Zhaku: Kastro Zizo më vodhi këngën te “Kënga Magjike”

Dec 3, 2011 | 13:58

Një pyetje me shumë kuptime si “A je në metro?”, e bërë nga Zhaku në klipin e saj të ri, tingëllon provokative. Rishfaqet me një këngë dedikuar metropolit dhe mendjeve të trazuara, ku dashuria gjithsesi nuk mungon.
Klip me titull “A je në metro”… Ironi ndaj një metropoli si Tirana, apo ironi për banorët?
Të gjitha bashkë. Shprehja “A je në metro” ka disa kuptime. Synon të nxisë reflektimin te qytetarët e Shqipërisë mbi mënyrën se si jetohet në qytetet tona, kryesisht në metropol.
Një këngë e tillë a mund të quhet kundër rrymës?
Unë trajtoj një fenomen shoqëror në këtë këngë, e që është po aq pjesë e jetës sime sa dhe e të gjithë të tjerëve. Unë jam shumë brenda botës së përgjithshme, e cila nuk është mikro. Jetoj realitetin popullor, i cili është maksi.   Ky është frymëzimi im.
A dinë meshkujt e këtij metropoli të duan një femër, po femrat a dinë të duan një mashkull?
Kam pasur fatin të njoh kryesisht meshkuj interesantë dhe të një niveli të lartë intelektual, artistik apo shoqëror. Mundem vetëm të të shpreh konsideratë për raportin mes meshkujve dhe femrave, pasi me mua përgjithësisht kanë qenë të lavdërueshëm.
Përveç mesazheve që jep me këngët e tua, mendon se duhet të shfaqesh dhe joshëse në klipe?
Sa për të qenët joshëse, mendoj se sa më shumë të përpiqesh të dukesh e tillë, aq më pak je.
Bashkë me Kastro Zizon keni realizuar një album. Ç’u bë me të?
Kastro ishte i ftuari im në këngët e konceptuara e të krijuara, si në tekst dhe muzikë nga unë, por nuk pati asnjë rezultat tjetër veç këngës “Mos voto”, që nxorëm përpara zgjedhjeve të fundit dhe këngës së grabitur e përçudnuar, që me pafytyrësinë më të madhe Kastro Zizo prezantoi në “Kënga Magjike”. E kam fjalën për “Doruntinën dhe Kostandinin”, e cila është një vepër e krijuar nga unë, por e vjedhur dhe e masakruar nga ai.
Një vajze të moshës sate do i sugjeroje jetë single apo të martohej?
Unë nuk jam single. Bashkëjetoj me të dashurin tim. Martesën nuk e mendoj, por festën që i thonë dasmë po. Ne jemi të dy qejflinj, por dhe i kemi qejf ahengjet. Jeta është plot të papritura dhe s’mund të planifikosh asgjë. Nuk mund të sugjeroj asgjë për askënd, përveçse të bëjnë atë që duan dhe të kenë marrëdhëniet që duan me njerëzit që duan aq sa t’u zgjasë dëshira.

© Panorama.al

Te lidhura