Duke e thënë përsëri me dashamirësi, ndonëse flitet për situatë përgatitjeje për fillimin e zgjedhjeve të pushtetit lokal në Shqipëri, fati i pjesëmarrjes së Partisë Socialiste në konkurrimin e saj në maj, mbas deklarimeve të padeshifrueshme qartë për pjesëmarrje ose bojkotim prej kësaj force politike, të krijon përshtypjen e fatit të udhëtimit të pa fund e pa krye, në kërkim të thesarit në ishull, prej personazheve të Stivensonit. Kjo paqartësi e dallueshme ose vënia përsëri në diskutim e pjesëmarrjes së forcës politike më të madhe opozitare, për të cilën është rrahur debat gjerësisht kohëve të fundit, është sigurisht një prej treguesve të krizës në politikën shqiptare, e cila sigurisht rrjedh prej konfliktualitetit të egër politik gati të paadministrueshëm pozitë-opozitë. Dhe duket fare qartë se ajo çka po ndodh në thelb nuk është thjesht kriza e kategorive të së majtës ose të djathtës, por përkundrazi, është “ekzistenca” e asaj politike, që konfirmon të jetë produkti i kundërt i asaj për të cilën nuk duhej të ishte më ashtu siç është. Politika jonë duket qartë se jo vetëm ende nuk e ka organizuar bashkë-ekzistencën në Polis dhe nuk bën përpjekje për ta kapërcyer këtë problem, por ajo po vazhdon të organizojë “luftën” e të gjithëve kundër të gjithëve. Ja pra, përpara “falimentimit” të kësaj lloj politike, jo të falimentimit vetëm të identiteteve të së djathtës dhe së majtës tradicionale, gjendet sot kategoria e politikanit dhe e politikës sonë. Për kategorinë e njerëzve votues, që s’janë militantë, pra me të drejtë nuk rrojnë me ideologji, por i shohin partitë si formacione interesash, ashtu si në fakt duhet të kryejnë dhe misionin, Partia Socialiste ende nuk kuptohet se çfarë objektivi ka në raport me pjesëmarrjen në zgjedhje, në prag të zgjedhjeve të pushtetit lokal. Në vend që të kishte filluar nga puna parapërgatitëse për të krijuar një atmosferë të qartë dhe festive në promovimin e projekteve të ndryshimit të saj në rrafshin e pushtetit lokal, çka do ishte shumë e mirëpritur për shumë njerëz, për fat të keq ajo po vazhdon të prodhojë me artifica të caktuara formate me përmbajtje pretekstesh, me një gjuhë të përpunuar në bashkëpunim me profesionistët e informacionit të saj. Ndaj, në këtë paqartësi rrugëtimi, kur opozita nuk ka dalë ballëhapur, pjesëmarrëse në çdo detaj të zhvillimeve aktuale, për të demonstruar shpresë dhe zhvillim për militantët e saj, por edhe për të gjithë atë shtresë të madhe skeptikësh, të pavendosurish dhe të zhgënjyerish, detyra jonë po bëhet dukshëm e dyfishtë: të vazhdojmë të ruajmë fillin e rolit tonë publik, e në të njëjtën kohë të rithemelojmë politikanin, si një identitet të humbur të përkatësisë së tij politike. Vazhdon kështu një çështje shoqërore, e cila ka të bëjë me bazat programatike, mbi të cilat mund të strukturohet një stinë e re politike.
Përballë krizës së sotme të politikës, ajo që mund të na nevojitet të gjithëve është qëndresa kulturore. Pra, lipset të qëndrojmë më parë në nivelin kulturor dhe pastaj politik, e më pas në konkretizimin e këtyre vlerave në politikë. Shtrohet, në këtë kuptim, çështja e gjetjes së formave alternative si në ambientin politik, ashtu dhe atë meta-politik. Për sa i përket formës së parë, mund të marrim në konsideratë sugjerimin e Alen de Benua, një politologu i njohur francez i ambientit të djathtë. “Mendimi im i pandryshuar,- shkruan ai,- është se iniciativat politike duhet të ndërmerren njëherësh nga të gjithë; shoqëri civile, intelektualë, kushdo që është pak faktor, duke filluar që nga niveli lokal, në mënyrë që të ringjallim raportet sociale e për të krijuar hapësira të reja publike në një nivel sa më afër njerëzve, për të vazhduar më pas në nivelin kombëtar dhe më tej”. Dhe kjo i hap njëherësh rrugën një komunikimi të ri politik, që të mos mbetemi të gozhduar duke parë lojën e njërit kundër tjetrit, por të mendojmë për interesat e përbashkëta, superiore, perspektive.
