Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve është deklaruar sot kundër kërkesës së rritjes së çmimit të transportit publik në Tiranë, duke e cilësuar atë krejtësisht abuziv dhe të pabazuar në normën shumë të lartë reale të fitimit në Tiranë.
“Norma e fitimit të kompanive të transportit publik është shumë e lartë pasi numri i pasagjerëve është shumë i madh dhe bëhet fjalë për një xhiro vjetore prej mbi 40 milionë dollarësh, një shifër kjo e pakrahasueshme me koston reale! Kompanitë kanë probleme me shërbimin e fatorinove por ky është një problem administrativ i brendshëm i kompanive dhe jo i qytetarëve apo Bashkisë. Kompanitë kanë fitime të shtuara edhe nga reklamat dhe kjo i garanton një fitim maksimal.”- thuhet në deklaratën e lëshuar nga ZMK.
Në bazë të një studimi të bërë nga ZMK në vitin 2008, e cila thotë se është e gatshme ta përditësojë këtë studim përgjatë periudhës së Shkurtit 2012 rezulton se kostot e shërbimit janë shumë më të vogla se norma e fitimit.
ZMK konsideron se me përmirësimin e cilësisë së autobuzëve dhe të vetë shërbimit dhe orareve të tij si pasojë e mbikqyrjes së shtuar të Bashkisë Tiranë është rritur tej mase numri i pasagjerëve që qarkullojnë duke rritur tej mase normën e fitimit.
© Panorama.al











