Zhvillim kaotik apo i qëndrueshëm

Nov 16, 2011 | 8:51

ILIR KALEMAJ

Më shumë se dy të tretat e qyteteve të Kinës sot janë të mbuluara nga plehrat dhe në vend të mbetjeve të letrës, qymyrit apo perimeve, gjithnjë e më tepër është rritur proporcionalisht përqindja e plastikës, xhamit dhe metalit. Vetëm 0.3 hektarë pyje për person i takojnë një individi në Kinë, ndryshe nga 1.6 që është mesatarja botërore. Kina ka arritur të kthehet në një vend që importon sasi të mëdha mbetjesh (përfshirë ato të pariciklueshme apo me përqindje të ulët riciklueshmërie) nga vendet perëndimore. Janë rreth tre milionë tonë që Kina importon çdo vit nga këto vende, duke e kthyer situatën në vend gati-gati katastrofike, nëse e shohim të lidhur me pirgjet e plehrave, ajrin e ndotur, erozionin e me radhë. Kjo, natyrisht, ka një kosto, dhe kostoja kryesore është ajo në shëndetin e  njerëzve. Rreth 300 000 vdekje në vit dhe 54 miliardë dollarë në shërbime shëndetësore si pasojë e ndotjes në mjedis (apo e thënë ndryshe, 8 për qind e prodhimit të përgjithshëm bruto). Ndërsa nga duhanpirja llogaritet të humbin jetën rreth 730 000 njerëz çdo vit, ku Kina vetë ka një të katërtën e duhanpirësve të të gjithë botës. Këto janë vetëm disa të dhëna të përcipta për një nga vendet me zhvillimin më të lartë sot në botë, me rritje ekonomike në kufijtë e 8-10 për qind çdo vit dhe një superfuqi globale, por që e ka realizuar këtë shkallë suksesi me këtë kosto njerëzore dhe ambientale.
Një nga shembujt e suksesit në zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e ambientit paradoksalisht është Islanda. Them paradoksalisht sepse është një nga vendet që në të kaluarën kishte pësuar një nga dëmtimet më të rënda ekologjike si pasojë e pushtimeve vikinge, ku shpyllëzimi, erozioni, kullotja pa kriter e bagëtive që e zhveshi vendin nga sipërfaqet e gjelbra dhe livadhet veçanërisht nga vitet 870 deri në 930, bëri që ky vend dhe popullata që e banonte të ishin në prag të kolapsit apo zhdukjes përfundimtare. Pra, të përsëritej e njëjta gjë siç ka ndodhur me shumë civilizime dhe popuj të së shkuarës, si Anasazit dhe Majat e kontinentit amerikan, ishulli i Pashkëve, vikingët e Groenlandës e me radhë, siç i ka analizuar me mjaft mprehtësi dhe kuriozitet intelektual akademiku Jared Diamond. Sot Islanda është një prej vendeve më të suksesshme në mbrojtjen e mjedisit, por edhe kohezionin social, në mirëqenien individuale, por edhe në zhvillimin e qëndrueshëm, në kompanitë e suksesshme, por edhe shpirtin komunitar dhe zhvillimin e kapitalit social, pra një histori suksesi në vetvete ashtu sikundër edhe pjesa tjetër e vendeve nordike, të cilat janë një histori suksesi të marra si bllok.
Një shembull tjetër dhe mjaft domethënës suksesi, si rrjedhojë e përgjegjshmërisë politike në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, vjen çuditërisht nga një vend në zhvillim dhe me standarde përgjithësisht të ulëta zhvillimi, nga Republika Domenikane. Pasardhësi i një prej diktatorëve më famëkeq të Amerikës Latine, Trujillos, Joaquin Balaguer, ndonëse një qeveritar autoritar dhe me rekord famëkeq në lidhje me të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe opozitës së vendit të tij, gjithsesi renditet si një politikanët dhe burrë-shtetasit më të mëdhenj në mbrojtje të mjedisit. Në një vend me rreth 9 milionë banorë dhe që ndan ishullin me fqinjin e varfër Haitin, ku ky i fundit ka një sipërfaqe më të madhe dhe është më i populluar, 32 për qind e vendit është i mbuluar nga pyjet, përqindje e cila arriti këto nivele nën qeverisjen 25-vjeçare të Belaguerit, i cili vendosi moratorium për prerjen e pyjeve.
