TIRANË- “Policia e Shtetit ka bërë një punë të shkëlqyer duke siguruar procesin e numërimit, një shërbim shumë i rëndësishëm për qytetarët dhe për vetë demokracinë ”.
Kështu e ka vlerësuar kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, ambasadori Eugen Wolfarth punën e bërë nga policia gjatë procesit zgjedhor, deri në fazën aktuale të numërimit.
Deklarata është bërë sot gjatë ceremonisë së zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për nder të Këshilltarit të Lartë për çështjet policore në Zyrën e Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, z. Klaas Los, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.
Vetë kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj duke përshëndetur punën e bërë nga efektivët ka pranuar se “deri në këto momente Policia e Shtetit ka qenë gjatë gjithë kohës në zbatim të ligjit me korrektësinë më të madhe”.
Sipas tij, nuk ka asnjë rast denoncimi për asnjë punonjës të Policisë së Shtetit që të ketë shkelur ligjin.
Në ceremoni ka qenë i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. “Ditët e fundit patëm një shembull ekselent ku Shqipëria kishte një nga evenimentet e saj të rëndësishme publike siç janë zgjedhjet. Gjatë këtyre ditëve Policia e Shtetit ka treguar një seriozitet dhe profesionalizëm për të përmbushur detyrimet e saj ligjore”- tha ai, duke falenderuar për ndihmën dhe asistencën e gjithhershme të dhënë nga OSBE dhe konkretisht nga z. Los.
© Panorama.al











