Një vit pas zhdukjes së 7-vjeçares Bleona Mata në Zapod të Kukësit, fati i saj ende nuk dihet.Që prej 22 majit të vitit të kaluar ka pasur vetëm akuza mes prindërve të së miturës, pasi realisht nuk dihet ende nëse vajza është gjallë, apo jo.
Fshati Zapod, ndër më të thellët e Kukësit, edhe një vit më pas jeton me fatin e Bleonës. Sapo të vërë këmbën një jabanxhi , menjëherë mendja zapodasve u shkon tek Bleona. Në fakt, ardhje të tilla janë rralluar dukshëm. Sipër qendrës së fshatit, është shtëpia e Zenel Matës e pak mbi shtëpi “lëndina e lotëve”, ku u pa për herë të fundit Bleona e vogël. Është pa ajo shtëpi si një vit më parë, por sot i mungon jo vetëm Bleona , por edhe nusja e shtëpisë, Bukurija, bashkë me djalin, e cila është herë në fshatin e saj, Lojme, e herë në Tiranë. Zenel Mata, gjyshi i Bleonës, thotë se i bën thirrje Policisë, Prokurorisë e gjithë strukturave, të mos heshtin deri në gjetjen e Bleonës. “Kush na e ka marrë vajzën, të na e kthejë sa nuk është vonë. Përveç vajzës sime, të katër vajzat dhe nusja e djalit janë përgjegjëse për humbjen e Bleonës. Nusja atë ditë që humbi vajza nuk ishte në arë, ka biseduar kushedi se me kë për 6 orë rresht në telefon”, thotë gjyshi. Ndërsa babai i Bleonës, Zamiri, tani i ka humbur të gjitha: Bleonën, djalin e vogël që nuk e ka parë prej gjashtë muajsh dhe nusen që e kishte marrë me dashuri, Bukurijen, të cilën nuk do ta shohë më. Emigrimi dhe nisja e një jetë të re mbeten sfidat e tij, pa harruar betimin që ka barë se do të kërkojë gjithë jetën Bleonën e vogël. Ai fajëson ish-gruan e tij se ka dijeni për rrëmbimin e trafikimin e vajzës. E ëma e Bleonës, Bukrije Veizi, (Mata), pas divorcit dhe humbjes së të bijës i është rikthyer “vajzërisë”. Ajo qëndron në fshatin e saj Lojme, por shpesh udhëton edhe në Tiranë, për çështjen e vajzës. Nga ana e saj, Bukurija fajëson vajzat që ishin në kullotë me Bleonën për humbjen e saj. Vajza e mitur u zhduk pak orë pasi kishte dalë në kullotë me 5 çobaneshat e tjera, mes tyre halla dhe kushërirat. Për javë të tëra vazhduan kërkimet, por asnjë gjurmë nuk u gjet për Bleonën. Drejtori i Policisë së qarkut të Kukësit, Sadri Ramçaj, thotë se kjo çështje nuk mund të konsiderohet asnjëherë e mbyllur, edhe pse ndodhet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. “Ne bëjmë detyrën tonë, madje shumë shpejt do të rinisim dhe një tjetër operacion kërkimi, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në një tjetër territor në Kosovë, por më parë do të kemi edhe një nënshkrim të një marrëveshjeje të përbashkët për këtë operacion”, thotë ai.
Zamir Mata: Ish-gruaja mori pjesë në rrëmbimin e Bleonës
Sot është mbushur një vit nga humbja e vajzës sime dhe unë si prind s’kam asnjë lajm, asnjë informacion, qoftë nga shteti apo nga njerëzit e tjerë. Kërkimet ne i kemi vazhduar si familjarë, por deri tani, asgjë. Në kërkojmë që nga Policia të ketë hetime intensive, të mëdha, jo si ç’janë bërë deri tani, të shkurtra. Duhet të hetohet sa më tepër, në vazhdimësi të kohës.
Konkretisht ku doni të hetohet? Përpos 5 vajzave ju keni shtuar edhe ish-bashkëshorten tuaj në listën e të akuzuarave?
