Zjarre të reja në reaktorë, rritet alarmi

Mar 17, 2011 | 10:30

Japonia po përjeton ditët e saj më të zeza që pas Luftës së Dytë Botërore, dhe “zemërimi i natyrës” duket se nuk po ndalet me këtë vend, ku mes kaosit të shkaktuar nga tërmeti dhe cunami i fuqishëm i pesë ditëve më parë, tani pasoi ngrica dhe dëbora.Aksionet e shpëtimit janë vështirësuar së tepërmi. Mes rrënojave tashmë të ngrira, herë pas herë toka e Japonisë pëson dridhje të fuqishme, mbi 6 ballë, duke e çuar në mbi 300 numrin e lëkundjeve të forta që kanë prekur vendin që pas së premtes së kaluar, kur një prej tërmeteve më të fuqishme në histori shkaktoi një katastrofë në Japoni, së cilës ende nuk i dihet fundi. Telashi më i madh i vendit janë centralet e shumta bërthamore që ndodhen në pjesën e goditur prej tërmetit, e cila ende ka lëkundje. Defektet që kanë pësuar centralet, të cilat pothuajse që të gjitha datojnë në vitet ’70, po mbajnë të gjithë botën në ankth për frikën e përsëritjes së një katastrofe nukleare si Çernobili, i cili edhe pse 25 vjet më parë, ende ka pasoja për popullsinë. Kryeministri ka premtuar se kjo nuk ka për të ndodhur dhe sforcimet nga qeveria japoneze, por edhe nga ndërkombëtaret, për të shuar flakët në reaktorë, nuk dihet se në çfarë rezultati do të arrijnë. Pas rikthimit të 180 punonjësve në reaktorët e Fukushimës, zona më rrezikshme nukleare në Japoni që pas tërmetit 9 ballësh, ata janë larguar sërish. Ishte e pamundur për shkak të shkallës së lartë të radioaktivitetit dhe rrezikut të prekshmërisë së tyre. Lajmi i vetëm i mirë është se reja radioaktive është 1000 herë më pak e rrezikshme sesa reja e Çernobilit. Reaktori i katërt i Fukushimës mori flakë dje, duke sjellë rrezikun e madh të shkrirjes së bërthamës që mban lëndën radioaktive. Autoritetet njoftuar se flakët u shuan, por edhe në reaktorin numër dy të Fukushimës, ka rrezik shkrirjeje të shufrave me karburant nuklear. Japonia i ka kërkuar ndihmë ushtrisë amerikane për të shuar flakët e reaktorëve, por Ambasada amerikane në Tokio i ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë, që të qëndrojnë të paktën 80 kilometra larg zonës së Fukushimës, për shkak të radioaktivitetit të lartë. Në qytetin Ishinomaki, në Sendai mund të jenë mbi 10 mijë të vdekur. Në Japoni praktikohet metoda e kremimit të trupave (djegies dhe marrjes së hirit), por furra lokale pranon maksimumi 18 trupa në ditë. Për të kryer kremimin e të gjithë trupave do të duhen të paktën 500 ditë dhe administrata japoneze po parashikon si rrugëzgjidhje varret e përbashkëta. Trupat e gjetur tani për tani janë në shkolla, që përkohësisht janë kthyer në morgje. 12 920 njerëz është bilanci zyrtar i viktimave nga tërmeti e cunami në Japoni, ku 4314 janë të vdekur dhe 8606 të zhdukur. Të plagosur deri tani janë raportuar 2282 persona, por mediat raportojnë se numri i të zhdukurve është mbi 20 mijë vetë. Ndërkohë, në Tokio ka nisur eksodi masiv. Nuk largohen vetëm qytetarët e huaj, por edhe vendasit. Kompanitë ajrore kanë një destinacion: jashtë Tokios. Thirrjet e vendeve që kërkojnë largimin e shtetasve të tyre nga Japonia janë shtuar. Pas Francës, e cila ishte e para, kërkesën për largimin e qytetarëve të vet e ka bërë edhe Italia, Gjermania, SHBA-ja dhe Britania, për sa kanë raportuar mediat.

Hilari Klinton: Pikëpyetje për nuklearen në SHBA
Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, tha dje gjatë një fjalimi mbi energjinë, se kriza japoneze e vë edhe SHBA-në përpara pikëpyetjes së rrezikut dhe kostos së energjisë nukleare. Klinton bëhet kështu zyrtarja e parë e administratës amerikane, e cila hedh një kritikë mbi nuklearen. Deri dje, ministri i Ambientit e kishte cilësuar aktivitetin nuklear në SHBA, “të sigurt”. Ndërkohë, Ambasada amerikane në Tokio, ka njoftuar shtetasit amerikanë të qëndrojë të paktën 80km larg centralit të Fukushimës. Sipas autoriteteve amerikane, radioaktiviteti rreth impiantit Fukushima është në përmasa “vdekjeprurëse”.

