Ish zv ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi ka reaguar lidhur me protestat e fundit në Tiranë për largimin e kryeministrit Rama. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, teksa kritikon ashpër kreun e qeverisë, Edi Rama, ajo shtron pyetjen “ku janë institucionet?”
Më tej Çuçi thekson se në debatet dhe krizat e fundit shfaqet vetëm figura e kryeministrit, ndërsa institucionet dhe drejtuesit e tyre mbeten në hije.
Ajo kërkon shpjegime nga ministrat e Mjedisit, Ekonomisë dhe Drejtësisë mbi çështje që lidhen me projektet zhvillimore, menaxhimin e zonave të mbrojtura, ekonominë e investimeve strategjike dhe problematikat e pronës dhe kadastrës.
Nga Ornea Çuçi
O Rame, ku i ke institucionet?
Po ndjek reagimet e kryeministrit për protestën dhe kam një pyetje të thjeshtë për këtë qeveri
O qeveria ime, ku je???? Se je qeveri me 84 vota për çdo vendim… Ku dreqin je????
Kjo protestë, zotërinj ministra, drejtorë agjensish, kryeinspektorë, nuk është më një çështje ku problemi është vetëm politik. Kjo është një çështje që prek mjedisin, ekonominë, pronën, planifikimin e territorit, funksionimin e gjykatave, kadastrën madje edhe vetë modelin e zhvillimit që ka ndjekur Shqipëria me në krye këtë kryeministër në këto vite. Prandaj pyetja ime është ku është ministri i Mjedisit të shpjegojë pse është në interes publik ndërhyrja në një zonë të mbrojtur? Ku është ish-ministrja e Mjedisit që ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura për të mbrojtur publikisht atë vendim dhe për të argumentuar pse ai ishte i drejtë? Ku e ka drejtoreshën që e kopsiti këtë ligj sipas kërkesës/interesit politik?
Ku është ministri i Ekonomisë të na shpjegojë logjikën ekonomike të këtij modeli zhvillimi? Sa vende pune krijohen? Sa të ardhura prodhohen? Pse ky projekt konsiderohet më i vlefshëm se ruajtja e zonës natyrore? Si funksionon në praktikë ligji i investimeve strategjike? Si janë trajtuar pronat? Si është balancuar interesi privat me interesin publik?
Ku është ministri i Drejtësisë të na flasë për kadastrën? Për një institucion që prej vitesh nuk arrin t’u japë qytetarëve hic asnjë siguri juridike mbi pronën e tyre. Për një drejtori me nammmm në Vlorë që ka parë më shumë drejtues sesa hyrje dalje njerëzish në 3 vjet. Për konfliktet e pafundme që kanë lindur pikërisht nga mungesa e qartësisë mbi pronën. Ku janë drejtuesit e institucioneve që kanë firmosur, miratuar, licencuar, kontrolluar dhe mbikëqyrur këto procese?
Sepse problemi nuk është më nëse je dakord apo kundër protestuesve. Problemi është se në Shqipëri, në këtë krizë, janë zhdukur plotësisht institucionet dhe shfaqet vec Kryeministri. E ky, nuk është thjesht një stil komunikimi. Kemi të bëjmë me një filozofi të tërë qeverisjeje.
Në filozofinë politike kjo quhet MONIZËM. Monizmi i pushtetit, edhe në këtë rastin tonë, nuk matet nga numri i kompetencave që grumbullon një lider, sado arrogant të jetë ai, por nga numri i zërave që heshtin rreth tij. Ai fillon kur ministrat pushojnë së qeni autorë të politikave dhe kthehen në sekretarë apo thjesht shkopinj në kokën e specialitëve të ministrive për t’I shkruar ato. Kur institucionet nuk prodhojnë më argumente, por dridhen nga mesazhet forëard të ardhura nga lart. Kur përgjegjësia publike nuk shpërndahet më në sistem, por përqendrohet vetëm tek ai që e konsideron veten Zot, e në këtë rastin tonë, me dishepuj të humbur rrugës.
Në teori jetojmë në një republikë parlamentare me ndarje pushtetesh dhe përgjegjësish. Në praktikë, çdo debat publik përfundon tek Ai. Ai mbron ligjin për zonat e mbrojtura. Ai mbron investimet strategjike. Ai drejton kadastrën. Ai policinë. Ai çdo vendim.
Nëse ministri i Mjedisit nuk mund të mbrojë politikën mjedisore, nëse ministri i Ekonomisë nuk mund të mbrojë politikën ekonomike dhe nëse ministri i Drejtësisë nuk mund të shpjegojë dështimet e sistemit të pronave, atëherë për çfarë shërbejnë? Nëse treshja jote më e fortë politike të ka braktisur rrugës, nëse një pjesë e figurave kryesore të qeverisjes së këtyre viteve ndodhen sot para drejtësisë, pjesa tjetër është në rradhë pritje, dhe një pjesë e hajrit është zëvendësuar me manekinë që rrallë dëgjohen e edhe më rrallë mbajnë përgjegjësi publike, atëherë pyetja bëhet edhe më legjitime. Ku janë njerëzit të cilëve u ke deleguar firmën? Ku janë njerëzit që duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet që kanë marrë?
Prandaj pyetja ime nuk është çfarë mendon ai për gocat me këmbët e bukura që iu shkon shumë minifundi në instagram.
Pyetja legjitime e çdo socialisti që ju votoi, sit është:
Ku janë njerëzit të cilëve ju keni deleguar firmën dhe kopencën drejtuese??
Se delegimi i firmës në këtë rast, nuk është aspak delegim përgjegjësie…
© Panorama.al












