Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë përfunduar një seri sulmesh ndaj objektivave iraniane, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur duke lëshuar dronë dhe raketa kundër bazave amerikane në rajon, raporton BBC.
Ushtria amerikane bëri të ditur se goditi sisteme të mbrojtjes ajrore, stacione kontrolli tokësore dhe radarë iranianë, si përgjigje ndaj rrëzimit të një helikopteri amerikan Apache të hënën.
Nga ana tjetër, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) deklaruan se kanë ndërmarrë sulme ndaj 21 objektivave të lidhura me bazat ushtarake amerikane në rajon, përfshirë objektiva në Bahrein dhe Jordani. Ndërkohë, ushtria e Kuvajtit njoftoi se ka ndërhyrë për të zmbrapsur një sulm të ngjashëm.
Uashingtoni i ka cilësuar sulmet e tij si një “përgjigje proporcionale” ndaj rrëzimit të helikopterit, ndërsa Garda Revolucionare iraniane i përshkroi ato si “sulme të egra dhe të pajustifikuara”.
Shkëmbimi i sulmeve vjen pasi dy anëtarë të ekuipazhit të helikopterit të rrëzuar u shpëtuan të hënën nga një dron detar amerikan. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmoi se kjo ishte hera e parë që një mjet i tillë përdorej publikisht në një operacion shpëtimi.
Sipas zyrtarëve amerikanë, sulmi ndaj helikopterit ishte kryer nga një dron iranian. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse goditja ishte e qëllimshme. Një zyrtar amerikan, i cituar nga CBS News, tha se hetimet janë ende në vijim. Ndërkohë, agjencia iraniane Mehr raportoi se Teherani nuk ka marrë përgjegjësinë për rrëzimin e mjetit fluturues.
© Panorama.al












