet 1984-1985 dhe 1985-1986, pasi ai i pari kishte shpërthyer në vitin 1980.

© Panorama.al

Te lidhura