Guenther Oettinger: Situata është shumë serioze
Gjendja në reaktorin bërthamor në Japoni ka dalë jashtë kontrollit, edhe pse autoritetet japoneze thonë publikisht të kundërtën. Ky ishte mesazhi që dha komisioneri i energjisë së BE-së, Guenther Oettinger, megjithatë, për të mos ndezur alarmin e kuq, ai shtoi se nuk ka arritur në këtë përfundim si rezultat i ndonjë informacioni të privilegjuar. “Reaktori bërthamor është efektivisht jashtë kontrollit, me sistemet e ftohjes që nuk punojnë. Pra jemi në hapësirën midis një situate tepër serioze dhe një katastrofe”, deklaroi Oettinger. Sipas tij, nuk ka ende një arsye për panik, por në “Tokio, me 35 milion banorë, situata është shumë serioze”.

Perandori Akihito: Bashkë do t’ia dalim
Perandori i Japonisë, Akihito, u shpreh jashtëzakonisht i trishtuar për krizën që po kalon vendi pas katastrofës së shkaktuar nga tërmeti dhe cunami i së premtes. Perandori, si rrallë herë u shfaq në televizion, duke i bërë thirrje kombit për unitet në këto orë të vështira. Perandori Akihito është pasardhësi i perandorit Hiroito, i cili drejtoi Japoninë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Funksioni i Perandorit në Japoni nuk ka asnjë rol kushtetues. Dy ditë më parë, Perandori kërkoi nga qeveria që sa herë të ketë kufizime energjie për popullsinë në Tokio, të ketë edhe për familjen perandorake, në shenjë solidariteti.

Radioaktiviteti mbërrin në Shqipëri e Itali pas 15 ditësh

Reja radioaktive e dalë nga djegia e centraleve atomike në Japoni do të mbërrijë dhe në Shqipëri. Edhe pse lajmi tingëllon i frikshëm, ekspertët besojnë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, sepse dendësia e saj do të jetë e parrezikshme për shëndetin e njerëzve. Radioaktiviteti japonez mbërrin në rajon pas 15 ditësh. Kështu janë shprehur ekspertët italianë, të cilët kanë bërë parashikimet e tyre, bazuar në itinerarin e erërave oqeanike.
Sipas komunikimeve zyrtare, deri tani dozat e radioaktivitetit që po dalin nga centrali Fukushima, janë nën nivelin që mund të provokojë helmimin: vlera 1557,5 mikro-Sievert e regjistruar të dielën është një mijë herë më e ulët nga baza e dëmeve biologjike akute. Sipas të dhënave ndërkombëtare, efektet e para mbi shëndetin bëhen me një orë ekspozicion mes 0,1 dhe 0,5 Sievert, që shkakton uljen e përkohshme të rruazave të bardha. Në nivelin 1 deri në 2 Sievert ka helmim radioaktiv të lehtë, me përzierje, të vjella e depresion. Helmimi radioaktiv i rëndë quhet me një ekspozim në 3 Sievert, që pason me vdekjen e 50 për qind të pacientëve brenda 30 ditësh. Mbi 6 Sievert vdekshmëria është 100 për qind. Por për ironi, situata në rajon për shkak të ndotjes është pothuajse njëlloj si në Tokio. Për faktin se Tirana është cilësuar më e ndotur se Roma, jemi ne ata që duhet të shqetësohen më shumë. Sipas analizave të kryera nga Skuadra e Mbrojtjes Civile Italiane, e përbërë nga gjashtë persona, e mbërritur dje në kryeqytetin japonez, i cili tashmë thuhet se është metropoli më i ndotur në botë për shkak të centraleve, Roma është më e ndotur se Tokio. Matjet e bëra nga teknikët dhe të raportuara në Ambasadën Italiane e kanë cilësuar radioaktivitetin brenda Tokios në 0.04 mikrosievert/orë. Për referencë, vlera tipike e radioaktivitetit në Romë është 0.25 mikrosievert/orë. Po Tirana? Ne vazhdojmë të besojmë në vullnetin e mirë të natyrës dhe teorisë shumëvjeçare se: kështu forcohet imuniteti. Dhe për sa kohë ne do të jetojmë në ndotje, nuk do të na gjejë asnjë e keqe… shpresojmë.

© Panorama.al

Te lidhura