Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe pyjore në Iballë të Fushë-Arrëzit, mbi lagjen Gere, dhe vijon të jetë aktiv prej mbrëmjes së djeshme.
Vatra e zjarrit është shfaqur në ekonominë pyjore Iballë–Mezi, në fshatin Iballë. Për shkak të terrenit të thyer dhe të vështirë, forcat zjarrfikëse të Fushë-Arrëzit nuk kanë mundur të ndërhyjnë drejtpërdrejt në zonën e përfshirë nga flakët dhe janë pozicionuar pranë qendrës së njësisë administrative.
Gjatë natës, banorët e zonës dhe shërbimi pyjor kanë vijuar përpjekjet për izolimin e zjarrit, duke përdorur mjete rrethanore.
Flakët janë përhapur kryesisht në një sipërfaqe me shkurre, ndërsa dyshimet paraprake janë për një zjarrvënie të qëllimshme.
Në orët e fundit, në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili po ndërhyn nga ajri për të mbajtur nën kontroll përhapjen e flakëve dhe për të kufizuar perimetrin e zjarrit.
© Panorama.al












