Dëshmitarët në polici: Autori i vjedhjes rreth 23 vjeç, iku në drejtim të “21 Dhjetorit”
Një pakujdesi e shoferit të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, ka bërë që “të zhduket” sa hap e mbyll sytë makina zyrtare “Audi A6”, me të cilën lëvizte ministri. Shoferi ka lënë makinën të ndezur dhe çelësat brenda në kuadër, duke aktivizuar bllokazhin dhe ka dalë për të blerë një paketë cigare. Rasti është shfrytëzuar nga një djalë që dyshohet të jetë rreth 25-30 vjeç, i cili ka hipur në makinë zyrtare dhe i ka dhënë gaz përgjatë Rrugës së Kavajës, në drejtim të kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, në Tiranë. Skena është parë nga larg nga shoferi i ministrit Bumçi, i cili ka nxituar të ndalojë makinën, duke dhënë alarmin edhe në Ministri, por hajduti është “zhdukur” brenda pak sekondash. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së mërkurës përpara derës kryesore të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Burime nga Policia thanë se mëngjesin e djeshëm është paraqitur për të bërë kallëzim shoferi i mjeti të vjedhur “Audi A6”, me targë TR 138 Z, ngjyrë e zezë, në pronësi të Ministrisë së Kulturës, që përdorej nga ministri. Nga denoncimi i drejtuesit, është cilësuar se makina ka qenë e ndezur dhe në momentin që ai është futur në ambientet e Ministrisë e kanë vjedhur. Ai ka arritur të përshkruajë autorin e dyshuar të vjedhjes, duke treguar edhe drejtimin nga ishte larguar me makinë. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Komisariatit Nr.3, u angazhuan për ndjekjen e mjetit dhe identifikimin e personit që ka kryer vjedhjen. Burimet sqaruan që makina e ministrit Bumçi dyshohet të jetë larguar në drejtim të Kombinatit e më pas në rrugën e vjetër që lidh Tiranën me Durrësin. Të paktën deri mbrëmjen e djeshme nuk është zbuluar vendndodhja e makinës dhe as identiteti i hajdutit. Të njëjtat burime thanë se muajt e fundit kanë ndodhur të paktën 10 vjedhje të tilla makinash, nga pakujdesia e vetë drejtuesve, të cilët e lënë makinën ndezur dhe largohen prej saj. Një ngjarje e tillë i ndodhi para pak kohësh edhe deputetit socialist Eduard Shalsi. Ai la çelësat brenda makinës, të parkuar në rrugën “Mine Peza” dhe kur u kthye, zbuloi që ia kishin vjedhur. Por vetëm dy javë pas ngjarjes, makina e Shalsit u gjet e braktisur në anë të autostradës Fushë-Krujë – Shkodër, pranë Milotit.
1 person i vetëm dyshohet se ka marrë pjesë në grabitjen e makinës së ministrit të Kulturës Aldo Bumçi. Mjeti ka qenë i lënë në bllokazh në rrugë para ministrisë tek Rruga e Kavajës në kohën kur ka ndodhur ngjarja
Kontrollet
Forcat e policisë gjatë gjithë ditës së djeshme kanë ndaluar për kontrolle e verifikime një numër të konsiderueshëm automjetesh të ngjashme me makinën që ka përdorur ministri i Kulturës Aldo Bumçi. Aksioni i policisë ka pasur për qëllim verifikimin e automjeteve të markës së njëjtë me qëllim kapjen e mundshme të saj një ditë pas grabitjes. Ndonëse policia ka kontrolluar imtësisht çdo rast të dyshuar, deri mbrëmjen e djeshme nuk është bërë i mundur që të gjendej makina e ministrit të Kulturës. Vetë Aldo Bumçi ka bërë denoncim për ngjarjen pranë Komisariatit Nr.3 të Policisë së Tiranës ditën e mërkurë.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











