SHKODER – Gjatë vitit 2011, në qarkun e Shkodrës kanë rënë rreth 700 zjarre, në një kohë që dëmet materiale në pyje llogariten në miliona euro e u është shpëtuar jeta mbi 80 personave. Këto të dhëna janë bërë publike paraditen e së martës gjatë analizës vjetore për vitin 2011 të Repartit të PMNZSH-së së qarkut Shkodër. Në këtë analizë pune merrnin pjesë: Dilaver Laçi drejtor i përgjithshëm i këtij shërbim, Voltana Ademi, prefektja e Shkodrës, si dhe drejtuesit e PMNZSH-së të rretheve Shkodër, Pukë dhe Malësi e Madhe. Krahas punës së mirë, drejtuesit e PMNZSH-së në rrethet Shkodër, Pukë dhe Malësi e Madhe kanë evidentuar edhe disa nga mangësitë me të cilat përballen këto reparte shpëtimi. Numrat telefonikë jashtë shërbimit, mungesa e personelit, mungesa e hidrantëve, si dhe të ambienteve të qëndrimit e të punës janë disa nga vështirësitë me të cilat po përballet ky shërbim jetik për qytetarët. “Në rrethin e Shkodrës problem mbetet zyra e informacionit, – ka pohuar kreu i këtij shërbimi, Ilir Kopliku. – Nga 4 numra telefonikë në dispozicion për njoftime të tilla, shumica janë jashtë funksionit, janë të bllokuar ose të zënë. Një tjetër mungesë është infrastruktura e furnizimit me ujë e mjeteve zjarrfikëse. Në qytetin e Shkodrës, nga 11 hidrantë që janë gjithsej, dy janë jashtë funksionit; në qytetin e Pukës nga 3 hidrantë që janë gjithsej, vetëm 1 është në gjendje pune; ndërsa në qytetin e Koplikut nuk ka asnjë hidrant ku të furnizohen me ujë mjetet e shuarjes së zjarrit”, tha Kopliku. Kreu i PMNZSH-së tha se probleme ka dhe në ambiente, si në rastin e Pukës. “Kemi 10 vite që ky ambient shërben si zyrë, si fjetore apo edhe si vendqëndrimi. Ndërsa shërbimi i Malësisë së Madhe, nga 8 veta gjithsej që ka në organiken e tij, vetëm 6 janë zjarrfikës, në një kohë që 2 të tjerët janë shoferi dhe një komandant shërbimi. Pra, me këta njerëz e kemi të pamundur të shërbejmë me shpejtësi dhe me profesionalizmin që e kërkon koha”, kanë pohuar specialistët e këtij shërbimi. r.d
Prefektja: Hartoni kërkesat
Prefektja e qarkut Shkodër, Voltana Ademi, ka kërkuar që drejtuesit e PMNZSH-së në rrethe të hartojnë një informacion të saktë në lidhje me mundësitë dhe kërkesat e këtyre reparteve. “Një shërbim i tillë paraqitet tejet i domosdoshëm, pasi është i lidhur direkt si me pronën e qytetarëve, ashtu edhe me jetët e njerëzve”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm, Dilaver Laçi.











