Zjarr makinës së kryebashkiakut Gjika

Jan 25, 2012 | 12:11

Makina e shkatërruar nga djegia e kryebashkiakut Gjika

Asnjë gjurmë në vendngjarje. Kreu socialist: Çfarë mund të pritet sot kur vret shefi i Gardës?

Vlorë, shkatërrohet nga flakët mjeti personal i kreut vendor

I vihet flaka makinës së kryebashkiakut të Vlorës. Mjeti personal me të cilin lëvizte Shpëtim Gjika, është shkatërruar në orët e para të ditës së djeshme, në rrethana ende enigmë. Dyshohet se persona të panjohur mund t’i kenë vënë zjarrin rreth orës 03:20 makinës “Benz” me targa AA 815 AN, parkuar në lagjen “Uji i Ftohtë”, para shtëpisë ku jeton familja Gjika. Ngjarja ka ndodhur shumë pranë Shkollës së Marinës, në afërsi të pallatit ku banon kryebashkiaku. Sapo janë shfaqur flakët e para në makinë, ato janë pikasur nga rojet private të dyqaneve të zonës, të cilët me shpejtësi kanë njoftuar policinë dhe repartin zjarrfikës. Në momentin e mbërritjes së tyre, makina ishte përfshirë komplet nga flakët, duke u shkatërruar e dalë jashtë përdorimi. Sipas ekspertëve, dyshohet se ngjarja është e qëllimshme. Persona të paidentifikuar kanë spërkatur makinën me lëndë djegëse dhe më pas i kanë vënë zjarrin, për t’u larguar me shpejtësi që të mos diktoheshin nga askush. Nga flakët e fuqishme të makinës janë përfshirë dhe dy mjete të tjera, të parkuara pranë vendit ku ndodhej benzi i kryebashkiakut. Në vend kanë dalë menjëherë banorët dhe vetë Gjika, i cili ka konstatuar se mjeti ishte i tij. Pas shuarjes së flakëve, ekspertët e Policisë së Vlorës kanë nisur hetimet për të gjetur ndonjë gjurmë të lënë nga autorët. Me gjithë kontrollin e imtësishëm, nuk është mundur të zbulohet ndonjë provë mbi zjarrvënësit. Në një njoftim zyrtar, vetë Policia e Vlorës pohon se po punohet në bashkëpunim me ekspertë të Mbrojtjes Nga Zjarri, për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, nëse është i qëllimshëm apo aksidental. Makina, pas shuarjes së zjarrit dhe kryerjes së ekspertimit të Policisë dhe Prokurorisë, mjeti është dërguar në ambientet e Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Ekspertë të Policisë Kriminale, në

Makina e shkatërruar nga djegia e kryebashkiakut Gjika

bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Vlorës, po hetojnë për zbardhjen e ngjarjes. Jo vetëm mbi mënyrën e djegies, lëndën e përdorur, si dhe autorët e shkaqet që i shtynë drejt zjarrvënies. Mësohet se kryebashkiaku Gjika e parkonte mjetin si vazhdimisht para pallatit ku banonte. Mbrëmjen e së hënës, ai e kishte parkuar makinën rreth orës 23:00, ashtu si zakonisht. Zona njihej si e qetë dhe pa probleme. Vetë kryebashkiaku Gjika është pyetur në vendngjarje nga Policia e Vlorës në lidhje me zjarrvënien. Ai ka konfirmuar për Policinë se nuk ka pasur asnjë konflikt për shkak të detyrës dhe nuk ka pasur probleme me ndokënd. Të njëjtin fakt pohojnë dhe burime nga Bashkia e Vlorës. I pyetur për ngjarjen nga media, Gjika fillimisht nuk ka dashur të prononcohet publikisht. Ai ishte i pranishëm në ceremoninë në përkujtim të ditës së lindjes dhe vdekjes së Ismail Qemalit dhe është munduar të shmanget. Por, pas insistimit për një koment mbi ngjarjen, kryebashkiaku socialist është përgjigjur shkurt me nënkuptim: “Kur vret shefi i Gardës, çfarë mund të pritet më nga ky shtet?”. Sipas Policisë, do të verifikohet me detaje për gjurmë në mjetin e bllokuar deri në fund të hetimeve.

Deda: Përgjegjësi të shporret nga pushteti
Reagim për ngjarjen ka pasur në rrjetin social Facebook deputeti socialist i Vlorës, Eltar Deda. Ai u shpreh dje se zjarrvënia ishte e qëllimshme, nga dora e shtetit. “Një barbari si ato që kemi parë gjatë gjithë kësaj qeverisjeje të mbrapshtë. Prandaj duhet shporrur sa më parë përgjegjësi kryesor që vret, djeg e hedh në erë me ‘duar të pastra’”.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura