Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, thotë se kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës nuk është zyrtarizuar ende, por shton se kjo bashki e ka kryetarin e saj. Në një intervistë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo” të gazetarit Ilir Babaramo, ai u shpreh se beteja e 8 majit do të jetë politike. “Bashkia e Tiranës e ka kryetarin e saj. Mendoj që kandidati më i mirë për një betejë, e cila s’ka të bëjë me zgjedhjet administrative, siç e thashë në fillim të bisedës, beteja që do zhvillohet në zgjedhjet lokale të 8 majit do të jetë politike, e lidhur me interesa të rëndësishme politike.
Edhe po të shikoni kontekstin e asaj që po zhvillohet me kandidimet në kampin e djathtë, beteja që po përgatitet nga krahu i PD-së po shikohet pikërisht si e tillë”, tha Majko. Sipas tij, “po merren deputetë, figura ministrore të fuqizuara, të nxitura për këtë eveniment politik dhe theksi politik i kësaj është i pashmangshëm. Jo thjesht në kontekstin e asaj që po ofrohen si figura politike qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta, por kjo vjen si rezultat i krizës politike shumë të thellë dhe paqartësisë që në një mënyrë apo tjetër e kanë të dyja palët”. Ish-kryeministri i PS-së, thotë më tej se procesi elektoral i 8 majit do të jetë një referendum.
“Zgjedhjet lokale janë një referendum, që do të ndajë në histori politike, e cila është deformuar që nga qershori i vitit 2009 dhe që mendoj që në një mënyrë apo tjetër të dyja duhet të punojnë për të gjetur mekanizma, që të zbusin njëra-tjetrën, por mbi të gjitha përcaktimi i disa rregullave, të cilat duhet të shërbejnë si fondamente për një bashkëjetesë politike”. I pyetur nëse me kandidimin e Ramës opozita heq dorë nga zgjedhjet e parakohshme, Majko tha se “Mendoj se në zgjedhjet e 8 majit do të diskutohet një votëbesim i publikut në marrëdhëniet e veta me opozitën dhe maxhorancën. Si i tillë, ai do të jetë një rikonsiderim i asaj që ka ndodhur nga qershori 2009 e këtej dhe mendoj se do të jetë një nga momentet kulmore të krizës politike që ka një vit e gjysmë”.
I pyetur rreth shtyrjes së procesit të regjistrimit të popullsisë, Majko tha se qeveria nuk duhet të heshtë, por të hapë një debat politik para se të bëhet ky proces. Majko akuzoi qeverinë se me këtë heshtje po nxit një urrejtje me pjesëtarët e minoriteteve që po trajtohen sikur duan t’i rrëmbejnë diçka Shqipërisë, duke nxitur në këtë mënyrë një armiqësi. Sipas tij, çështja e regjistrimit në këtë mënyrë siç është paraqitur, i përket sigurisë kombëtare.
© Panorama.al











