Zgjedhjet, sërish në Kolegjin Zgjedhor

Sep 15, 2011 | 10:59

Partia Socialiste mund të mos votojë sot projektvendimin e propozuar nga administrata e Kuvendit për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 8 majit.Burime nga selia rozë bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se ende nuk kanë përcaktuar se cili do të jetë qëndrimi i tyre në mbledhjen që do të nisë në orën 12:00, për shkak se vetëm gjatë mesditës së djeshme e kanë marrë në dorë draftin. Megjithatë, duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2009, kur tre anëtarët e opozitës, me gjithë kontestimet e shumta, votuan pro përsa i përket shpalljes së rezultatit, ka pak gjasa që një gjë e tillë të ndodhë edhe këtë herë. Sipas anëtarëve të majtë të KQZ-së, dy vjet më parë vota e tyre pro u keqpërdor politikisht kur Kryeministri Sali Berisha, në disa dalje publike, por edhe në takime informale, është shprehur se rezultati përfundimtar u votua me 7 vota. Nëse opozita sot nuk do të japë votën e saj për projektvendimin, ai nuk mund të miratohet. Sipas Kodit Zgjedhor, miratimi i tabelës së një zone zgjedhore ose ai përfundimtar kërkon të paktën pesë vota pro. Kjo do të thotë se përfaqësuesit e koalicionit të djathtë mund t’i drejtohen sërish Kolegjit Zgjedhor për ta konsideruar të miratuar tabelën për zgjedhjet e 8 majit.
Bashkitë dhe komunat
Sipas tabelave përfundimtare të hartuara nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se nga 65 bashki që janë në të gjithë vendin, 35 prej tyre janë fituar nga kandidatët e mbështetur nga koalicioni i majtë “Aleanca për të ardhmen” dhe 30 të tjerat nga kandidatët e koalicionit të djathtë “Aleanca për qytetarin”. Qarku ku PD-ja ka dalë më mirë është ai i Shkodrës, ku i ka fituar të pesë bashkitë, ndërsa PS-ja ka dalë më mirë në qarkun e Vlorës, ku ka fituar gjashtë bashki, ndaj një të demokratëve, por edhe në qarqet Fier e Gjirokastër, ku ka marrë drejtimin e pesë bashkive, nga gjashtë në secilën prej këtyre zonave. Ndërkohë që situata krejt tjetër paraqitet sa u përket komunave. Në total, koalicioni i majtë “Aleanca për të ardhmen” ka fituar shumicën e votave në 110 komuna, ndërkohë që koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike ka fituar 182 komuna. Ndërsa për minibashkitë e Tiranës, shtatë prej tyre janë fituar nga kandidatët e mbështetur nga e djathta dhe katër nga kandidatët e së majtës. Qarku ku PD-ja dhe aleatët e saj kanë dalë më mirë sa u përket komunave, është ai i Korçës, ku kanë marrë 23 njësi ndaj shtatë që kanë marrë socialistët. Ndërsa qarku me rezultatin më të mirë për PS-në është ai i Fierit, ku kjo parti ka fituar vetëm një komunë më shumë se demokratët, ndërkohë që në Berat dhe Durrës kanë fituar të njëjtin numër komunash. Në të gjithë vendin, pesë komuna janë fituar nga PBDNJ-ja, ndërsa LZHK-ja ka fituar në 2 komuna.

Fituesit në komuna e bashki
Berat    PS 4 bashki dhe 10 komuna
PD 1 bashki dhe 10 komuna
Dibër     PS 1 bashki dhe 12 komuna
PD 3 bashki dhe 20 komuna
Durrës     PS 3 bashki dhe 5 komuna
PD 3 bashki dhe 5 komuna
Elbasan    PS 2 bashki dhe 18 komuna
PD 5 bashki dhe 25 komuna
Fier        PS 5 bashki dhe 18 komuna
PD 1 bashki dhe 17 komuna
Gjirokastër     PS 5 bashki dhe 7 komuna
PD 1 bashki dhe 13 komuna
Korçë    PS 4 bashki dhe 7 komuna
PD 2 bashki dhe 23 komuna
Kukës    PS 1 bashki dhe 5 komuna
PD 2 bashki dhe 16 komuna
Lezhë    PS 3 bashki dhe 5 komuna
PD 2 bashki dhe 12 komuna
Shkodër    PS 0 bashki dhe 10 komuna
PD 5 bashki dhe 18 komuna
Tiranë    PS 1 bashki dhe 8 komuna
PD 4 bashki dhe 16 komuna
Vlorë    PS 6 bashki dhe 5 komuna
PD 1 bashki dhe 7 komuna

PS 35 bashki, 110 komuna, 4 minibashki
PD 30 bashki, 182 komuna, 7 minibashki

Precedenti me Këshillin Bashkiak të Tiranës
Situata që mund të krijohet sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku tre anëtarët e opozitës të mos japin votën për tabelën përfundimtare, ka edhe disa precedentë të mëparshëm. Rreth një muaj më parë, anëtarët e opozitës nuk votuan ndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe atyre të minibashkive, duke e detyruar PD-në që ta çonte çështjen në Kolegjin Zgjedhor.

Vendimet me 5 vota
“Konsiderohen të miratuara kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me: a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 165 të këtij Kodi; b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 122 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore”, thuhet në nenin 24 të Kodit.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura