Zhoze Murinjo “fshihet”, Real-i i gjithi në sulm

Dec 10, 2011 | 13:48

Zhoze Murinjo e ka nisur “El Clasico”-n që të premten. Nuk paraqitet personalisht në konferencën për shtyp dhe ia lë kompetencat e tij ndihmësit Aitor Karanka. Ekzaktësisht siç ndodhi në përballjet e sezonit të shkuar. Nuk është një lëvizje e re për “Special One” në prag të sfidës me Barcelonën. Në prill shmangu një përballje me gazetarët, si taktikë për të evituar presionin ndaj “galaktikëve”. Atëherë, një skenë e tillë u prit shumë keq nga gazetarët, por dhe nga presidenti Florentino Perez. Por 7 muaj më pas, gjërat kanë ndryshuar shumë. Sepse Reali sot vjen si kryesues i La Ligas (+3 nga katalanasit dhe me një ndeshje më pak), ndërsa në Champions ka qenë perfekt në fazën e grupeve. Kampionët nuk janë në ditën e tyre më të mirë dhe në ndeshjet jashtë kanë gabuar shpesh, prandaj portugezi nuk do të bëjë asnjë gabim në mënyrën se si e ka përgatitur supersfidën. Zv/trajneri i Realit të Madridit nuk pranon të japë formacionin, por vetëm skemën me të cilën kryeqytetasit do tentojnë të mposhtin kampionët. Do të jetë një modul i pastër sulmues 4-3-3, qëllimi i të cilit është vetëm fitorja dhe asnjë rezultat tjetër. “Jemi në formë të mirë dhe do të përballojmë një ndeshje me të njëjtin intensitet siç kemi bërë deri këto javë të luajtura. Nuk do të ndryshojmë taktikë ndaj Barcelonës, pavarësisht rezultatit. Është e vërtetë që luajmë ndaj rivalit direkt, por në lojë janë vetëm 3 pikë dhe ne nuk kemi ndër mend të bëjmë asnjë ndryshim”, – tha numri 2 i stolit të Realit. Fjalët e 38-vjeçarit kërkojnë të heqin në maksimum presionin mbi lojtarët, por zv/trajneri i paralajmëroi madrilenët se, pavarësisht pozicionit komod në klasifikim, ata nuk do ta marrin lehtë ndeshjen. “Ne nuk bëjmë llogari. E patë në Amsterdam. Ishim të kualifikuar, por shkuam dhe e mundëm 3-0 Ajaksin. Nëse fitojmë nesër, shumë mirë. Nëse jo, nuk është fundi i botës”, – vijoi ish-mbrojtësi i Realit.

Karvajo
Nuk ia del vetëm Rikardo Karvajo. Zhoze Murinjo do të ketë në dispozicion për ndeshjen ndaj Barcelonës skuadrën e plotë, me mungesën e vetme, atë të qendërmbrojtësit luzitan, i cili vazhdon të vuajë dëmtimin. Lista e plot e të grumbulluarve është kjo: Kasijas, Adam, S.Ramos, Varane, Pepe, Marselo, Albiol, Arbeloa, Koentrao, Kaka, K.Alonso, Ozil, Di Maria, Shahin, Altintop, Alej, L.Diarra, Granero, Khedira, Ronaldo, Higuain dhe Benzema.

Kasijas
Hera e parë që Reali dhe Barcelona u përballën mes tyre, ka qenë në kampionat, 17 shkurti i vitit 1929. Ajo ndeshje u fitua nga Reali i Madridit me rezultatin 2-1. Në portën e katalanasve ishte një legjendë si Manuel Vidal, ndërsa ngjyrat e bardha i mbronte Rafael Vidal. Sot, 83 vjet pas kësaj ndeshjeje, historia e portierëve spanjollë mban një tjetër emër, atë të kapitenit Iker Kasijas. Ai është portieri që ka luajtur më shumë në “El Clasico” në histori.

Siguria, helikopterë mbi “Bernabeu”
Më shumë se 1.000 forca speciale do të garantojnë sigurinë e ndeshjes Real-Barcelona në “Bernabeu”. Ky është numri më i madh i policëve që angazhohen nga autoritetet madrilene. Përballja me rivalitetin më të madh në Spanjë konsiderohet si një event që rrezikon përplasje mes tifozerive. Mes forcave që do të patrullojnë jashtë stadiumit të Realit, do jenë policët me kuaj, me motoçikleta, agjentët e thjeshtë, ndërkohë që nuk do të mungojnë as patrullimet e herëpashershme të helikopterëve.

© Panorama.al

Te lidhura