Zhduket nga Korça kryetari i OMONIA-s, policia s’e gjen

Jan 13, 2012 | 12:27

Kreu i OMONIA-s, Naum Disho

Shpallet në kërkim. Drejtori i Kufirit: Nuk ka dalë jashtë vendit.

Kreu i OMONIA-s, Naum Disho, është shpallur në kërkim nga Policia e Korçës, e cila po tentonte të realizonte urdhër-arrestin ndaj tij. Zbardhja e vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e dënoi me 1 vit burg Dishon, dhe koha e nevojshme për ta firmosur atë në Prokurori kanë bërë që policia të hasë në pamundësinë e ekzekutimit të arrestit. Vendimi ka mbërritur në duart e Policisë rreth orës 15:30 të së enjtes dhe menjëherë zyrtarë të Drejtorisë së Policisë kanë urdhëruar zbatimin e tij. Në momentin që blutë e Korçës i janë drejtuar banesës së Dishos për të mundësuar arrestimin e tij, aty nuk është gjetur njeri. Sipas të dhënave nga Policia, Disho është duke u kërkuar në ambiente ku ai mund të jetë strehuar, siç janë banesa të familjarëve të tij të afërt apo edhe të anëtarëve të organizatës që ai drejton. Shpallja në kërkim e të akuzuarit për dhunimin e varreve në fshatin Boboshticë ka bërë që të nisë edhe verifikimi për daljen e tij të mundshme jashtë shtetit. Drejtues të Policisë Kufitare bënë me dije se është bërë verifikimi në sistem edhe sipas të dhënave, por nuk ka kaluar nga kufiri. Këto të dhëna të regjistruara kanë bërë që të përjashtohet mundësia e largimit të tij jashtë shtetit, duke i përqendruar dyshimet e qëndrimit të tij në vend. “Naum Disho për herë të fundit ka dalë nga Shqipëria më 19 dhjetor dhe është rikthyer më 22 dhjetor. Ai mund të kishte kaluar kufirin pa probleme përgjatë gjithë kësaj kohe, pasi nuk ka qenë një person i skeduar, por kalimet e tij të fundit janë këto. Kjo përjashton çdo mundësi që Naum Disho të ketë dalë drejt shtetit grek”, është shprehur drejtori i Kufirit, Ismail Elezi. Ndërkohë, zyrtarë të Policisë së qarkut kanë sqaruar se kërkimet për Dishon kanë nisur në mënyrë intensive brenda gjithë territorit të vendit, duke u përqendruar te pista e fshehjes së tij te të afërmit. Sipas tyre, prej momentit të urdhër-arrestit është kontaktuar me të gjitha pikat kufitare në vend, në mënyrë që të kryhej verifikimi për largimin e tij të mundshëm, si dhe për shpalljen si person në kërkim. I akuzuari për dhunimin e varreve në fshatin Boboshticë dhe daljen në sipërfaqe të eshtrave si pasojë e gërmimeve për ndërtimin e një memoriali në nderim të ushtarëve grekë të rënë në luftë, sipas të njëjtave burime ndodhet brenda kufijve dhe kërkimet intensive do të vijojnë deri në arrestimin e tij. Disho tashmë është skeduar si një person në kërkim nga policia dhe kjo mbyll çdo mundësi të largimit të tij.

“E kam takuar një ditë më parë”
Avokati i Dishos: Nuk e kam urdhrin e arrestit
Vendimi për arrestimin ka sjellë edhe reagimin e mbrojtësit të Dishos, i cili është shprehur se duhet të kishte një dijeni nga ana e Prokurorisë për lëshimin e urdhër-arrestit. Avokati mbrojtës i Naum Dishos e ka konsideruar këtë si një shkelje ligjore me argumentimin se nuk ka në dorë asnjë njoftim për klientin e tij. Ai gjithashtu ka pohuar se vetëm një ditë më parë është takuar dhe ka biseduar me kreun e OMONIA-s në qytetin e Korçës, duke përjashtuar kështu largimin e tij. Depozitimi i dy kërkesave pranë Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë për pezullimin e vendimit, sipas avokatit, është i vetmi drejtim apo veprim që do të ndërmarrë Disho pa iu fshehur Drejtësisë.

© Panorama.al

Te lidhura