Burrel, Patos, Konispol…Prezantimi i grave që kishin përparuar me vota kundrejt kundërshtarit që kishin përballë në këto tri bashki, po njoftohej nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, orë pas ore. Sot, një javë pas zgjedhjeve të 8 majit, i kemi risjellë të tria për të mësuar më shumë rreth taktikave të kësaj fushate, ankthit të numërimit të votave, dhe së fundi, përjetimit të rezultatit.
Përgjatë gjithë javës, kemi qenë të gjithë sy e vesh nga ekrani, në pritje që shifrat të ecnin deri në përfundim të tyre. U bë thuajse një lëvizje instiktive që televizorin ta hapje menjëherë te një stacion që të mbante gjithnjë në korrent me zhvillimet e fundit. Pyetjet e të gjithëve ishin, “hë si janë”, “për kë?”, “kush është në avantazh?”, deri sa i erdhi fundi. Shifrat e para filluan t’u jepnin përgjigje të gjitha pyetjeve. E sigurisht që atje ku numërimi ishte më i lehtë e numri i votuese më i vogël, ecuria ishte më e shpejtë. Në mesjavë, u njohëm me kryetaret e para femra të tre bashkive në skaje të ndryshme të Shqipërisë. E para që gëzoi fitoren ishte Adelina Farici, kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Burrelit. Zhurma e kësaj fitoreje të parë u dëgjua jo vetëm pse u fitua nga një femër, por më së shumti pse fitoi në një vend ku kandidati kundërshtar kandidonte për të tretën herë radhazi, pra në gjithë historinë e tij, Burreli kishte qenë i djathtë. Pas saj, nga Bashkia e Patosit u lajmërua një tjetër fitore. Zona ku kandidonte Rajmonda Balili, kryetarja e sapo zgjedhur e Bashkisë së Patosit, nuk ka historinë e Burrelit, pra ‘lufta’ ishte më e thjeshtë. Nga një skaj tjetër i Shqipërisë, nga Bashkia kufitare në Jug të vendit erdhi një tjetër lajm. Kishte fituar kandidatja e Partisë Socialiste, Mimoza Arapi, e cila fitoi me një diferencë prej 270 votash kundrejt Petrit Mullait, ish-kryetar i kësaj Bashkie në mandatin e kaluar. Kësaj here, Konispoli ia besoi votat e tij një gruaje. Nuk ishte i zakonshëm ky revolucion i grave në zgjedhjet e këtij 8 maji. Së paku nuk kishte ndodhur më parë, për këtë, u lidhëm me secilën prej tyre për të mësuar më shumë. Cilat ishin ndjesitë e fitores, çfarë i kishte ndihmuar për të qenë deri aty ku janë sot? Pavarësisht se secila prej tyre nuk u gjend në krye të vendit të saj krejt papritur. Kishte secila një renditje të pozicioneve të punës në CV, të cilat bashkë me të qenurit pranë banorëve të vendeve të tyre, i sollën deri këtu. T’i njohim më shumë një e nga një…
Raimonda Balili, Patos
“Femrat do të kenë prioritet”
Prej një jave, kryetarja e re e Bashkisë së Patosit është ende mes Tiranës e Patosit, deri sa të mbyllen të gjitha zhurmat lidhur me zgjedhjet. Në këto rrëmuja e sipër, ka gjetur momentin edhe t’i përgjigjet një interviste për gazetën “Panorama”, se si janë këto ditë të para pas ‘kurorëzimit’. Ndër të tjera, Rajmonda Balili tregon edhe se çfarë ka parashikuar për t’ia bërë qytetarëve të vendit të saj jetën më komode e më të pasur.
Së pari, t’ia nisim me përjetimet e fitores…
Jam e lumtur jo vetëm pse fitova unë dhe Partia Socialistet, të cilën përfaqësoi, por fitoi gruaja, qytetari i cili ka besuar në kandidimin tim, në programin tim, si dhe në forcën e gruas në rol drejtimi. Por jam e lumtur gjithashtu për atë që unë do të vë në jetë në 4 vite drejtimi, kështu programi im nuk do të mbetet në letër, por do të vihet në jetë në shërbim të këtij komuniteti që e besoi atë.
Ç’rrugë keni ndjekur për të mbërritur te vota e banorëve të Patosit?
Edhe pse zona ku kandidova nuk kishte vështirësinë e elektoratit, sepse nuk është e djathtë (siç mund të ketë ndodhur me kolege të mia) nuk ka qenë e lehtë për të arritur tek fitorja. Përballë kisha një rival, i cili vinte nga fusha e biznesit, vinte nga aleanca politike që ka sot qeverisjen vendore. Këta faktorë kishin ndikimet e tyre në komunitet, për shkak të kërcënimit me vendet e punës në sektorët e naftës, arsimit, shëndetësisë etj. Por njëkohësisht ndërhyrjet e rivalit pa kriter në infrastrukturë, në ambjente publike, në emër të projektit “Dimë ta bëjmë Patosin”, pa i ndaluar askush që kishte detyrën e mbrojtjes së ambjenteve publike, i shtuan informalitetin këtyre zonave. Kështu nuk bëhen qytetarët për vete… Ndërsa unë, me thjeshtësine time dhe të programit që kam shpalosur ditët e fushatës, me mënyrën time të komunikimit me qytetarët, me vlerat që ka Partia që përfaqësoj, arrita të fitoj zemarat e qytetarëve të Bashkisë Patos.
