Zv.drejtori i Policisë merret në mbrojtje

Dec 10, 2011 | 13:56
Apartamenti i Dorian Muçës, ku u vendos eksplozivi

Zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Dorian Muça, banesa e të cilit u sulmua me eksploziv mëngjesin e së enjtes, është marrë në mbrojtje fizike nga forcat speciale. Sipas burimeve zyrtare, sulmi me eksploziv në shtëpinë e nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça, është klasifikuar si “vrasje në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë, për shkak të detyrës. Hetimi është përqendruar në një pistë të vetme, atë që lidhet me detyrën e zv.drejtorit të Policisë së kryeqytetit. Për këtë arsye, Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve, me kërkesë të Drejtorisë së Krimeve të Rënda, ka angazhuar oficerë të forcave speciale për mbrojtjen e shtëpisë, familjes dhe për vetë Dorian Muçën, numri dy i Policisë së Tiranës. Krahas masave për mbrojtjen fizike të zv.drejtorit të Policisë dhe familjes, policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Shpresat e grupit hetimor janë të gjitha te kamerat e sigurisë dhe te një aparaturë videoregjistruese “H 264 Netvvork D.V.R, nr.9008 H”, që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Burime nga grupi hetimor thanë dje se pamjet e fokusuara nga kamerat nuk janë shumë të qarta, megjithatë ka momente që objektivi ka fokusuar fytyrën e të dyshuarit. Këto fragmente regjistrimi, ku duken pjesë të tipareve të fytyrës së autorit, janë marrë në shqyrtim nga ekspertë të specializuar për video të tilla.
Hetimi
Burimet nga grupi hetimor kanë thënë se ekziston mundësia e zbulimit të autorëve nga analizimi i gjurmëve të gishtave të lëna në vendin e ngjarjes. Kjo pasi në vendin e ngjarjes janë sekuestruar disa materiale, që nuk janë shkatërruar plotësisht nga shpërthimi i fuqishëm. Burime nga Policia thanë se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur e sekuestruar copa fitili zjarrpërcjellëse, me gjatësi të ndryshme, një sasi lëndë grimcash pluhuri ngjyrë gri në të bardhë, sasi mbetjesh plastike e kartoni, ngjitës me ngjyrë portokalli, penel

Zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Dorian Muça

metalik, buton rrethor metalik (i ashensorit) dhe pllaka inoksi. Të gjitha këto prova, të konsideruara të rëndësishme nga grupi hetimor, janë dërguar për ekzaminim në laboratorin e Kriminalistikës për të zbuluar ndonjë gjurmë të mundshme të autorit. Të njëjtat burime thanë se sasia e eksplozivit që ka shpërthyer në derën e apartamentit ka qene rreth 400 gramë, një sasi e konsiderueshme që ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Nga shpërthimi janë dëmtuar dyert e brendshme dhe të jashtme të banesës, si dhe janë shkaktuar dëmtime të tjera të konstruksionit të banesës. Gjithashtu, dëmtime të tjera të rënda ka pasur në të gjithë shkallën e këtij pallati. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte, në apartamentin e katit të pestë të pallatin ku banon Dorian Muça me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Ndërsa grupi hetimor, i drejtuar nga prokurori i Krimeve të Rënda, nuk përjashton mundësinë se sulmi ndaj shefit të Hetimit të Krimeve lidhet me ngjarjet e fundit të ndodhura në Tiranë dhe persona të arrestuar në operacione të drejtuara apo ku ka marrë pjesë kryekomisari Muça.

Krimet e rënda, pyeten 30 persona
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në dorë drejtimin e hetimeve në lidhje me vendosjen e eksplozivit në hyrjen e banesës së zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça. Në vendin e ngjarjes mëngjesin e të enjtes kanë qenë të pranishëm drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërkohë që ky institucion ka marrë në pyetje deri ditën e djeshme më shumë se 30 persona në lidhje me eksplozivin e vendosur në derën e apartamentit të zyrtarit të Policisë.

Sindikata e Policisë: Ngjarja, sulm kriminal, të kapen autorët
TIRANE – Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit reagoi dje nëpërmjet një deklarate për shtyp, në lidhje me sulmin me eksploziv ndaj zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça. Duke e cilësuar ngjarjen e rëndë si një sulm barbar ndaj uniformës së Policisë, sindikata kërkon zbardhjen sa më parë të atentatit dhe arrestimin e atentatorit. “Nga kjo ngjarje e rëndë, që fatmirësisht nuk pati të dëmtuar në njerëz, ne marrim shkas për të dënuar dhunën ndaj çdo punonjësi policie, e për të qenë pranë çdo punonjësi që bie pre e sulmeve kriminale për shkak të detyrave të tyre, të kryera gjatë karrierës në shërbim të komunitetit. Duke u nisur nga kjo, kërkojmë nga strukturat më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë për Krimet e Rënda të hetojnë intensivisht për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje kriminale dhe për zbulimin e arrestimin sa më të shpejtë të atentatorit”, thuhet në reagimin e Sin-dikatës së Policisë. Gjithashtu, sindikata kërkon që në dispozicion të hetimit të vihen mjetet dhe burimet më të mira logjistike, me qëllim që dora kriminale të dërgohet para Drejtësisë së vendit. Ndërsa nuk harron të kujtojë edhe 240 punonjësit e Policisë që kanë dhënë jetën në shërbim të komunitetit.

Hetuesit: Dorian Muça ka presione rutinë, jo kërcënime konkrete
TIRANE – Grupi i hetimit në Policinë e Shtetit ka marrë kontakt me zv.drejtorin e Policisë së Tiranës, Dorian Muça, në lidhje me vendosjen e eksplozivit në banesën e tij pranë ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. Sipas burimeve nga Policia, në deklarimet paraprake lidhur me ngjarjen, Muça është pyetur verbalist për t’i shërbyer orientimit operacional të hetimit, ndërkohë që pritet që në ditët në vazhdim zyrtari i Policisë të dëshmojë lidhur me ngjarjen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjatë sqarimeve verbale për grupin e hetimit në polici, mësohet se Dorian Muça ka thënë se e ka ndier presionin gjatë ushtrimit të detyrës së tij, por kjo ka qenë një rutinë normale, si për çdo punonjës policie pa marrë ndonjë mesazh të veçantë paralajmërues në lidhje me ngjarjen. Muça ka theksuar se nuk dinte ndonjë shkak apo arsye për kërcënime, pasi veprimtaria e tij ka qenë në zbatim të ligjit. Edhe kamera e vendosur në afërsi të pallatit ku banonte zv.drejtori i Policisë mësohet se është vendosur pa ndonjë shkak të veçantë dhe pa u bazuar në dyshime konkrete, por vetëm me qëllimin e monitorimit të situatës në zonë. Pavarësisht se në pohimet e tij paraprake zv.drejtori i Policisë nuk ka pohuar të dhëna konkrete dhe nuk ka përmendur ndonjë kërcënim, Policia e Shtetit mësohet se ka krijuar dyshimet e saj, duke u nisur nga rrezikshmëria e detyrave dhe aksioneve të realizuara nga kryekomisari Dorian Muça. Ai ka marrë pjesë në disa hetime dhe aksione me rrezikshmëri të lartë që nga koha kur drejtonte Komisariatin Nr.1 të Policisë së Tiranës dhe më pas kur drejtonte njësinë e operacioneve speciale. Pas emërimit në detyrën e zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Muça ka mbajtur peshën kryesore në hetimin e veprave penale që kanë ndodhur në kryeqytet, por edhe në rishqyrtimin e dosjeve të krimeve të vjetra të ndodhura më parë.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura