Zgjedhjet, Topalli: Më korrektet dhe me standardet më të larta

May 13, 2011 | 16:51

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i ka vlerësuar zgjedhjet e 8 majit, si më korrektet të mbajtura ndonjëherë në vend dhe me standardet më të larta të zhvilluara. “Këto zgjedhje ishin më të ndershmet, më  korrektet, zgjedhjet me standardet më të larta të zhvilluara në Shqipëri”- tha Topalli, gjatë takimit të zhvilluar me delegacionin holandez,kryesuar nga Kryetarja e Komisionit të çështjeve europiane të Parlamentit të Hollandës, Gerda Verburg.

Topalli e njohu delegacionit me ligje thelbësore të votuara në parlament, pjesë e reformave të mëdha, ndërsa theksoi se është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e opozitës në votime veçanërisht për ligjet antikorrupsion, ku veçoi gjykatën administrative apo heqjen e imunitetit të deputetëve.

Ndërkohë, përfaqësuesit e delegacionit hollandez shprehën angazhimin maksimal për thellimin e bashkëpunimit, jo vetëm në nivel parlamentar por edhe si anëtarë të Bashkimit Europian për të kontribuar në vendimmarrje të rëndësishme për afrimin e Shqipërisë me BE-në.

“Është thelbësore që opozita të jetë aktive në veprimtarinë parlamentare, jo vetëm në debate por edhe të marrë pjesë në votim”, tha Kryetarja e Komisionit të çështjeve europiane të Parlamentit të Hollandës, Gerda Verburg.

© Panorama.al

Te lidhura