Një ditë para festës së gruas, kreu i OSBE-së në Tiranë apelon për respektimin e barazisë gjinore në zgjedhjet vendore, rritjen e rolit të gruas në organet vendimmarrëse dhe pjesëmarrje aktive në jetën publike e politike. Përmes një deklarate për shtyp, ambasadori Eugen Wollfarth e vlerëson shumë të rëndësishëm për një shoqëri demokratike, moderne dhe paqësore, rolin e gruas.
“Gratë shqiptare, duke qenë një përbërës i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare, duhet të jenë po ashtu pjesë e pandashme e qeverisjes dhe proceseve demokratizuese në vend” thuhet ne deklarate, ku shtohet se pikerisht per kete, duhet t`u ofrohet e gjithë mbështetja e mundshme kandidateve gra, sikurse është me rëndësi zbatimi në praktikë i kuotave gjinore prej 30 për qind.
Sipas tij, gratë anembanë vendit dëshirojnë të kandidojnë në zgjedhje dhe të votojnë dhe ne kete perfundim ka mberritur edhe projekti tre vjecar per rritjen e rolit te gruas ne qeverisje.
“Më 2004, të gjitha shtetet pjesëmarrëse përtëritën angazhimin e tyre për barazinë gjinore duke deklaruar se “të drejtat e barabarta mes grave dhe burrave dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut janë thelbësore për paqen, demokracinë e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik, dhe si rrjedhojë për sigurinë dhe stabilitetin në zonën e OSBE-së” thekson Wollfarth.
© Panorama.al