A e parashikoni të vështirë drejtimin e Bashkisë?
Për vetë problematikën që ka sot Bashkia, është e vështirë. Por fakti që e njoh dhe jam pranë kësaj problematike, bashkë me mbështetjen e këshillit të Bashkise dhe të vetë qytetarëve, mbeshtetjen e gjithë aktorëve lokalë, me përgatitjen time profesionale, më bën të besoj se do t’ia dal mbanë!
Si ka nisur përfshirja juaj në politike, në ç’kohë e në ç’rrethana?
Në vitin 2007 jam propozuar nga Partia Socialiste dhe shoqëria civile për kandidate për kryetare bashkie. Për shkak të koalicionit me LSI, Bashkia e Patosit iu la kësaj force politike. Që nga ky moment, u përfshiva në politikë.
Ç’prioritet do të kenë femrat, ç’lehtësira…Keni parashikuar diçka lidhur me këtë pikë?
Një nga qëllimet e drejtimit tim në qeverisjen vendore do të jetë pikërisht për këtë që më pyesni. Një administratë profesionale, ku prioritet do t’i jepet femrës, gjithmonë duke vlerësuar anën profesionale. Shtrirja e shërbimit të pastrimit dhe gjelbërimit në të gjithë territorin e Bashkisë, si tjetër prioritet do të krijojë mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës, ku femrat do të kenë përparësi edhe për shkak të përkushtimit që ato tregojmë për t’i bërë këto shërbime. Krijimi i marrëdhënieve të partneritetit me biznesin vendas do të krijojë gjithashtu kushte për punësimin e gruas në këto aktivitete, duke siguruar kështu edhe kualifikime profesionale sipas specifikave të veprimtarive të bizneseve. Sigurimi i rolit të gruas në vendimmarrje do të jetë një tjetër objektiv imi në këto vite që do të drejtoj Bashkinë e Patosit.
Adelina Farrici
Atje ku u ndryshua mentaliteti
Qendra administrative e rrethit të Matit, Burreli, te të gjithë, ka hijen e një burri hijerëndë. E kush e priste që ky parafytyrim do të rrëzohej pas numërimit të votave për zgjedhjen e re të kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti, të vendosur në të djathtë të lumit Mat. Ja që Adelina Farrici mundi ta shemb këtë mentalitet, duke ia dalë mbanë me fitoren e votave të matjanëve. të qenurit për vite të tëra mësuese, disa kohë prej të cilave ka drejtuar edhe për 3 vite shkollën jopublike “NMG”, si dhe për 4 vite një tjetër shkollë publike, ka ndikuar ndoshta në aftësinë bindëse dhe komunikative me qytetarët, ashtu sic mund të bënte dikur me nxënësit e klasave që kishte nën kujdestari. Nënës së dy fëmijëve, i është dashur që përgjatë gjihtë këtyre ditëve të gjata, t’i kushtojë kohën e fëmijëve të saj, punës dhe qytetarëve që në fund e shpërblyen. Natyrisht që e gjithë puna që i është dashur të bëjë ka qenë krejt e ndryshme nga e të tjerave. Përpjekja e saj duhet të ishte jo vetëm ndaj bindjes politike, duke qenë përfaqësuese e Partisë Socialiste, por edhe ndaj një mentaliteti thellësisht të rrënjosur për të pasur burrat në pozicione drejtuese. Siç duket, në Burrel kanë ndryshuar jo vetëm bindjet politike, por edhe mentaliteti. Natyrisht që edhe puna e fushatës ka pasur fuqinë e vetë. Sepse mësuesja 43-vjeçare e fizikës, eksponente e njohur e Partisë Socialiste, nuk i është trembur fare vështirësisë së zonës ku ka kandiduar, por ka ngulmuar në bindjen dhe punën e saj. Në Burrel, prej tetë vitesh ka qenë në krye të Bashkisë Skënder Lleshi, po ai që Adelina ka pasur përballë në këto zgjedhje. Shifrat e rezultatit të saj kanë qenë me më shumë se 500 vota më shumë se rivali. Avantazhi është hasur kuti pas kutie, deri në votën e fundit që e shpalli fituese. E duket se pikërisht kjo fitore i ka zënë Adelinës më tepër kohë se koleget e saj, përderisa nuk gjeti një orë të përgjigjej sikundër të tjerat. Duket që puna e saj ka qenë më e vështira, ose kështu po e interpretojmë…
Mimoza Arapi, Konispol
“E panevojshme të punosh
më në Greqi”