Pikërisht, përveç gjithë këtyre fakteve që ka Policia dhe Prokuroria, listës i është shtuar edhe ish-bashkëshortja ime, pasi jam divorcuar prej 6 muajsh ligjërisht. E kam thënë edhe herë të tjera që ditën e humbjes ka folur mbi 6 orë në telefon. Të gjitha telefonatat kanë qenë jashtë njerëzve të familjes. Ajo ka pasur lidhje jashtëmartesore dhe për këtë e akuzoj, që ajo ka gisht në zhdukjen e vajzës. Nuk është kujdesur për fëmijët atë ditë, diku ka qenë ajo atë ditë, pasi as në arë nuk ka punuar. Unë kam qenë emigrant për të punuar dhe për të siguruar bukën për fëmijët, që atyre të mos u mungonte asgjë. Pesë vajzat janë viktimat e Bukurijes, njëra duhet të dijë dhe për këtë shteti duhet të hetojë më tepër.
Ju do t’i vazhdoni kërkimet?
Kërkimet e mia do të vazhdojnë deri në vdekje, sa të jem gjallë.
Do të shkoni prapë në emigracion?
S’kam çfarë të bëj këtu. Do të shkoj emigrant ku kam punuar gjithmonë.
Çka do të thotë që ju tashmë do të martoheni?
Po, do të martohem se familja ime e parë u prish dhe do të nis jetën nga e para. Nuk kthehem kurrë me Bukurijen, edhe pse ajo ka kërkuar për një ribashkim.
Bukurije Mata: Vajzat kanë gisht në rrëmbimin e Bleonës
Unë kam shpresë që do të kthehet Bleona. Nuk i kam bërë keq kujt, që të keqen ta pres. I lutem Zotit që të kthehet ai fëmijë te mami i vet. Kemi kërkuar dhe nuk kemi heshtur aspak. Edhe Policia ka kërkuar, por rezultat nuk ka pasur. Nuk di ku ta kërkoj, ku të drejtohem, nuk kam lënë vend pa pyetur, nuk kam lënë prokurori, polici, avokat, gjykatë pa pyet për këtë çështje. Dyshimet e mia tani për tani janë se banorë të fshatit Kosharisht dhe Orgjost kanë gisht në rrëmbimin e vajzës dhe më pas e kanë dërguar në Greqi.
Që pas humbjes së Bleonës, jeta juaj pësoi ndryshime për shkak të zhdukjes së vajzës, por edhe divorcit. Si vazhdon jeta juaj?
Jeta ime është errësirë. Komplet tërmet. Si mund të jetë e mirë kur s’ke fëmijën në krah.
Vazhdoni dyshimet te 5 vajzat?
Po, dhe nuk i heq dyshimet e mia. I lutem shtetit t’i marrë edhe njëherë për tre ditë, të bëjë tortura mbi to. I bëjë apel të gjithë atyre që mbajnë Bleonën, do t’i fal për të gjitha, vetëm Bleonën ta kthejnë.
Ju si mendoni, pse u rrëmbye Bleona?
Thjesht ishte një lojë e vajzave. Dikush ka dashur të marr njërën prej tyre dhe i ka mbetur Bleona në dorë. I bëj thirrje atij personi që të më marr në numrin tim dhe të më tregoj të vërtetën për vajzën dhe kushdo qoftë ndër vajzat, do të merrem unë me të. E di shumë mirë që njëra ka bërë këtë lojë.
Ju jeni akuzuar nga bashkëshorti për tradhti?
Ai di vetëm të fyej, por unë kam folur, por jo aq sa thotë Zamiri dhe Policia. Kam folur me familjarët e mi. Zamiri bazohet te thashethemet, gojëdhënat e njerëzve e nuk ka asgjë të vërtetë.
Do të rimartoheni?
Absolutisht jo. Pres Bleonën dhe do të vazhdoj jetën me dy fëmijët.
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
© Panorama.al











