Zjarret, situatë e rënduar në të gjithë vendin

Aug 26, 2012 | 13:39
Foto Ilustruese

Situata e zjarreve në vendin tonë vazhdon të jetë mjaft problematike, ndërkohë që  në shumicën prej vatrave të zjarrit lipset ndërhyrja nga ajri. Një ditë më parë, ministria e Brendshme njoftoi se në kuadër të marrëveshjeve me Republikën e Turqisë, në bashkëpunim më ambasadën e Turke në Tiranë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, helikopteri i tipit “Kamov”, për të ndihmuar në kryerjen e operacioneve nga ajri, në të gjitha ato zona ku është e pamundur të ndërhyet nga forcat tokësore.

Drejtori i Parkut Kombëtar të Dajtit, Lutfi Myftari duke folur për televizionin News 24 tha se zjarri i rënë dje në orët e pasdites në Dajtit është nën kontroll, por shtoi se, nëse nuk ndërhyhet nga ajri, atëherë zjarri rrezikon të përhapet. Myftari tha se nuk ka asnjë zjarrfikëse në vendin e ngjarjes, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme.

Ndërkaq, vatra e zjarrit në Krrabë, sipas Myftarit vazhdon të mbetet problematike pasi vazhdon me shumë intensitet, ndërsa tashmë flakët mund të kthehen në rrezik edhe për lokalet që ndodhen në atë zonë.

Pak pas mesdite një zjarr përfshiu një objekt të përpunimit të trupave drusore në Fushë Arrez, vetëm 5 km larg hyrjes së qytetit. Zjarri është i përmasave të mëdha, ndërsa dy banesa janë në rrezik nga flakët.

Sipas informacioneve të ministrisë së Brendshme, në të gjithë territorin e vendit, si rezultat i temperaturave të larta dhe erës së fortë ka patur një rritje të vatrave aktive të zjarrit, duka arritur në 40 të tilla.

Qarku Berat: Ka 2 vatra zjarri aktive në kodrat e Sulmit, mbi qytetin e Beratit. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me ullinj dhe rrezikoi edhe banesat në afërsi.

Por ndëhyrja e menjherëshme e forcave zjarrfikëse shëmnagu rrezikun dhe së bashku me forca nga komuniteti po punojnë për izolimin e plotë dhe shuarrjen e vatrave të zjarrit.

Qarku Dibër: Ka 8 vatra aktive zjarri. Në ekonominë pyjore “Lura 1”, në vendin e quajtur “Zhavorri”, dhe në “Lura 2”, në vendin e quajtur “Fusha e Pelave” dhe “Liqeni i Bruçit”, por është vënë nën kontroll. Ndërhyrja nga ajëri gjatë orëve të pasdites po ndikon në shuarrjen e plotë të këtyre vatrave. Në ekonominë pyjore Kaçni, dhe në fshatin Mazhicë të komunës Shupenzë vazhdon zjarri në vendin e quajtur “Luçan”, në komunën Martanesh, në vendin e quajtur “Mbas-Deje”, sektori pyjor Derjan, si dhe në fshatin Dragu, komuna Fush Bulqizë.

Qarku Elbasan: Ka 6 vatra aktive. Në rrethin e Gramshit, ka 2 vatra zjarri në pyll me pisha në fshatin Zenelaj, të komunës Skënderbegas dhe në bimësi të shkurtër, në fshatin Tushaj komuna Sult, të cilët janë drejt izolimit të plotë. Në rrethin e Librazhdit janë 3 vatra zjarri, në fshatin Librazhd Katund, ku për fikjen e zjarrit po ndihmojnë edhe forcat e ushtrisë. Në fshatin Borovë, komuna Stërblevë, si dhe në fshatin Përvallë dhe fshatin Letëm, komuna Lunik, ku zjarri është nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e plotë të tyre. Në rrethin e Elbasanit ka një vatër zjarri, në Krastë, në pyll me pisha dhe shkurre, dhe po punohet nga forcat pyjore dhe komuniteti për ta vënien nën kontroll dhe shuarrjen e tij.

Qarku Kukës: Ka 5 vatra aktive. Vatra në Qafë Komi dhe dy vatrat në ekonominë pyjore Surroj, mbetën sërish problematike. Po punohet nga komunteti i zonës, forcat pyjore, si dhe mjetet zjarrfikëse të PMNZSH-së Kukës, ndërsa nesër do të ndërhyet edhe nga ajri. Vatra e zjarrit në rajonin e Zapodit, komuna Zapod dhe ajo në fshatin Dobrenj, komuna Bytyç janë venë nën kontroll të plotë. Zjarri në kullota në Bjeshkët e Cukalit, komuna Bujan Tropojë aktualisht është nën kontroll.

Qarku Korçë: Ka 2 vatra zjarri aktive. Një vatër është në pyjet e Voskopojës, por që forcat e shërbimit pyjor, forcat e komunës dhe vetë komuniteti, e kanë vënë nënkontroll, si dhe gjatë ditës së sotme u riaktivizua vatra e zjarrit në majën e malit të Bardhë, komuna Mollaj, por pa rrezikshmëri për banesat apo zonën pyjore pasi po veron në zonë me shkurre dhe bar të thatë.

Qarku Lezhë: Ka 4 vatra aktive zjarri. Më shqetësuese mbetet vatra e zjarrit në zonën me pyll të fshatit Fan, bashkia Rubik. Vatra të tjera, por që janë drejt izolimit të plotë ka në fshatin Malaj, bashkia Rreshen, në fshatin Gallatë dhe Selitë, komuna Selitë dhe në fshatin Kaçinar, komuna Kaçinar, Mirditë.

 

© Panorama.al

Te lidhura