Zgjedhjet, shefi i OSBE: Policia të mos lejojë ndërhyrje politike

Mar 18, 2011 | 9:27

Në kuadër të zgjedhjeve të 8 majit, të gjithë punonjësit e policisë do të kryejnë një trajnim për mënyrën se si duhet të operojnë, para, gjatë dhe pas procesit të votimit. Trajnimi nisi dje në Qendrën e Formimit Policor në Tiranë dhe direktivat e para u dhanë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, si dhe nga shefi i Departamentit të Sigurisë në Zyrën e OSBE-së, Jack Bell. Procesi i trajnimit do të zgjasë deri pak ditë para datës së votimit. Në krye të diskutimeve në lidhje me mbarëvajtjen e procesit para, gjatë dhe postzgjedhor, kanë qenë detyrat themelore që ka policia dhe, më kryesorja, të mos e lejojnë politikën që të ndërhyjë në punën e tyre. Madje, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, i paralajmëroi dje të gjithë vartësit e tij se në rast se do të konstatohet ndonjë shkelje e mundshme gjatë procesit zgjedhor, atëherë ata do të ndëshkohen me procedime disiplinore dhe penale, siç e parashikon ligji. “Për çdo punonjës policie që do veprojë në kundërshtim me ligjin dhe aktet e tjera nënligjore që normojnë veprimtarinë e strukturave të Policisë se Shtetit në procesin zgjedhor, do të fillojë menjëherë ecuria disiplinore e ligjor”, u shpreh Burgaj. Nga ana tjetër, shefi i Departamentit të Sigurisë në Zyrën e OSBE-së, Jack Bell, u kërkoi punonjësve të policisë që të mos e lejojnë politikën që të ndërhyjë në punën e tyre, për të prishur raportet që ndërkombëtarët kanë dhënë deri tani. “Probleme gjatë procesit zgjedhor mund të ketë, por Policia e Shtetit nuk duhet të lejojë që politikanët të ndërhyjnë në punën e policisë për të prishur raportet që ndërkombëtarët kanë dhënë deri tani. Do të ketë shumë vëzhgues për zgjedhjet, të cilët nuk do të jenë për të vëzhguar punën e policisë, por për procesin zgjedhor”, u shpreh Jack Bell gjatë fjalës së tij. Sipas tij, raportet e ODIHR-it kanë qenë kritike për pjesën politike dhe kurrë për punën e Policisë së Shtetit. “Raportet e ODIHR-it lidhur me punën e Policisë së Shtetit gjatë proceseve zgjedhore kanë qenë në ngritje, në veçanti raportet e procesit zgjedhor gjatë vitit 2007 dhe 2009, dhe kanë vazhduar me pozitivitet”, deklaroi shefi i Sigurisë së Zyrës së OSBE-së.

© Panorama.al

Te lidhura