Nga ana tjetër, Haiti ka të pyllëzuar vetëm një për qind të territorit të tij, gjë që ka sjellë katastrofa natyrore, humbje të vazhdueshme toke bujqësore si pasojë e erozionit etj. Jo vetëm kaq, por edhe kur ishte jashtë pushtetit prej më tepër se katër vjetësh, 94 vjeç, me pasoja të rënda në shikim dhe dëgjim, iu rikthye skenës politike për një moment të shkurtër ku mbrojti sistemin e rezervës natyrore, për të cilën kishte punuar një jetë të tërë dhe të cilin pasardhësi i tij donte ta zhbënte nën presionin e industrialistëve të vendit, të cilët donin të përfitonin nga kjo pasuri kombëtare e vënë me mundim, nën pretekstin që vendit nuk kishte ç’t’i nevojitej gjithë kjo sipërfaqe e pyllëzuar. Belaguer, motoja e të cilit ishte “korrupsioni ndalon në derën e zyrës time”, arriti që gjatë qeverisjes së tij të krijonte, ndër të tjera, një akuarium, Kopshtin Botanik, një muze të historisë së natyrës dhe rindërtoi Kopshtin Zoologjik, të cilat dhe sot e kësaj dite ngelen dëshmi të një qeverisjeje të përgjegjshme dhe gjurmëlënëse në histori.
Me të drejtë lind pyetja se cilën rrugë zhvillimi të përgjithshëm ka marrë Shqipëria, cilën lloj strategjie kombëtare ka zgjedhur, cilin model ndjek dhe a (mund të) jemi konkurrues në ekonominë globale? Duke pasur parasysh sipërfaqen e vogël, kushtet gjeostrategjike, konkurrencën rajonale etj., kritikë të ndryshëm kanë vënë theksin herë pas here se vendi ynë nuk mund të konkurrojë me turizmin, prodhimet bujqësore apo industrinë e rëndë apo atë përpunuese. Kësisoj, duhet fokusuar më tepër në mundësimin e kthimit të vendit në një pikë tranziti për naftën, gazin natyror dhe burime të tjera energjetike të ngjashme. Gjithashtu duhet vënë një theks më i madh te industria nxjerrëse, zhvillimi i industrisë minerare, zhvillimi i zonave industrial-energjetike ku fokusi kryesor të jetë tërheqja e investimeve të huaja nëpërmjet politikave nxitëse që çojnë në një “garë drejt fundit” (race to the bottom) përsa u përket kritereve mjedisore etj. Madje është arritur derisa të deklarohet patetikisht se duhet të kthehemi në një superfuqi (lexo: superfuçi) rajonale dhe të rrisim kështu aftësinë konkurruese në këtë botë gjithnjë e më të globalizuar dhe kompetitive. Nga ana tjetër, studiues dhe ekspertë të fushës kanë argumentuar nevojën për një zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me trendet botërore dhe drejt një konservimi natyror që do të jetë banka jonë e së ardhmes dhe trashëgimia më e mirë që do u lëmë gjeneratave të së nesërmes. Jemi tashmë në limitet e shkatërrimit ekologjik të një vendi që ka kohë që nuk është më i “virgjër” në këtë drejtim, ndonëse ekzistonte ky mit të paktën përgjatë viteve të komunizmit. Nëse në atë kohë Metalurgjiku i Elbasanit, Superfosfati i Laçit, Fabrika e Çimentos në Vlorë, Azotiku i Fierit dhe mega-projekte industriale që me teknologjinë atavike çlironin sasi të mëdha ndotjeje në atmosferë, periudha kaotike e pastkomunizmit i ka shtuar qindra mijërat e automobilave që përdorin naftë dhe benzinë të cilësisë më të keqe, fabrika çimentoje dhe gurore që po hanë deri në rrëzë male dhe kodra, shpyllëzim barbar që po zhvesh cullak territorin dhe po çon në erozion dhe përmbysje biblike çdo vit dhe pirgje me plehra që ndotin imazh, deformojnë panoramën natyrore dhe qelbin anembanë në Albanistanin tonë të dashur ku shpirti i protestës civile ka kohë që është përgjumur.

© Panorama.al

Te lidhura