Zëvendëskryeministri sirian, Qadri Jamil, dha dje sinjalet se ekziston mundësia që Bashar Al Asad të largohet nga pushteti, si pjesë e marrëveshjes së negociatave për t’i dhënë fund konfliktit në vend pas 17 muajsh gjakderdhje, në të cilat aktivistët e opozitës deklarojnë se kanë humbur jetën të paktën 23 000 persona. Jamil i bëri këto komente ndërsa u takua me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, aleat prej shumë kohësh i Sirisë dhe një prej “mburojave” të saj në Këshillin e Sigurimit. Jamil e refuzoi idenë e dorëheqjes së Asadit, kusht për ndonjë negociatë të ardhshme, një kërkesë e bërë jo vetëm nga opozita e armatosur, por edhe Uashingtoni e disa vende europiane. “Kthimi i dorëheqjes në një kusht për të mbajtur dialog do të thotë se ju nuk do të jeni kurrë në gjendje ta mbani këtë dialog”, tha Jamil. Por ministri shtoi, sipas AFP, bazuar në përkthimin në rusisht, se: “Çdo problem mund të diskutohet gjatë negociatave. Ne jemi edhe të predispozuar ta diskutojmë këtë çështje”. Kjo ishte vizita e dytë e Jamil në Rusi brenda dy javësh. Ai po përpiqet të mbyllë një marrëveshje për karburantin dhe furnizime të tjera me Moskën. Zëvendëskryeministri sirian ka komentuar edhe kërcënimet e Presidentit amerikan, Barak Obama, se çdo përdorim i armëve kimike kundër opozitës siriane do të ishte i patolerueshëm. Jamil u shpreh në Moskë se “kërcënimet e Obamës janë thjesht propagandë politike në fushatën zgjedhore”. Rusia e ka mbrojtur fuqishëm Sirinë nga kërcënimi i një ndërhyrjeje ushtarake nga jashtë dhe ende vazhdon ta mbështesë Asadin.











