Pas rreth gjashtë orësh proteste, marshimi dhe qëndrese përpara godinës së Kryeministrisë, është përmbyllur në mënyrë paqësore protesta e 10-të radhazi e qytetarëve në Tiranë.
Mijëra protestues u grumbulluan fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas u shpërndanë në disa drejtime të kryeqytetit, duke vijuar marshimin në rrugë të ndryshme të kryeqytetit.
Gjatë gjithë protestës dhe marshimit, qytetarët kanë vijuar me thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe të gjithë qeverisë.
“Nesër më shumë! Rama jep dorëheqjen! Edi Rama ka mbaru”, ishin mesazhet me të cilat u mbyll tubimi, mes brohoritjeve të protestuesve.
Po ashtu, është bërë edhe thirrje për një protestë kombëtare ditën e nesërme, në kuadër të 148-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, duke kërkuar edhe pjesëmarrje të qytetarëve nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora.
© Panorama.al