Vetëm duke mposhtur dogmatizimin e sigurive të gabuara politike, do kuptohet domosdoshmëria e këtij ndryshimi, pra vetëm atëherë mund të fillojë “jeta” e dialogut, konsensusit informativ, universalitetit si fakt, që ndërtohet mbi mirëkuptimin e arsyes së misionit që ka politika dhe jo thjesht mbi qëllimin e marrjes parësisht të pushtetit. Vetëm kjo vetëdije do na shkulë nga stanjacioni i kulturës inerte. Është mjaft e rëndësishme që palët të mos i fryjnë më antagonizmit me çdo kusht, sepse kështu e kërkon kjo fushatë elektorale që të bëhet e mirë. Prandaj, lipset një dialog i vërtetë për të bashkëpunuar në gjetjen e zgjidhjeve që diktojnë emergjencat, në mënyrë që edhe në këtë fushatë elektorale çdo forcë politike të sforcohet të jetë më e mirë, të matet me një nivel më të lartë të përballjes politike.
Në fakt nuk është një këshillim i thjeshtë, sepse bëhet fjalë për alternativa të vështira. Të zgjedhësh midis “forcës” dhe mospërdorimit të forcës për të stabilizuar kështu si vlerë të parë tabunë e “forcës”, do të thotë të braktisësh idenë e vjetër të politikës. Është e detyrueshme, kështu, çfarëdolloj mundësie për ta zhdukur dimensionin destruktiv të politikës, duke u frymëzuar nga ide të reja, qoftë kundra monopolizimit brenda saj, qoftë kundër konformizmit midis saj. Fortësisht i lidhur me këtë vlerë është edhe theksimi i parimit të përfshirjes kundër parimit të përjashtimit, i mostrajtimit të kundërshtarit politik si armik i egër që duhet përmbysur se me të nuk konkurrohet (të motivuar nga Karl Shmit, i cili e përjashton prerë në demokraci politikën nga kategoria mik-armik), d.m.th. stabilizimi i parimit të reciprocitetit, të konsiderimit të këndvështrimit të tjetrit. Është një vlerë dramatikisht evidente sot në të gjitha nivelet, dhe që duhet të mbulojë tërësisht sot të gjitha format e politikës sonë në të gjitha qelizat e organizimit dhe funksionimit të saj. Në këtë sens, imperativi i politikës sonë nuk është të organizojë dhe frymëzojë forcë militante, por të prodhojë forma të organizimit politik qytetërues, të promovojë në këtë fushatë njëkohësisht me programet dhe epërsitë e formacionit, besimin dhe bashkëpunimin midis të ndryshmëve, ndërtimin e bashkëjetesës, që bën bashkë diversitetet. Nëse jetojmë në një botë, që përmban në vetvete mjaft “botë” të tjera të vogla, por që në tërësi kanë valencën e tyre ekonomike dhe politike, atëherë duhet medoemos të imagjinojmë përfaqësinë politike dhe forma të organizimit të politikës që të respektojmë këto struktura. Kjo bëhet akoma dhe më urgjente sot, kur shohim se zëri i antipolitikës shqiptare ka filluar të bëhet shumë më i fortë nga disa muaj më parë, pikërisht pse partitë vazhdojnë të vetizolohen më tej, të përfaqësojnë veç veten dhe ambientin përreth vetes, sipas rastit, nëse ngjitet ky apo ai politikan dhe zbret një tjetër; duke e lënë kështu një pjesë të rëndësishme të shoqërisë pa zë dhe të prirë për të gjetur vetveten me alternativa të tjera. Nëse vërtet do të donim t’i administronim këto dy vlera të sipërpërmendura si themeluese të një politike të re, pra nëse duam të administrojmë alternativën midis përdorimit të forcës (si mjet i padrejtë) për të ndjekur qëllime të drejta dhe racionaliteti, shoqërizuar me parimin e përfshirjes kundra përjashtimit, lipset të vendosim edhe vlera të tilla orientuese të kësaj qeverisjeje apo administrim parimesh, të cilat janë: parimi i maturisë ose përgjegjshmërisë përballë parimit të efikasitetit të menjëhershëm ose kuptimi i kulturës së limiteve përballë vullnetit të çmendur për pushtet. Janë këto dy vlera që duhet të theksojmë, aq më tepër që zgjedhja midis vendimmarrjes së fortë dhe përgjegjshmërisë është e hollë dhe shpesh e pështjelluar në politikën tonë. Prandaj, në ambientin aktual do të nevojitej një mekanizëm i përgjegjësimit kapilar, të cilin mund ta garantojë vetëm një pjesëmarrje cilësore, e kualifikuar territoriale. Dhe kjo vlerë nuk duhet të jetë vetëm e politikës, por e të gjitha formave të organizimit social, ekonomik e intelektual; pasi do të krijonte bazën për ndërtimin e bashkëjetesës civile, aq të nevojshme për shoqërinë tonë. Dhe kjo sigurisht nuk do të mjaftonte, po të mos mbizotëronte si shumë e kujdesshme kultura e limiteve, veçanërisht e sjelljeve personale të personazheve të politikës shqiptare, një terren ky mjaft i vështirë për t’u ndrequr. Dhe do ishte diçka e re, e mirëpritur dhe mjaft qytetare që promovimi i kësaj fushate të fillonte me kulturën e të arsyetuarit në të gjitha ambientet kolektive, duke shprehur më tepër pasionet e ëmbla se sa interesat e pushtetit, të cilat gjer më tash janë shoqëruar më së shumti me egërsi dhe iracionalitet.
© Panorama.al












