Zogu, “mollë sherri” për minierën: Të hiqet drejtori ose protesta të tjera

Sep 8, 2011 | 11:27
Nga protestat e minatorëve të Bulqizës

BULQIZE- Kthehet në “mollë sherri” drejtori i minierës së Bulqizës, Medat Zogu. ACR nuk toleron largimin e tij, ndërsa minatorët kërcënojnë me vazhdimin e protestave. Një përfaqësuese e kompanisë austriake mbërriti dje në Bulqizë, duke shprehur zyrtarisht se ACR përmbush të gjitha kërkesat e punëtorëve, veç heqjes së Zogut. Marta Lula, e shoqëruar nga roja private, pasi Forcat Speciale dhe efektivat e policisë janë larguar nga Bulqiza, ajo ka hyrë në zyrat e minierës dhe ka ftuar në bisedime presidentin e Sindikatës së Industrisë, Taf Koleci. Fillimisht, minatorët kanë reaguar dhe kanë kërkuar që në këtë tryezë të ishte i pranishëm edhe presidenti i KSSH-së, Kol Nikollaj, mirëpo Lula dhe Medat Zogu, drejtor i minierës, nuk e kanë pranuar një gjë të tillë. Përfaqësuesja e familjes Depichc, Lula, është shprehur se ajo kishte udhëtuar nga Tirana në Bulqizë për t’u kërkuar minatorëve të nënshkruanin marrëveshjen me kompaninë austriake. Takimi ka zgjatur afro gjysmë ore dhe minatorët e kanë konsideruar atë si një takim informal. Madje, disa nga anëtarët e këshillit sindikal të minatorëve janë shprehur se takimi ishte i paligjshëm, pasi aty duhet të ishte i pranishëm edhe Kol Nikollaj, kreu i konfederatës. Në një dalje publike për minatorët, Koleci është shprehur se kompania ACR pranon rritjen e pagës 20 për qind, kryerjen e investimeve, transparencën e tyre, si dhe dhënien e pagës së 13-të për 700 minatorët. Në këto momente, minatorët kanë shtruar pyetjen: “Po drejtori i minierës, Medat Zogu, do të largohet nga posti që mban”? Taf Koleci ka sqaruar sindikalistët e pranishëm se kjo kërkesë e minatorëve është hedhur poshtë nga ACR, madje përfaqësuesit e saj nuk duan të përfshihen në axhendën e bisedimeve, duke e cilësuar atë si të pabazuar. Pasi kanë mësuar vendimin e ACR-së, minatorët kanë vendosur të mos tërhiqen nga vendimi për të vijuar protestat. “Të largohet drejtori i minierës. Në rast të kundërt, ne nuk kthehemi në punë dhe nuk do të ndalim protestat”, është shprehur kreu i këshillit sindikal të minatorëve, Dilaver Përkoxha. Përfaqësuesja e ACR-së ka zhvilluar po dje një takim me administratën e minierës dhe ka kërkuar zbatimin e detyrave të lëna nga pronarja e Decometal, Depichc. Mësohet gjithashtu se punëtorët ndihmës vijojnë normalisht punën për largimin e ujërave nëntokësore nga miniera, mbajtjen në gatishmëri të rrjetit elektrik etj.        h.p

© Panorama.al

Te lidhura