Për Mimoza Arapin, politika është fushë e njohur, pasi ka 10 vite që është pjesë e saj. Qysh në vitin 2000, është zgjedhur këshilltare nga PS Sarandë, për t’u zgjedhur mandej kryetare e Këshillit Bashkiak për Bashkinë e Konispolit dhe së fundmi kryetare e PS-së për këtë Bashki. Synimet për më tej e për më shumë kanë qenë përherë nxitëse. Ja përse nuk do të ndalej këtu Mimoza. Dashuria dhe respekti për vendlindjen, për mirëqenien e këtij qyteti, që ndodhet në Jug të vendit, atje ku ndahet kufiri me Greqinë, vajzën e lindur dhe rritur në Konispol e nxiti për të garuar për kreun e bashkisë, me bindjen e thellë se do të fitonte dhe fitorja i buzëqeshi, bashkëqytetarët e saj konispolatë, por edhe ata të Çiflikut, e besuan dhe e votuan për të drejtuar Bashkinë e Konispolit, e vetmja në Jug që do të drejtohet tashmë nga një grua. Rast i rrallë për këtë qytet, që është drejtuar vetëm nga burra. Kryebashkiakja Mimoza Arapi ka meritën që riktheu Bashkinë e Konispolit në duart e të majtëve, duke e “përkthyer” si një shmangie të gabuar votimin e konispolatëve në shkurtin 2007, kur vetëm 12 vota nxorën fitues Petrit Mullajn e demokratëve. Për tre mandate para vitit 2007, kryebashkiaku i Konispolit vinte nga radhët e së majtës, por do të duhej investimi i mësueses Mimoza Arapi në politikë, që të sillte rikthimin majtas të votës së konispolatëve. Ajo është e njohur si mësuese cilësore e lëndës së historisë në shkollën e mesme “Bido Sejko”, të qytetit të Konispolit, por edhe si numri një që PS-ja e Sarandës ka në këtë zonë, që konsiderohet prej tyre si “bastion i tradhtuar” i të majtëve.
“E pata të vështirë në garën time, na tha Mimoza. Kjo për faktin se pasi kreu i deritanishëm i Bashkisë së Konispolit, faktin që nuk bëri asgjë në katër vitet që kaluan nën ombrellën e PD-së, e fshehu jo vetëm me mashtrime elektorale, por edhe me taktikën elektorale të kërkimit të votës në këto zgjedhje me siglën e PDIU-së, që njihet ndryshe si parti e çamëve, i nisur nga ajo që zona e Konispolit është kërthiza e Çamërisë. E megjithatë, nuk u besua nga konispolatët e mi dhe për këtë edhe nuk u votua. Jam e lumtur që bashkëqytetarët e mi kuptuan se e vetmja rrugë zhvillimi edhe për Konispolin është PS dhe projekti im për këtë zhvillim”.
Në komunikimin me zgjedhësit, Mimoza prezantoi si kolona të projektit të saj më të votuar realizimin e rehabilitimit të kanalit të Janjarit dhe përmes tij përmirësimin e sistemit të ujitjes në të gjithë zonën, si dhe shndërrimin e aksit Qafë Botë-Shkallë, në një zonë ekonomiko-industriale me biznese të fuqishme të agro-industrisë dhe tregtisë, por edhe me investime të tjera në shërbim të komunitetit. Ajo është e rreshtuar në një krah të politikës, por thotë se votën e konispolatëve e kërkoi edhe për t’i dhënë fund ndasisë absurde të ardhur nga ngjyrimet ekstreme politike, që i kanë ndarë njerëzit në blu e rozë edhe kur në ato raste tepër banale që të zgjedhin se në cilën kafene do ta pinë kafen, apo me cilin autobus do të udhëtojnë për në Sarandë.
Tashmë Mimoza Arapi është realisht kryetare e Bashkisë së Konispolit, pasi doli fituese në zgjedhjet e 8 majit. Me konstituimin e pritshëm dhe me vendosjen e shiritit të kryebashkiakes, Mimoza Arapi do të marrë përsipër që konispolatët, bashkëqytetarët e saj të kuptojnë se jetojnë në një vend, të cilin nuk ka kuptim dhe nuk është nevoja ta këmbejnë me emigrimin dhe të punojnë në fushat e Greqisë fqinje.
Tashmë, që prej 9 majit, me një diferencë prej 270 votash larg kandidatit Mullai, Mimoza Arapi është kryetarja e Bashkisë së Konispolit. Detyra është fisnike për një grua. Barra është e madhe dhe puna e saj akoma më e madhe. Dhe Mimoza kryetare bashkie do ta kryejë atë ashtu si e meritojnë konispolatët që e votuan për t’i drejtuar. ”Konispolin do ta bëj bashkë me konispolatët, qytetin e njohur jo vetëm si pika më jugore e Shqipërisë, por edhe si bashkia model, që ofron cilësi jete për të gjithë”, ka përfunduar Mimoza.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











