Zgjedhjet shtyjnë sërish kampionatin

May 6, 2011 | 11:41

Nuk kanë fund problemet për Kategorinë Superiore. Pas incidentesh, akuzash dhe bojkotesh vjen dhe një tjetër lajm i keq për organizatorët e këtij aktiviteti, shtyrja e kampionatit. Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit java e 33-të, pra e fundit nuk do të mund të luhet më datë 14-15 maj pasi policia nuk është treguar e gatshme që të sigurojë rendin në stadiume. Me anë të një shkrese dje, Policia e Shtetit ka njoftuar Federatën se duke qenë pak ditë pas zgjedhjeve, ajo nuk mund të sigurojë rendin pasi ekzistojnë edhe mundësi të trazirave ose të balotazheve të ndryshme në njësitë e qeverisjes vendore. Në këtë kontekst, rrezikohet që edhe finalja e kupës Tirana-Dinamo e programuar për në 19 maj të shtyhet në një datë tjetër. Madje, edhe ndeshjet “play-off” të programuara për më 23 maj të shtyhen për në një datë tjetër. Kjo do të krijojë një amulli të jashtëzakonshme për futbollin shqiptar, pasi kujtojmë, që në fund të muajit grumbullohet edhe Kombëtarja për ndeshjen e qershorit ndaj përfaqësueses së Bosnjë-Hercegovinës.

© Panorama.al

Te lidhura