Shtyhet seanca ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 18 të bashkëpandehurve në Gjykatën e Posaçme.
Procesi gjyqësor nuk ka vijuar këtë herë për shkak të mungesës së disa prej avokatëve mbrojtës. Për këtë arsye, gjykata vendosi shtyrjen e seancës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn.
Gjatë seancës, avokati i tij, Plarent Ndreca, ngriti pretendimin se mbrojtjes nuk i janë vënë në dispozicion 24 fashikuj të dosjes hetimore.
Në përgjigje, trupa gjykuese sqaroi se materialet që mungojnë lidhen me njoftimin e akuzës për të pandehurit e tjerë në këtë çështje. Sipas gjykatës, kërkesa e mbrojtjes është legjitime, por nuk përbën detyrim për zbatimin e një vendimi tjetër gjyqësor.
Vetë Veliaj ndaj të cilit rëndojnë 13 akuza penale, mungoi në seancë, pasi pretendon se mbajtja e tij pas një kafazi në sallën e gjyqit është antikushtetuese.
Gjykata theksoi se deri në këtë fazë nuk është cenuar e drejta e mbrojtjes për Veliajn. Megjithatë, për të garantuar një proces të rregullt dhe transparent, u vendos që 24 fashikujt në fjalë t’i vihen në dispozicion mbrojtjes përpara seancës së ardhshme.
© Panorama.al












