
Shuhen përfundimisht shpresat për gjetjen e gjurmëve të vogëlushes Bleona Mata, vajzës së mitur nga fshati Zapod i Kukësit, e zhdukur mbrëmjen e 22 majit 2010.Operacioni i përbashkët mes policisë së Kukësit dhe forcave xheniere të Kosovës, FSK, për çminimin e një sipërfaqe toke të minuar në vitin 1999, në fshatin Krestec të Kosovës, pranë Zapodit, thuajse ka përfunduar. Kërkimet e bëra brenda këtij rripi toke me mina nuk kanë dhanë asnjë shenjë për Bleonën e vogël. Ekspertët më parë kishin ngritur dyshime se aksidentalisht vajza mund të kishte rënë në mina. Nisur nga fakti se pas zhdukjes së vajzës 7-vjeçare policia nuk kishte mundur të hynte në zonën e minuar, kërkimi në këtë zonë pritej me kërshëri nga hetuesit dhe familjarët e të zhdukurës. Ekspertët pohojnë se do të bëhet edhe një krehje e gjithë sipërfaqe se çminuar dhe aksioni do të zhvillohet në bashkëpunim me forcat e policisë së Kosovës më 12 shtator. Sipas tyre, ky mbetet vetëm një formalitet, për shkak se deri tani nuk është konstatuar asnjë gjurmë e vajzës. Operacionet e kërkimit janë shtrirë në gjithë bjeshkët e Zapodit, Kosovës fqinje por dhe në Maqedoni. Policisë tashmë i duhet të heqë dorë nga kërkimet dhe të vijojë punën në rrugë të tjera me hetimet operative, dukë i mëshuar tani fort pistës, sipas së cilës Bleona Mata mund të jetë grabitur për qëllime trafikimi apo për shkaqe të tjera. Kjo ka qenë dhe pista kryesore të cilës i kanë mëshuar dy prindërit e Bleonës, tashmë të divorcuar mes tyre për shkak të ngjarjes së ndodhur me vajzën e mitur. Pista e rrëmbimit për qëllim trafiku është dhe pista e ngritur nga familjarët, të cilët kanë akuzuar edhe njëri-tjetrin për humbjen e Bleonës, ndërkohë që akuzat e përbashkëta kanë rënë dhe tek vajzat e fshatit që e morën atë pasdite Bleonën në kullotë. Ditën e ngjarjes, Bleona Mata ka qenë së bashku me pesë vajza të tjera, të afërme të saj të cilat po kullosnin bagëtinë në pyll, rreth 10 minuta larg banesës. Vajzat janë marrë në pyetje në mënyrë të përsëritur nga policia dhe prokuroria, por nuk kanë arritur të japin asnjë variant domethënës apo të bazuar në lidhje me ngjarjen. Për shumë kohë, hetuesit kanë dyshuar tek ndonjëra prej tyre në lidhje me vërtetësinë e dëshmive, por deri tani ende nuk janë gjetur prova për dyshimet e ngritura ndaj vajzave, si personat e fundit që ndodheshin me Bleona Matën kur ajo u zhduk.
Hetimi
Hetimet për zhdukjen e Bleona Matës pas fillimit të tyre në Kukës nga policia dhe prokuroria e këtij qyteti kanë vazhduar më pas nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për shkak se versioni kryesor i dyshuar ka qenë rrëmbimi. Mirëpo, edhe pse policia e prokuroria janë angazhuar për një kohë të gjatë në një numër të madh veprimesh hetimore, asnjë provë për rrëmbimin e 7-vjeçares nuk është gjetur.
KUKES/ Jonuz Hallaçi
© Panorama.al











